Bruksel, 11 qershor – Konfederata Ndërkombëtare e sindikatave në raportin e saj të fundit për shkeljen e të drejtave sindikale në botë, thekson se në Maqedoni “rregullisht shkelen” të drejtat e punëtorëve.
Rezultatet e Indeksit për vitin 2018 për shkeljen e të drejtave sindikale, të përgatitur nga Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave, janë globalisht shqetësuese në gjithë botën dhe se “hapësira demokratike gjithkund po ngushtohet”. Ne Evropë, tre e katërta e shteteve e kanë shkelur të drejtën e grevës, ndërsa në Itali, punëtorët ishin të ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe kërcënimeve.
Maqedonia bën pjesë në grupin e tretë ku “rregullisht shkelen” të drejtat e punëtorëve, së bashku me Shqipërinë, Bullgarinë, Gjeorgjinë, Moldavinë, Poloninë, Rusinë, Spanjën dhe Britaninë e Madhe.
Maqedonia është renditur më keq se sa në vitet e kaluara, ndërsa në raportin theksohet se Qeveria “vazhdimisht refuzon të negociojë për marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik”.
Greqia fqinje është në mesin e vendeve më keq të renditura e kualifikuar si shtet “pa të drejta të garantuara për punëtorët”, në një grup me Bjellorusinë dhe Ukrainën.
Shumica e vendeve të BE-së janë në grupin e parë ku shkelja e të drejtave sindikale janë “sporadike”.