E lodhur nga ecejaket e shpeshta nga baza poshtë në kupolën lart, e lodhur me ndërhyrje, me mitmarrje, me shantazhe, dhe sidomos e frikësuar deri në palcë nga kërcënimi i rënies nga pushteti, kjo parti “finoke” kërkon që shqiptarët t’i asimiloj, shkrij, asgjësoj ose sllavizoj, ashtu dhe turqit, bullgarët, romët, vllehët, torbeshët, egjiptianët e çdo etni që jeton në Maqedoni
Nga Dr.Arben TARAVARI
Ka nisur fushata presidenciale, si në çdo fushatë politike çdo gjë është shumë dramatike, ankthioze dhe deri diku tërheqëse njësoj si një ndeshje futbolli me përmasat e një finaleje të kampionatit botëror.
Nuk e ekzagjeroj aspak kur metaforizoj me futbollin, pasi ne ballkanasit jemi tifozë në politikë, kemi një qasje romantike ndaj ligjit dhe aleatëve të tij, madje nëse ligji nuk na pëlqen e injorojmë haptazi, ky fenomen mund të përkufizohet si “romantizëm ligjor ballkanik”. Një nga aspektet më interesante të këtij fillim fushate është thirrja me të cilën kandidati për President që propozon BDI-ja i drejtohet popullit. Ai bën thirrje për një shoqëri të bashkuar, duke e çuar në kasap praninë shumë shekullore të etnive që formojnë dhe banojnë këtë shtet, e duke na trumbetuar vetëm në një gjuhë, vetëm në një kryeetni, dhe etnia e zgjedhur ku BDI-ja dhe Pendarovski propozojnë të konvertohemi është ajo maqedonase.
Ashtu si shkarazi kandidati i BDI-së, z.Pendarovski përmend se rrugën për në NATO dhe BE duhet t’a bëjmë “Së bashku”, nën emrin e Maqedonisë së Veriut. Profesori maqedonas që BD na udhëzon t’a votojmë si President, na fton që t’i besojmë konceptit me kontekst të fortë nacionalist si është “Një Shoqëri për të Gjithë”…këtë apel e bën në gjuhën maqedonase, nën flamurin maqedonas, duke harruar ditën për diell realitetin që e mban në këmbë këtë shtet. Maqedonia e Veriut është një shtet multi-etnik, e mbi të gjitha shqiptarët, që BDI-ja i quan 20%, janë faktorë në ekzistencën e brishtë të këtij shteti. Me formulën e vjetër aq sa padrejtësia dhe shovinizmi disa shekullor ndaj shqiptarëve, pra me thirrjen që të injorojmë diversitetin etnik që ka ky vend, Pendarovski i BDI-së na zeron, na kthen nga 20% në 0%.
Ku është e parë e dëgjuar që në emër të përparimit të mohohen dhe shuhen kombe?! Ky kandidat edhe pse e njeh nga afër sensibilitetin e lartë që ka trajtimi i çështjes multietnike në një vend që nuk ka as 20 vjet që ishte në luftë, del dhe haptazi fut konceptin: Poshtë kombet! Rroftë Maqedonia e Veriut! Lufta e cila u bë nga udhëheqësi tashmë i partisë që e kandidon, synonte dikur që shqiptarët të njiheshin si të barabartë, kurse sot që në vend të pushkës mbajnë pena, dalin dhe bëjnë fushatë anti-shqiptare! Kush mund t’a imagjinonte një ndryshim kaq drastik në konceptet e z.Ahmeti dhe partisë së tij?!
Në 2001-in drejtonte pushkën kundër maqedonasve e sot nxjerr si kandidat për President pikërisht një maqedonas, e për më tepër që mohon etnitë, kombet të cilët formojnë Maqedoninë e Veriut. Këto shkrirje në një emër të përbashkët janë të njohura si asimilim i mirëfilltë i kombeve dhe traditave të tyre. Si duket plani për të na asgjësuar qenka i mirëmenduar dhe i paska rrënjët shumë më të thella se ç’supozon truri ynë. Në fillim u përcaktuam jo si shqiptarë por si “20%-a”, kurse tash as si të tillë.
Tash na mungon një ligj ku të na hiqet dhe e drejta e votës dhe të bëhemi njësoj si skllevërit e kohës antike, që mund t’i shisje, blije apo vrisje kur të doje dhe në de facto jemi, por si duket BDI-ja kërkon që skllavërimi i shqiptarëve të bëhet zyrtar. E lodhur nga ecejaket e shpeshta nga baza poshtë në kupolën lart, e lodhur me ndërhyrje, me mitmarrje, me shantazhe, dhe sidomos e frikësuar deri në palcë nga kërcënimi i rënies nga pushteti, kjo parti “finoke” kërkon që shqiptarët t’i asimiloj, shkrij, asgjësoj ose sllavizoj, ashtu dhe turqit, bullgarët, romët, vllehët, torbeshët, egjiptianët e çdo etni që jeton në Maqedoni. BDI-ja dhe kandidati i saj z.Pendarovski luajnë modernizmash ndërkohë që dihet qartë se koncepti “një shoqëri për të gjithë” është i dështuar pasi është provuar se ishte pikërisht kjo moto që njësoi gjuhën nëpër shkolla, duke bërë një nga krimet më të mëdha ndaj shqiptarëve, si ishte mohimi i gjuhës amtare!
Ndërkohë që z.Blerim Reka, kandidati që e mbështet populli dhe opozita, nuk kërkon të shpikë rrotën, po kërkon të sjellë atë që është shumë e vonuar në vendin tonë: REPUBLIKËN! Koncept i cili është elaboruar para erës sonë ose si do të shpreheshin latinët: Ante Christum natum! Mirëpo Republika e Rekës që garanton të Ligj për të Gjithë, Drejtësi, Barazi dhe respekt të njëjtë për çdo etni, çuditërisht nuk ka mundur të krijohet nga asnjë president deri tash, duke bërë të njëjtën gafë të rëndë politike: injoruar multi-etnicitetin e Maqedonisë së Veriut! BDI-ja na propozon rrezikun e regjimeve të shkuara se kështu ja kërkon halli, ajo kërkon që idealistët, ata që kanë mbetur ende e që nuk largohen prej këtu, na quan 20%, tash na bën të verbër me dorë duke vazhduar me misionin e saj eleminiues, na thotë se kandidati i tyre që flet një gjuhë të vetme (maqedonisht) do votuar se do të punojë që të gjithë të kenë të drejta të barabarta si qytetarë të Maqedonisë së Veriut, me fjalë të tjera, sipas BDI-së tash ka ardhur epoka e ndërrimit të emrit nga shqiptarë në qytetarë…gjithnjë sipas z.Pendarovski dhe partisë së tij BDI, nëse shkojmë në NATO, e nëse na pyesin nga jemi, atëherë përgjigjja do të jetë kështu: Jovani do thotë jam maqedonas, kurse Genti do thotë jam qytetar…dhe nëse Genti thotë që është shqiptar fis e farefis, askush nuk do ta besojë De Jure që nuk jeton në Shqipëri, pasi tashmë në Maqedoninë e Veriut sipas BDI-së dhe z.Pendarovski nuk ka shumë etni, por ka vetëm Shoqëri!
Sipas ofertës BDI-LSDM-Pendarovski i bie që me 21 mars të shkojmë të heqim dorë nga kombësia jonë! Zoti mos e dhëntë!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)