KONFERENCA NDËRQEVRITARE: Rrugëtimi i Maqedonisë përcakton procesin e Berlinit

63

Rrugëtimi që ka bërë Maqedonia dhe Shqipëria për t’iu integruar ka qenë i njëjtë si ai i vendeve të tjera. Që dy vendet kanë plotësuar te njëjtat kushte. Evropa ka nevojë për unitet, dhe dy vendet i plotësojnë gjitha kushtet, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve euro-integruese duke folur për Konferencën e dhjetorit ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe Shqipërisë me BE-në. Ndërkohë, kryeministri Zoran Zaev ka deklaruar se qytetarët duhet të jetë të përgatitur edhe për dështimin e së njëjtës për shkak të kontestit me Bullgarinë

Destan JONUZI

Shkup, 22 tetor – Kryeministri Zoran Zaev së fundmi është deklaruar se qytetarët duhet të jenë të përgatitur edhe në rast se nuk mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në, e cila do të shënonte edhe fillimin zyrtar të bisedimeve me BE-në. Kjo deklaratë e kryeministrit vjen pas deklarimeve të ashpra të zyrtarëve bullgar për kontestin e tyre historik me Maqedoninë e Veriut, lidhur me figurën dhe veprën e Goce Dellçevit, si dhe kontestimin e gjuhës dhe popullit maqedonas. Por, ndryshe nga kryeministri Zaev mendon shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Bujar Osmani ai thotë se nëse nuk mbahet Konferenca e parë ndërqeveritare në dhjetor do të ishte dështim jo vetëm se për Maqedoninë, por edhe për Gjermaninë si kryesuese me BE-në, si dhe për vendet anëtare të Procesit të Berlinit, të cilat kanë për synim mbështetjen e vendeve aspiruese për anëtarësim në BE, si dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.

Ndërkohë, në opinion po qarkullon edhe ideja se Shqipëria mund të jetë pengesë për mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Shumë vende anëtare i shohin dyja vendet aspiruese në paket në procesin e anëtarësimit. Në anën tjetër, sipas njohësve të zhvillimeve në arenën ndërkombëtare Maqedonia e Veriut qëndron më mirë në rrugëtimin e saj drejt BE-së, sesa Shqipëria. Por a është Shqipëria pengesë për anëtarësimin e vendit në BE? Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi thotë se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE është sfida më e rëndësishme në këtë mandat të ri të shumicës së re qeverisëse. Sipas tij, këto do arrihen vetëm nëse ka komunikim të duhur midis pushtetit dhe opozitës. Lidhur me atë se a e mbanë Shqipëria peng anëtarësimin e vendit në BE, kryeparlamentari Xhaferi konsideron se kjo tezë nuk mbanë për arsye se që dyja vendet janë të pavarura dhe sovrane.
“Ne nuk e kemi atë bindje që Shqipëria mban peng Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ne jemi dy vende të pavarura, sovrane të cilat kanë rregullat individuale shtetërore dhe të dy vendet kemi obligimet tona kundrejt përcaktimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Xhaferi.

Analistja e zhvillimeve euro-integruese nga Tirana, Doriana Metollari vlerëson se rrugëtimi që ka bërë Shqipëria dhe Maqedonia për t’iu integruar ka qenë i njëjtë si ai i vendeve të tjera. Sipas saj që të dy vendet kanë plotësuar te njëjtat kushte. “Rrugëtimi që ka bërë Shqipëria dhe Maqedonia për t’iu integruar ka qenë i njëjtë si ai i vendeve të tjera, ne kemi plotësuar te njëjtat kushte, dhe po merremi me pengesat tona te brendshme, ashtu si shtet e tjera. Nuk është vetëm optimizmi ynë ne vetvete, është lufta, janë betejat që kemi bërë, sfidat qe i kemi kaluar me sukses. Para BE-së ne flasim njëzëri nuk ka ndarje mes forcave politike kur bëhet fjalë për të triumfuar për atë çfarë popujt e te dyja vendeve tona kërkojnë. Me pak fjalë, ajo çfare duam t’ju lëmë nesër fëmijëve tanë nuk është as më pak, e as më shume sesa e njëjta gjë. Evropa ka nevojë për unitet, dhe ne e plotësojmë, nuk e ndajmë BE-në, është e logjikshme”, deklaroi për KOHA, Metollari. Por, çfarë mund të ndodhë nëse Konferenca dështon? “Gjërat ndryshojnë, atëherë kur i menaxhon. Sfidat e së ardhmes kërkojnë unitet, jo ndarje. Problemi në lidhje me epideminë e tregoi këtë. Por nuk është vetëm kjo, BE i ka kapacitetet për ti afruar përfundimisht vendet dhe ne treguam se mundemi. Mund te hymë në simfoni fare mirë me gjithë situatën e re, por si çdo gjë e re kërkon besim dhe aftësi menaxhimi. Jemi më te fortë nga çfarë besojmë. Është e pamundur të mos startojë konferenca, thjesht nuk mund te ndodhë tani”, thekson ajo.

Ndërkohë, njohësi i zhvillimeve euro-integruese nga Shkupi, Ljupço Petkovski thotë se nëse dështon konferenca e parë ndërqeveritare, nuk do të ndodhë asgjë e tmerrshme. Ai vlerëson se beteja me koronavirusin madje është edhe shumë e rëndësishme se vet konferenca. “Asgjë e tmerrshme. Më shumë më frikëson nëse vendi izolohet edhe njëherë dhe të debatojmë për aksidentet dhe fatkeqësitë maqedonase-bullgare. Vështirë të parashikohet se si do të rrjedhin ngjarjet, por edhe sikur të dështojë Konferenca, pushtetit nuk i konvenojnë zgjedhje. Shumëçka varet nga kriza shëndetësore, mendoj se si janë duke vajtur punët do të stërmbushen spitalet dhe drama do të jetë shumë tragjike. Edhe pse politika ka matematikat e saj gjithnjë”, thekson Petkovski. Ndryshe nga Petkovski, analistja nga Tirana, Doriana Metollari konsideron se do të ishte një gabim i pafalshëm, si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Bullgarinë, nëse do të lejonin një luks të tillë për të krijuar një mbresë të thellë në marrëdhëniet në të cilat kanë investuar shumë. (koha.mk)