Konferencë ndërqeveritar deri në fund të vitit – presin Zaev dhe Mishell

17

Shkup, 22 tetor – Prioritetet më të rëndësishme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në periudhën aktuale janë që të miratohet Korniza për negociata me BE-në nga ana e Këshillit Evropian dhe mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare të vendit me BE-në deri në fund të vitit me kryesimin e RF të Gjermanisë, u theksua në bisedën e Kryeministrit Zaev me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell, që u organizua online dhe në të cilën morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në takimin online me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell, u konstatua se rezultati pozitiv për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare do të jetë një shtysë për reforma më të shpejta në vend, si dhe një sinjal pozitiv për rajonin, i cili do të konfirmojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, si një nga qëllimet e zgjerimit të BE-së, kumtoi pres shërbimi qeveritar..

“Është investuar shumë nga të dyja palët dhe gjithashtu shumë është realizuar, që na bën si vend. Të përgatitur për negociata sipas kapitujve për realizim të tërësishëm dhe pa kushte të vendit tonë në agjendën e BE-së”, tha në takim me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharll Mishell, kryeministri Zaev.

Zaev, gjatë bisedës me Mishell, potencoi se prioritete të Qeverisë për periudhën e ardhshme janë avancime të mëtejshme të agjendës për reforma të BE-së në mënyrë inkluzive, me kyçjen e opozitës në Kuvend dhe me pjesëmarrje aktive të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në këtë takim online me kryetarin e Këshillit Evropian u konstatua se rezultatet e rëndësishme të arritura në përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit, sjellja e Ligjit për prokurori publike, si dhe vendimet përfundimtare për raste të krimit dhe korrupsionit të organizuar, përfshirë edhe në nivel të lartë, janë përmirësuar në mënyrë shtesë dhe në atë mënyrë janë konstatuar edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut.

“Maqedonia e Veriut do t’i përforcojë përpjekjet e saj dhe do të sjellë rezultate të mëtejshme të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, duke përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Kryeministri Zaev në këtë takim online.

Tema e takimit, ku morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ishin edhe raportet e mira fqinjësore dhe rajoni.

Kryeministri Zaev theksoi se Qeveria është e përkushtuar në zbatimin e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe se të gjitha çështjet e tjera do të mbyllen me takime dypalëshe dhe në atmosferë miqësore.

Në takimin me Sharll Mishell, u theksua edhe rëndësia e madhe e Planit Ekonomik dhe për Investime për Ballkanin Perëndimor në vlerë prej 9 miliardë euro për investime më të mëdha në përforcimin e ndërlidhjes infrastrukturore, veçanërisht në sferën e transportit dhe energjisë, agjendës së gjelbër dhe digjitale, si dhe përforcimin e konkurrencës në sektorin privat, si sfera kyçe për ekonomitë rajonale.

Kryetari i Këshillit Evropian, Sharll Mishell, në takimin online rikujtoi se një prej prioriteteve të tij të para prej kur e mori mandatin në KE, ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE dhe në atë drejtim e vlerëson shumë përkushtimin e Qeverisë dhe të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në plotësimin e standardeve evropiane në të gjitha sferat, përfshirë edhe harmonizimin e politikave nacionale të jashtme me ato të BE-së.

“Kjo është shumë e rëndësishme”, tha kryetari i Këshillit Evropian, Mishell, që të përfundojë më shpejtë procesi i mbylljes së kapitujve i cili do të fillojë me konferencën e parë ndërqeveritare në dhjetorë, gjatë kryesimit të Gjermanisë, qëndron në kumtesë.