Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska sot do të marrë pjesë në konferencën “Digjitalizimi i shërbimeve në fushën e arsimit”, në të cilën do të prezantohen shërbimet elektronike të përgatitura nga Ministria, ndërsa do të diskutohet edhe për përfitimet nga transformimi digjital në sektorin publik.
Konferenca është organizuar nga Qendra për menaxhim me ndryshime dhe, siç është paralajmëruar, do të marrin pjesë edhe Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri dhe Ambasadorja e Britanisë së Madhe, Rejçel Gallovej.
“Shërbimet elektronike që do të promovohen janë përgatitur në kuadër të projektit “Digjitalizimi në sektorin publik në RMV për funksionim të qetë”, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, me mbështetjen e Ambasadës britanike Shkup. Projekti zbatohet nga Qendra për menaxhim me ndryshime në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës”, thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.