Në organizim të Qendrës për liri (CIVIL) sot në Shkup do të mbahet konferencë me titull “Zgjedhje të lira për shoqëri të lirë”. Në konferencë janë të ftuar ekspertë, analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që t’i prezantojnë konstatimet e tyre dhe rekomandimet për procesin zgjedhor, sidomos në periudhën trejavore të fushatës zyrtare parazgjedhore. Qëllimi është që të jepet përgjigje në pyetjen: Çka ka paraprirë, çka duhet të bëhet dhe cilat janë rreziqet para nesh, në kontekst të zgjedhjeve lokale në Republikën e Maqedonisë?
Konferenca është pjesë e projektit Media të lira për shoqëri të lirë, të mbështetur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë. Në konferencë janë ftuar edhe media, OJQ, institucione, parti politike dhe qytetarë të interesuar. CIVIL e vëzhgon procesin zgjedhor nga fillimi i vitit. Monitorimi zbatohet përmes vëzhguesve afatgjatë, si dhe përmes rrjetit bashkëpunues nga aktivistë, korrespondentë dhe gazetarë qytetarë. Për monitorimin e votimit, CIVIL do të akreditojë të paktën 106 monitorues.