Përforcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe marrëdhëniet rajonale në Evropën Juglindore ishte tema e konferencës “Ballkani: 360” në organizim të Fondit gjerman Marshall.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani gjatë fjalimit të tij në konferencë tha se sot vendin tonë në suaza globale e prezantojmë si tregim të suksesshëm dhe Maqedonia Veriore tani është realitet i ri në Evropën Juglindore.
“Vetëm para 20 muajve ishim një tregim i mërzitshëm Ballkani – i panjohur, me çështje të hapura politike, të rrethuar me fqinj anëtarë të NATO-s dhe BE-së, me sfida të brendshme, marrëveshje të pa përmbyllur paqësore prej para 18-të viteve, dhe me kërcënime për sigurinë e brendshme, për sundimin e të drejtës”, tha gjatë fjalimit Osmani.
Ai tha se vetëm pas 20 muajve u lind një yll i ri, u krijua një narrativë e re, u krijua një kulturë e re kompromisi. Siç tha zëvendëskryeministri, tani ne jemi i vetmi vend në rajon pa asnjë çështje të vetme të hapur me pesë fqinjët tanë, me pjesën legjislative të mbyllur të Marrëveshjes së Ohrit, kemi prezantuar planin reformues 3-6-9 dhe Planin 18, e përforcuam sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike.
” Brukseli që vitin e kaluar neve qartë na përmendi – nëse ju jepni , edhe ne do të japim. Në fillim kjo ishte vetëm një fjalë, por më vonë ishte forcë lëvizëse për të gjithë ne që të bëjmë kompromise të vështira. Ne e dhamë pjesën tonë, dhe tani presim që Evropa, gjithashtu ta japë atë që e premtoi. Në rrugën drejtë NATO-s arritjet janë të mëdha, 6 shkurti do të mbahet mend në historinë e vendit si ditë që do ta shënojmë me vite kur u nënshkrua Protokolli për inkuadrimin në NATO në Bruksel”, tha Osmani.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Osmani tha se është e nevojshme që liderët e Ballkanit Perëndimor të tregojnë guxim dhe vendosmëri t’i zgjidhin çështjet e hapura, me qëllim që rajoni të mund të ecë para. Në këtë kuptim shfaqi shpresën se Kosova dhe Serbia do të inkurajohen dhe do të gjejnë zgjidhje përfundimtare, se gjendja status kuo, siç tha, nuk çon askund.
Ushtruesja e detyrës ambasadore amerikane në vend, Mikaela Shavjcer-Blum, tha se kryeministrat Zoran Zaev dhe Alekisës Cipras në mënyrë dramatike i ndryshuan marrëdhëniet mes Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, duke i transformuar të dy fqinjët në partnerë.
Ambasadori gjerman në vend Tomas Gerbrih tha se Maqedonia e Veriut arriti dimension historik me Marrëveshjen e Prespës dhe se pas rezultatit pozitiv nga implementimi i marrëveshjes, është hapur rruga drejtë NATO-s dhe BE-së për vendin.
“Ballkan 360” ka për qëllim ta mbështes angazhimin inovativ dhe koheziv të SHBA-së dhe Gjermanisë në Ballkan, dhe ta mbështes integrimin euroatlantik të rajonit.
Mbi 30 pjesëmarrës, përfshirë edhe përfaqësues të lartë të rajonit, SHBA-së dhe Gjermanisë, si dhe ekspertë të Fondit Marshall dhe nga Qendra Marshall do të debatojnë në Shkup për sfidat dhe mundësitë për bashkëpunim ekonomik rajonal.(koha.mk)