Shkup, 24 korrik – Në “Verën e Shkupit” sonte prej orës 20:30 në Muzeun e Qytetit të Shkupit koncert do të kenë sopranoja Maria Euhenia Bosh, ndërsa në piano do ta shoqërojë bashkëkombasja e saj, Ana Fere. Koncerti është titulluar “Erëra nga Spanja: këngë dhe sarsuela”. Drejtoria për kulturë dhe art-Shkup e organizon në bashkëpunim me Ambasadën e Mbretërisë së Spanjës.
Sopranoja Maria Euhenia Bosh ka diplomuar në Konservatoriumin për muzikë të Sallamankës, ndërsa studimet e magjistraturës në Konservatoriumin mbretëror në Bruksel. Gjatë karrierës ka interpretuar në disa shtëpi të operës, ndërkaq krahas operave, në repertoarin e saj shpesh ka edhe oratoriume. Interpreton edhe si muzikante kamertale me numër të madh të interpretuesve të njohur dhe ansambleve në Francë, Itali, Zvicër, Austri, Gjermani, Rusi, Poloni dhe Amerikë.
Pianistja Ana Fere, ndërkaq, rrjedh nga një familje e njohur muzikantësh. Pianon dhe muzikën kamertale i ka mësuar në Konservatoriumin në vendin e lindjes, Zhirona dhe në Barcelonë. Ka diplomuar me nota më të larta dhe ka marrë diploma të rangut më të lartë për piano dhe muzikë kamertale. Rregullisht ka interpretuar si muzikante kamertale në përbërje me artistë të njohur të muzikës, por nuk e ka lënë anash as veprimtarinë solistike, duke bashkëpunuar me orkestra të ndryshme në disa vende të botës.
Muzikantet spanjolle në koncertin e “Verës së Shkupit” do të interpretojnë vepra nga Enrike Granados, Federiko Mompu, Hoakin Turina, Manuel de Falja, Pablo Luna…