Mr. Festim POLLOZHANI
Është evidente se politika dhe raportet në skenën politike në Maqedoni kanë evoluar, krahasuar me politikën në vitet e 90’. Te „Libri i fluturave“, Surroi bën një përshkrim të pozitave politike, gjegjësisht në një moment përshkruan takimin e përfaqësuesit politik shqiptar (kryetarin) e të vetmes parti shqiptare në atë kohë, me presidentin maqedonas. Në këtë takim, më shumë se naiviteti politik i shqiptarëve del në pah dinakëria politike maqedonase, thënë kushtimisht, sa i takon vullnetit politik për të bërë marrëveshje lidhur me barazimin e pozitave në skenën politike, dhe rrjedhimisht në atë sociale, ekonomike, kulturore dhe kështu me radhë. Përshkrimi i liderit politik shqiptar, i veshur me pantallona të zeza dhe këmishë të bardhë duke e krahasuar atë më një veshje kamarieri (ironi paksa e tepruar), me një tufë fletësh në duar, ku ishin artikuluar kërkesat e shqiptarëve, për barazi dhe progres të pozitave shqiptare si një popull me status në Maqedoni do të ballafaqoheshin me një mikpritje gati të tepruar vëllazërore të presidentit maqedonas – dhe pas kësaj mikpritje fshihej një tendencë që në momentin e parë të takimit të impononte një temë tjetër fare diskutimi, krejtësisht dytësore, në këtë rast ndërtimin e një hidrocentrali afër vendlindjes së përfaqësuesit (liderit) politik shqiptar të asaj kohe, dhe në fund të takimit duket se ishte arritur qëllimi, ishin lënë në plan të dytë kërkesat politike shqiptare, të anashkaluar për dy arsye: nga naiviteti politik shqiptar që u mashtrua nga pritja vëllazërore, dhe nga dinakëria politike maqedonase e maskuar me mikpritje vëllazërore.
Afër mendsh, sot konstelacionet politike kanë ndryshuar, edhe faktori ndërkombëtar është i interesuar për ruajtjen e një stabiliteti politik në Ballkanin Perëndimor, duke praktikuar politikën e fqinjësisë së mirë, dhe raportet e mira ndëretnike, element i spikatur ky për Maqedoninë. Shqiptarët duhet të jenë faktor stabiliteti, të gatshëm për bashkëjetesë në Maqedoni, jo vetëm me maqedonasit (si kategori e njohur si shtetformues nga Kushtetuta), por edhe me turqit, serbët, vllahët dhe pakicat tjera. Pra, raportet shoqërore brenda një shteti i rregullon Kushtetuta si akt më i lartë juridik, shprehje kjo e përsëritur me mijëra herë. Pyetja është se, a i trajton Kushtetuta të gjithë popujt në mënyrë të barabartë?! Shqiptarët si etni shtetformuese (bazuar mbi të dhënat mbi regjistrimin e popullsisë, por edhe tendencën për evitimin e regjistrimit të ri), a janë të barabartë me maqedonasit?! Prezenca shqiptare vërehet me një varg komunash me shumicë shqiptare, nga Struga në Kumanovë, atëherë, cila është logjika e trajtimit të tyre si qytetarë të rendit të dytë?!
Nuk janë të barabartë me kushtetutë, të paktën jo në mënyrë shprehimore. Për ta zbutur këtë paradoks (në mungesë të ndonjë termi të ngjashëm më të butë) kohëve të fundit po promovohet teoria e konceptit qytetar. Në fakt kjo teori filloi të promovohet para zgjedhjeve të fundit parlamentare, me ç’rast shumë vota të qytetarëve shqiptar shkuan për parti maqedonase, por pse kjo nuk ndodhi edhe anasjelltas!? E njëjta teori u promovua me gjasë edhe në zgjedhjet lokale, ku si rezultat një komunë me shumicë shqiptare, u fitua nga një parti maqedonase, me kandidat shqiptar. Disa e cilësuan këtë veprim „marrje të kalasë nga brenda“.
Nuk dua të bëj krahasime hipotetike, se çka nëse kjo tendencë zgjerohet në të ardhmen, sepse besoj se gjendja faktike me shumicë shqiptare nëpër komuna nuk do të lejojë që marrja e kalasë nga brenda të përsëritet. Unë kam frikë nga dinakëria e „mikpritjes vëllazërore“ si shembulli në fillim të këtij shkrimi, sepse nuk besoj në marrëveshjet e pa shkruara. Përtej kësaj, promovohet që koncepti qytetar të jetë teori më e gjerë e integrimit (që ka për qëllim edhe integrimin në strukturat euro – atlantike) e cila do ti trajtojë të gjithë qytetarët njëlloj, pa marrë parasysh përkatësinë etnike, fetare, racore e kështu me radhë. Shumë mirë deri këtu, por non-sensi paraqitet kur vjen në shprehje fakti se shqiptarët si etni më e madhe në këtë shtet kanë status, janë shqiptarë, element të cilin tenton ta zbehë edhe Kushtetuta. Dakord, teoria e konceptit qytetar është më e gjerë dhe më largpamëse se kaq, por së këndejmi, në rast të çfarëdo tendence për manipulim, efektet mund të jenë shumëdimensionale. Nëse shqiptarët do trajtohen si „qytetarë“, apriori lindin disa pyetje:Të drejtat e „qytetarëve“ a do garantohen me Kushtetutë?! A do zyrtarizohet gjuha “qytetare”?! Po komunat me shumicë “qytetare”, a do ju mbesin “qytetarëve” shumicë?! A do zyrtarizohet gjuha “qytetare” në nivel qendror? Me çfarë flamuri do përfaqësohen “qytetarët”?! Më falni, cili shtet multietnik i botës ua garanton qytetarëve të vetë të drejtat dhe obligimet duke i trajtuar vetëm si “qytetarë”? A është Zvicra si model, Luksemburgu, Holanda, Belgjika ose si shtet më i ri në rajon Kosova?!
Me gjasë ky koncept është pak konfuz, për më tepër brenda këtij konfuzioni kam përshtypjen se tentohet të arrihet edhe efekt tjetër, nxjerrja në plan të dytë e partive politike shqiptare të cilat me të gjitha defektet që mund të kenë, pengesat, bile edhe infiltrimet ( e elementeve dhe strukturave të dyshimta që nuk shohin përtej interesit personal, duke veshur ndonjëherë edhe petkun e analistit) janë munduar për avancimin e statusit të shqiptarëve si etni e dytë shtetformuese më e madhe në vend. Për më tepër në një mënyrë, ose një tjetër, i të njëjtës parti që e promovon konceptin qytetar ka qenë edhe ish presidenti në fillim të tekstit, me mikpritje vëllazërore, por jo edhe me rezultate për arritjen e marrëveshjeve që njëmend do të sillnin progres dhe barazi në Maqedoni, në gjithë këto vite tranzicion. Në fund, kjo teori e konceptit qytetar në konsum të brendshëm mund të arrijë implementim deri në njëfarë mase, përtej kësaj edhe mund të manipulojë në periudhë afatshkurtër, duke tentuar bile ta bindë faktorin ndërkombëtar se bëhen përpjekje për realizimin e reformave që nevojiten për integrim në strukturat euro – atlantike. Në këtë rast, nëse koncepti qytetar është rrenë do vazhdojë avazi duke gënjyer BE-në se i marrim seriozisht reformat, dhe ata do na gënjejnë se e kanë seriozisht anëtarësimin. Një gjë është e sigurt, rrena i ka këmbët e shkurtra. (koha.mk)