Shkup, 22 tetor – Shkëndija ka menaxhuar të fitojë tre pikë në transfertën me Vardarin në takimin e xhiros së 10-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. Emini dhe Ibraimi shënuan nga një gol në fund të secilës pjesë për fitore 2:0 të Shkëndijës dhe disfatë të parë për liderët aktual në këtë sezon. Triumfi ngushton diferencën dhe tanët tashmë i afrohen në katër pikë kreut dhe fitorja e sotme përveç pikëve sipas trajnerit Qatip Osmani ka vlerë të madhe për vetëbesimin e skuadrës.
“Sigurisht se jemi shumë të kënaqur me fitoren dhe për këtë duhet përgëzuar futbollistët për lojën e treguar dhe triumfin e merituar”, thotë Osmani për faqen e klubit, transmeton gazeta KOHA.
“Pauza dy javore në kampionat na bëri mirë pasi e shfrytëzuam për t’u konsoliduar. Ishim të vetëdijshëm për rëndësinë e kësaj ndeshje, duke u përgatitur edhe psiqikisht, kështu që ishim të gatshëm në të gjitha aspektet për të fituar këtë duel”, shtoi më tej ai.
Për shefin e stafit teknik vendimtar në arritjen e fitores ishte koncentrimi që tregoi skuadra gjatë gjithë takimit.
“Angazhimi i futbollistëve ishte vendimtar për fitoren e sotme. Përveç dy golave ne krijuam edhe shumë shanse për të shënuar. Gjatë 90-të minutave ishim konstantë dhe nuk rrezikuam të pësojmë gol. Me rëndësi ishte se Shkëndija luajti 90-të minuta dhe ishim gjithë kohën të koncentruar.“Kriza që kishim në rezultate imponon presionin jo vetëm për futbollistët, mirëpo ne kemi punuar të koncentuar me besim në forcat tona dhe sot dëshmuam se dimë të menaxhojmë edhe me situata të pavolitshme”.
Për trajnerin kuqezi triumfi ndaj Vardarit duhet shfrytëzuar për vazhdimësi dhe moral për sfidat që pasojnë.
“Kjo fitore sjell vetëm tre pikë dhe kampionati vazhdon njejtë, por nëse analizojmë situatën ky triumf besoj në ndeshjet e ardhshme do të ndikojë në ngritjen e vetëbesimit që na ka munguar në ndeshjet e kaluara“, përfundoi Qatip Osmani.