Lulzim Mehmedi thotë se anëtarët shqiptarë kanë qenë pakicë dhe se, “këto çështje i zgjidh politika”. Ajshe Ajrullai arsyetohet se gjuha shqipe – për herë të parë ofrohet për t’u mësuar nga klasa IV për nxënësit joshqiptar, megjithëse si “lëndë e zgjedhur” dhe jo “e detyrueshme”. Në ndërkohë, Jasmina Dellçeva, anëtare e Grupit punues, mohon të ketë pasur vërejtje nga anëtarët shqiptar. “Me plotë bindje them që nuk ka pasur asnjë vërejtje nga anëtarët shqiptarë të grupit punues rreth gjuhës shqipe…”. Në ndërkohë, dy Fakultetet Pedagogjike, ai i UT-së dhe i Shkupit, si dhe Filozofiku i Shkupit, kundërshtojnë ashpër Konceptin, apo punën e profesorëve të tyre në Grupin punuese
Xhenur ISENI
Shkup, 1 mars – Vazhdojnë kundërshtimet e Konceptit të ri për arsim fillor, Koncept ky që tashmë ka kaluar edhe debatin publik, por vetëm me debatues të përzgjedhur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Përmirësimi i vetëm sa i takon pjesës shqiptare, konkretisht përdorimit të drejtë të gjuhës shqipe në pajtim me Ligjin e gjuhëve, është se tashmë në këtë Koncept – “gjuha shqipe” është hequr nga grafa “gjuhë e huaj”, ndërsa është shpikur termi “gjuhë të tjera”. Kuptimi mbetet i njëjtë, konkretisht gjuha shqipe për nxënësit joshqiptarë mbetet e renditur krahas gjuhë angleze, gjermane… në grafën e “lëndëve të zgjedhura” dhe jo “e detyrueshme” ashtu siç ishte premtuar nga partitë në pushtet. Dhe, derisa deri tani MASH nuk tregonte autorët e Konceptit, gazeta KOHA merr vesh se në grupin punues prej dhjetëra anëtarësh, tre kanë qenë shqiptarë: Lulzim Mehmedi, profesor i Fakultetit Pedagogjik në Universitetit e Tetovës, Forina Shehu, profesoreshë në Fakultetin Pedagogjik në Universitetin e Shkupit, si dhe Ajshe Ajrullai, udhëheqëse e Sektorit për hulumtime në Byronë për Zhvillimin e Arsimit. Që të tre janë përzgjedh me propozim të ministres Milla Carovska, ndërsa Fakultetet ku punojnë profesor Mehmedi dhe Shehu, kanë dalë kundër Konceptit.
“Aty kemi qenë pak shqiptarë në atë grup. Ne duam që gjuha shqipe të jetë sa më tepër e avancuar, por kjo është çështje politike, nuk mund ta zgjedhim ne – sepse aty jemi pakicë”. Kështu është përgjigjur profesor Lulzim Mehmedi në pyetjen e gazetës KOHA nëse anëtarët shqiptarë kanë kundërshtuar statusin e gjuhës shqipe në Konceptin për arsim fillor. Madje, fajin për këtë ua hedh përfaqësuesve shqiptarë në ekzekutiv, duke e shtuar se kjo është çështje politike dhe jo çështje e tyre. “Aty kemi qenë më pak shqiptar në atë grup. Ne duam që gjuha shqipe të jetë sa më tepër e avancuar, por kjo është çështje politike, nuk mund ta zgjedhim ne – sepse aty jemi pakicë. Te zyrtarët në pushtet e kemi përcjellë këtë çështje. Ne kemi arritur që gjuha shqipe të mos figuron në te grafa ‘gjuhë e huaj’, por gjuha shqipe të figurojë në grafën ‘gjuhët tjera’. Nuk kam pse të jap dorëheqje nga grupi punues, sepse këto çështje nuk mund t’i zgjidhim ne, por këto zgjidhen me ligj, natyrisht dhe me marrëveshje mes partnerëve të koalicionit, është çështje politike”, ka deklaruar për KOHA, Lulzim Mehmedi nga Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, njëherësh anëtarë i Grupit punues për Konceptin për arsim fillor.
Mehmedi thotë se me reagimin e anëtarëve shqiptarë, është arritur të bëhet ndryshimi i grafës “gjuhë e huaj” në “gjuhë të tjera”, ndërsa përmend se për meritë të anëtarëve shqiptarë, Grupi punues ka marrë vendim që të gjitha librat me përmbajtje diskriminuese dhe ofenduese të tërhiqen krejtësisht nga përdorimi.
