Kryetari i Komunitetit mysliman shqiptar, Bujar Spahiu reagoi lidhur me ngjarjen serioze që ndodhi në xhaminë “Dine Hoxha” në Tiranë, ku besimtarët u therën me thikë nga një 34-vjeçar.
Përmes publikimit në rrjetet sociale, Spahiu ju bëri thirrje organeve kompetente që sa më shpejtë ta “zbardhin këtë ngjarje që i lëndoi besimtarët në këto ditë të Ramazanit”.
Ai thotë se është informuar nga Myftiu i Tiranës, Lauren Luli, nga mediat, por në detaje nga imami i xhamisë Ahmed Kalaja, si edhe dëshmitarë okularë të cilët kanë vërtetuar se sulmuesi nga rruga ka hyrë në xhami dhe ka filluar të sulmojë duke i plagosur besimtarët dhe personelin e objektit të kultit.
“Fatmirësisht të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Personi është në duart e forcave të rendit. Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani”, shkroi Spahiu.
Sipas informatave të fundit nga spitali në Tiranë të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën ndërsa ndaj njërit prej të plagosurve, i cili ka pasur plagë të thellë në pjesën e barkut është kryer ndërhyrje operative.