Shkup, 30 dhjetor – Në Qendrën Informative Kulturore, të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Sofje, sot do të mbahet “Koncerti i Vitit të Ri”, të Shkëlzen Baftiarit (piano), Besiana Mehmedi (mecosopran) dhe Shkodran Tolaj (tenor). Në programin e koncertit janë kompozicione të njohura të muzikës klasike, njofton KOHA.
Baftiari ka marrë pjesë në shumë koncerte në Maqedoninë e Veriut dhe vendet tjera. Është fitues i shumë garave ndërkombëtare (Bllagoevgrad dhe Pllovdiv – Bullgari, Romë dhe Torino – Itali, Paris – Francë) dhe gara të zhvilluara në Maqedoninë e Veriut (Strugë). Recitalet e tija janë prezantuar në Shkup, Ohër, Prishtinë, Tiranë, Sofje, Beograd dhe ka marr pjesë si solist në Filarmoninë e Maqedonisë së Veriut, Filarmoninë e Qytetit në Londër, Orkestrën e Filarmonisë së Kosovës, Orkestrën e RTSH-së në Shqipëri, si dhe Orkestrën Simfonike të Fakultetit të Muzikës dhe Arteve në Shkup.
Emri i Besiana Mehmedit, numërohet në mesin e këngëtarëve më të njohura shqiptare. Ajo është e njohur edhe si profesoresh e muzikës, publiciste, radio reportere dhe prezantuese ne media. Fituese është e shumë çmimeve muzikore dhe është e përfshirë në riprodhimin dhe interpretimin e disa hiteve popullore shqiptare. Ajo po ashtu ka shumë interpretime nga sfera e muzikës klasike. Kohë më parë publikoi disa solo interpretime, përfshi edhe “StabatMater”, në Shkup dhe Tetovë, koncert me muzikë shqipe të kompozuara në Tetovë, koncert me muzikë klasike evropiane në Gostivar.
Tolaj është tenor, i cili përveç roleve të mëdha botërore në operë, i ka prezantuar me shumë sukses edhe veprat bashkëkohore. Ka bashkëpunuar me Filarmoninë “Orso”, në Gjermani, ku e ka realizuar rolin Barinkaj, në operën Zingeunerbaron të J.Shtraus. Ai është i përshkruar nga gazetat gjermane si vokal i madh dhe i rrallë, i cili lë mbresa me zërin e tij të ardhur nga një shtet i vogël evropian (Kosova). Vite me radhë ai po e jep kontributin e tij edhe në jetën artistike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. (koha.mk)