OSMANI: SHQIPJA TË JETË E DETYRUESHME PËR NXËNËSIT JOSHQIPTARË
Ndërkohë, ndryshe nga profesori Lulzim Mehmedi, flet dekani i Fakultetit Pedagogjik të UT-së, Fadbi Osmani. Ai shprehet kategorikisht kundër asaj që në Konceptin e ri për arsim fillor, gjuha shqipe figuron te gjuhët e huaja apo te grafa “të tjerat”. Osmani thotë se këtë vërejtje ia ka adresuar me shkrim edhe ministres Milla Carovska, vërejtje të cilat kanë qenë në 10 pika.
“Është çështje e diskutueshme. Ne e kemi diskutuar këtë çështje dhe kemi pasur informacione dhe mbi reagimet e opinionit publik dhe të institucioneve të tjera dhe ndërkohë kemi diskutuar këtë çështje në nivel të fakultetit dhe gjithë kolegët kanë pasur mundësi të prononcohen dhe të dalin me qëndrim konkret, kështu që disa janë prononcuar, por jo të gjithë. Para datës 20 janar, unë si Dekan jam prononcuar në formë me shkrim deri te ministrja e Arsimit në lidhje me sugjerimet, vërejtjet dhe mendimet, në lidhje me konceptin e ri të arsimit fillorë. Kam shprehur mendimet personale si profesor i Pedagogjisë. Kemi thënë që reforma duhet të ketë në arsim, por gjatë Konceptit për reforma në arsim, duhet të mos shpejtohet dhe këto i kemi përfshirë në 10 pika. Për gjuhën shqipe – konkretisht kemi thënë se për shkak të kohezionit dhe statusit që ka gjuha shqipe me normat ligjore, kemi kërkuar që gjuha shqipe të mos figurojë si gjuhë e huaj, por si ‘gjuhë e mjedisit’ dhe të jetë e detyrueshme për gjithë nxënësit joshqiptarë”, thotë për KOHA, Osmani.
Ai, mes tjerash thotë se ka pasur njohuri që një profesor i Fakultetit të tij është anëtar i grupit punuesi, por që ky nuk ka qenë i emëruar nga Fakulteti. Osmani ka thënë se ka pasur disa takime me ministren Carovska dhe shpreson që kur të diskutohet për Konceptin e ri në Parlament, të merren parasysh këto vërejtje. “Kam njohuri që një anëtar i grupit punues është nga Fakulteti që unë drejtoj, por nuk është emëruar nga fakulteti. Nuk e di se nga cilat qarqe është emëruar. Kam pasur disa takime me ministren Carovska dhe i kam shprehur vërejtjet tona, e sidomos atë të gjuhës shqipe”, ka deklaruar për KOHA, Fadbi Osmani, dekan i Fakultetit Pedagogjik në Universitetin e Tetovës.
AJRULLAI E MBRON KONCEPTIN: SHQIPJA NË MARRËVESHJE ME PRINDËRIT
Ndërkaq, Ajshe Ajrullai, anëtarja e tretë shqiptare e Grupit punues për Konceptin e ri për arsim fillor, njëherësh udhëheqëse e Sektorit për hulumtime në Byronë për Zhvillimin e Arsimit, në formë të shkruar, ka thënë për gazetën KOHA se gjuha shqipe nuk trajtohet si e huaj, por si “gjuhë e bashkësisë”, megjithëse në grafën “lëndë zgjedhor” dhe jo “e detyrueshme” për nxënësit joshqiptarë. Ajrullai thotë se gjuha shqipe – për herë të parë ofrohet për t’u mësuar nga klasa IV për nxënësit që nuk e përcjellin mësimin në gjuhën shqipe, e me këtë, siç shkruan ajo në përgjigjen drejtuar gazetës KOHA, arrihet numër i barabartë i orëve për të gjithë nxënësit.
“Gjuha shqipe për nxënësit që përcjellin mësimin në gjuhe të ndryshme nga gjuha shqipe, gjegjësisht shkollat e vendosura në komuna ku përveç maqedonishtes, ekziston edhe një gjuhë e dytë zyrtare, në marrëveshje me prindërit – mund t’u ofrojnë nxënësve të mësojnë gjuhën e dytë zyrtare përmes lëndës zgjedhore ‘Gjuha e bashkësisë’ (gjuha shqipe). Nxënësit mund të zgjedhin të mësojnë gjuhën e komunitetit nga klasat IV në IX si lëndë mësimore plotësuese. Ndërsa të gjithë nxënësve që nuk vijojnë mësimet në gjuhën shqipe, pa marrë parasysh komunën ku jetojnë ose përcjellin mësimin, u ofrohet mundësia në klasën VI-IX për të mësuar gjuhën shqipe si lëndë plotësuese zgjedhore”, thotë Ajrullai, anëtare e Grupit punues për Konceptin e ri për arsim fillor. Ajo, mes tjerash, përmend se për përforcimin e ndërkulturalizmit dhe njëherësh për komunikim në gjuhen e njëri-tjetrit – në shkollat dygjuhëshe dhe tregjuhëshe, REKOMANDOHET mësimi nga gjuhë të tjera të huaja të realizohet në grupe “të përziera” të nxënësve nga gjuhë të ndryshme mësimore.
