Koncert online nga Muzeu i Luvrit

27

DJ i mirënjohur francez, David Guetta, do të mbajë një koncert në Muzeun Luvrit në Paris. Ai do të transmetohet online për shkak të Covid-19. Guetta, i cili është i njohur për bashkëpunimet e tij me artistë të njohur ndërkombëtarisht ka vendosur që në bashkëpunim me UNICEF dhe organizatën e madhe bamirësie franceze “Les Restos du Coeur”, të ofrojnë ushqim dhe veshmbathje për njerëzit në nevojë.

Po ashtu DJ ka vendosur që paratë që do të mblidhen për koncertin të shkojnë për familjet që po vuajnë në këtë periudhë të vështirë në Francë. Guetta bëri edhe një thirrje njerëzve që të pranojnë që të vaksinohen.

“Unë do të vaksinohem dhe shpresoj se njerëzit do ta bëjnë atë gjithashtu sepse nuk shoh mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë”, ka thënë Guetta për Reuters. David shpreson 2021 do të jetë fundi i pandemisë dhe nëse kjo ndodh do të realizojë një koncert gjigand.

Francezët janë në mesin e popujve të cilët kanë dyshime në lidhje me vaksinën anti-Covid 19. Sondazhet tregojnë se më pak se gjysma e popullatës synon që të vaksinohet. Koncerti në Paris është pjesë e iniciativës bamirëse “United at Home”, të cilën DJ e ka publikuar deri në fillim të këtij viti. Deri më tani ai ka performuar në dy koncerte bamirësie përgjatë këtij viti duke mbledhur 1.5 milionë dollarë.