Shkup, 24 korrik – Mijëra shkencëtarë, aktivistë dhe politikanë mblidhen sot në Amsterdam për një konferencë katër ditëshe për epideminë globale të HIV/AIDS-it. Qëllimi i tubimit të këtij viti është të diskutohen mënyrat për të edukuar dhe trajtuar më efektivisht popullatat më në rrezik. Kombet e Bashkuara, së voni, kanë paralajmëruar se numri i infektimeve të reja po rritet në shumë vende, veçanërisht në Evropën Lindore dhe Azi. Rreth 37 milionë njerëz jetojnë me infeksionin në mbarë botën, shumica e tyre në Afrikë. Rreth 1 milion njerëz në vit vdesin nga sëmundjet e lidhura me AIDS-in. Në Maqedoni vetëm gjatë muajit mars të këtij viti janë paraqitur tetë raste të reja me këtë infeksion, njofton Instituti për shëndet publik (ISHP). Personat e infektuar janë të gjinisë mashkullore, prej tyre pesë janë të moshës 20 deri 29 vjeç, ndërsa të tjerët prej 30 deri 39 si dhe një është i moshës 40 deri 49 vjet. Në fillim të këtij viti, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë tha se do të mbështes financiarisht me 1 milion e gjysmë euro ““Programin për mbrojtjen e popullatës nga HIV për vitin 2018”, edhe atë për terapi të vazhdueshme anti-retrovirusale për pacientët të cilët jetojnë me HIV, por edhe për parandalim nga HIV-i.
Vitin e kaluar (2017) ISHP ka regjistruar 39 raste të paraqitura të HIV-it në vitin 2017. Numri më i madh i tyre është nga Shkupi, deri në moshën deri 30-vjeçare. Vitin e kaluar në Maqedoni, nuk është regjistruar asnjë rast me vdekje të personave si pasojë nga komplikimet lidhur me SIDA-n.
Në periudhën prej vitit 1987 deri në vitin 2017, nga numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara me infeksionin HIV është 338, derisa numri i personave të vdekur që si shkak kanë pasur lidhshmërinë me SIDË-n, është 83. Pjesa më e madhe e infektimeve ka ndodhur nëpërmjet marrëdhënieve të pambrojtura seksuale. Në këtë moment, në Shtëpinë e shëndetit publik në Klinikën Universitare për sëmundje infektive dhe gjendje febrile me terapi antiretrovirusale mjekohen 190 pacientë, thonë nga Asociacioni HERA.
Ndryshe, në mesin e pjesëmarrësve në Konferencën Ndërkombëtare AIDS 2018 janë princi britanik Harry, këngëtari britanik, Elton John, dhe ish-presidenti amerikan, Bill Clinton.
(AXH)