“Në këtë mënyrë, shkolla mund t’u ofrojë nxënësve të zgjedhin nga disa gjuhë të huaja dhe në të njëjtën kohë, përmes mësimit të përbashkët, të marrin kompetenca ndërkulturore. Në shkollat ku mësimi zhvillohet në dy ose tre gjuhë, të paktën gjysma e lëndëve zgjedhore të lira realizohen me grupe të ‘përziera’ të gjuhëve të ekuilibruara nga gjuhë të ndryshme mësimore (përveç këtyre shkollave që arrijnë shumëgjuhësh përmes shkollave rajonale që janë në përbërje të tyre). Kjo do të thotë që, kur nxënësit shqiptarë fillojnë me mësimin e gjuhës maqedone, nxënësit maqedonas, turq… etj përzgjedhin për ta mësuar gjuhën shqipe prej klasës së IV, gjegjësisht prej klasës së IV në të gjitha komunat”, shkruan Ajrullai. Megjithatë, puna në shkolla ka treguar tashmë se gjuha shqipe, për të mos thënë aspak, nuk është zgjedhur si lëndë zgjedhore nga nxënësit joshqiptare, pasi e njëjta vetëm se REKOMANDOHET, por nuk është e detyrueshme në pajtim më Ligjin për gjuhët dhe në komunat ku shqiptarët janë më shumë se 20 për qind.
DELLÇEVA: KONCEPTI U VOTUA EDHE NGA ANËTARËT SHQIPTARË
Megjithatë, deklaratat e anëtarit të grupit punues, Lulzim Mehmedi, se në mbledhje kanë paraqitur ankesa sa i përket gjuhës shqipe si “gjuhë e huaj”, i kundërshton kolegia e tij në këtë grup, Jasmina Dellçeva – profesoreshë e Fakultetit Filozofik të Universitet të Shkupit. Ajo për gazetën KOHA shprehet se për Konceptin e ri të arsimit, sidomos në statusin e gjuhës shqipe, nuk ka pasur asnjë vërejtje nga anëtarët shqiptarë të grupit punues dhe se të njëjtit – kanë dhënë pëlqim.
“Unë e mbështes tërësisht Konceptin e ri për arsim fillor. Me plotë bindje them që nuk ka pasur asnjë vërejtje nga anëtarët shqiptarë të grupit punues rreth gjuhës shqipe që është vendosur si ‘gjuhë e huaj’. Domethënë, ata kanë mbështetur Konceptin ashtu siç është, por tani është bërë një ndryshim i vogël rreth çështjes së gjuhës shqipe, që vlerësoj që ky ndryshim është më i keq seç ishte zgjidhja e parë. Megjithatë, tani është kjo çështje politike”, ka deklaruar për KOHA, Jasmina Dellçeva. Duke komentuar lëndët e përbashkëta, ajo tregon se tanimë nuk ekziston lënda e Gjeografisë, ndërsa pas miratimit përfundimtar, do të vendoset lënda “Histori dhe Shoqëri”.
Megjithatë, njëjtë sikurse te rasti i anëtarit Lulzim Mehmedi, ku Fakulteti Pedagogjik i UT-së kundërshton Konceptin, edhe Fakulteti ku ligjëron Dellçeva, ka dalë kundër këtij Koncepti. Fakulteti Filozofik i Shkupit në disa pika ka kundërshtuar ashpër projektin e MASH-it, ndërsa e ka vlerësuar si të parealizueshëm dhe që shkakton probleme shtesë në arsimin fillor. Madje, Dekanati i Fakultetit Filozofik në Shkup thotë se Koncepti ka shumë lëshime dhe nuk paraqet realitetin shoqërorë në Maqedoninë e Veriut.
“Fakulteti Filozofik vlerëson se Koncepti përmban mospërputhje didaktike dhe metodologjike dhe zgjidhje që nuk korrespondojnë me realitetin edukativo-arsimorë në shtet, me të cilën implementimi i Konceptit mund të shkaktojë probleme shtesë në sferën e arsimit. Propozimi nuk përmban një konstruksion financiar të reformave të parapara, as që janë dhënë në analizë rezultatet nga hulumtimet e kaluara dhe anketat të cilat arsyetojnë modelin e propozuar për reforma në arsim në shtet. Është e duhur që të mundësohet një kornizë më të gjatë kohore për krijimin e një reforme kualitative në arsimin fillorë në të cilën do të merren parasysh komplikimi i gjithë proceseve për implementimin e mëtutjeshëm si dhe mendimi kritik gjithë faktorëve relevant”, thuhet mes tjerash në reagimin e Fakultetit Filozofik ndaj konceptit për arsim fillorë.
SULEJMANI: NUK MUND TË GJESH NJË REFORMË ARSIMORE QË PËRGATITET PËR 4-5 MUAJ
Konceptin ndërkohë e kundërshton edhe Fakulteti Pedagogjik i Shkupit. Ndryshe nga anëtarja shqiptare grupit punës, Florina Shehu, shprehet Dekani i Fakultetit, Emil Sulejmani. Në një deklaratë për gazetën KOHA, Sulejmani thotë se ky Koncept është i papranueshëm për shkak të, fillimisht – mungesave esenciale dhe ndryshimeve rrënjësore arsimore që i përmban në vete. Ai shprehet se si institucion, me një traditë me shumë se shtatë dekada, nuk kanë qenë të konsultuar dhe të ftuar ne ekipin e ministres që të përpilojnë elemente dhe komponente arsimore profesionale që korrespondojnë me shoqërinë ku jetojmë.
“Së pari, është e papranueshme të integrohen lëndët Arsimi Muzikor me atë Figurativ për arsye se humb elementi edukativ tek nxënësit, si dhe zvogëlohen orët mësimore me çka zvogëlohen kompetencat të cilat duhen të fitohen të nxënësit. Së dyti, fuzioni i lëndës së Historisë me lëndën e Shoqërisë është i papranueshëm për arsye se devalvohen njësite mësimore dhe mënyra e transmisionit të njohurive dhe diturive që i përmbajnë këta lëndë. Pyetja parashtrohet se si do të notohen nxënësit, ku dihet se jo gjithë nxënësit posedojnë njohuri dhe shkathtësi të njëjta për lëndët e lartpërmendura dhe se cilat mekanizma do ti përdorin arsimtaret për përfundimin e notës”, thotë Dekani i Pedagogjikut në Shkup, Sulejmani. Nuk ka shembull në shoqëritë e zhvilluara evropiane dhe botërore, thotë ai, ku një Koncept arsimor përgatitet brenda katër apo pesë muaj dhe të vihet në funksion pa opsionin e pilotimit dhe pa trajnim adekuat dhe profesional të arsimtarëve. Në ndërkohë, përkundër tentimeve, gazeta KOHA nuk arriti ta kontaktojë anëtaren tjetër shqiptare të Grupi të punës, njëherësh profesoreshë në Pedagogjikun e Shkupit, Florina Shehu, e cila është e njohur si anëtare në disa grupe punuese kur bëhet fjalë për reformat në arsim.
Ndryshe, kundër Konceptit për arsim fillor kanë dalë partitë opozitare shqiptare, ndërsa është kundërshtuar edhe nga Lidhja e Arsimtarëve dhe ekspertë tjerë të arsimit. Para disa javëve, edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve i ka nisur me shkrim vërejtjet ministres Carovskës, ndërsa kërkohet që “gjuha shqipe” të jetë “e detyrueshme” për nxënësit joshqiptarë, gjithmonë në pajtim me Ligjin për gjuhët. Pa qëndrim konkret deri tani ka mbetur vetëm Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila në fushatën e fundit parazgjedhore, e premtoi gjuhën shqipe si gjuhë të detyrueshme në shkollat fillore njëjtë sikurse nxënësit jomaqedonas e kanë të detyrueshëm gjuhën maqedonase.
Për të shtuar reagimet kundër këtij Koncepti, ishte deklarata e kryeministrit Zoran Zaev, i cili muaj më parë tha se, “lëndë zgjedhore” në këtë Koncept do të vihet edhe gjuha serbe”, ndërsa në opinion u komentua se shqipja do të barazohet edhe me gjuhët e pakicave në vend. Dhe, duke marrë parasysh se me Konceptin e ri do të kemi më shumë se 20 lëndë zgjedhore, probabiliteti për ta zgjedhur nxënësit joshqiptarë gjuhën shqipe si lëndë të zgjedhur, është shumë i vogël, ose aspak. Me këtë, barazimi i shqipes me serbishten nuk respekton realitetin e ri shoqëror në pajtim me Ligjin e përdorimit të gjuhëve dhe përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri për të gjithë qytetarët. (koha.mk)