Nga: Agron Beqiri
Si përmbledhje, në shkrimin tim të fundit u mundova të theksoj rëndësinë e përforcimit të kapaciteteve administrative dhe institucionale dhe nevojën për ruajtje dhe kujdes të vazhdueshëm nga ana e shtetit. Po ashtu, nevojën e krijimit të politikave nacionale me qëllim të pengimit të largimit të kuadrit profesional dhe me përvojë administrative drejt sektorëve privat apo organizma ndërkombëtar të huaj, dhe më shqetësuesja e viteve të fundit ndoshta është ballafaqimi i shtetit me ikjen e trurit nga vendi dhe nevoja imediate që kjo dukuri të kthehet në favorin e shtetit, d.t.th transferimi nga “brain drain” në “brain gain” sepse faktori njeri ka potencial të sjell ndryshime pozitive në shoqëri dhe në shtet përmes ideve, inovacionit dhe modeleve të ndryshme perëndimore. Këto ishin disa nga mesazhet kryesore përçuese.
Në paragrafin e fundit të shkrimit theksova se komunat luajnë rol të rëndësishëm në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian duke qenë hallka e pandashme e këtij procesi.
Në shkrimin e radhës në pika të përgjithshme pikërisht do përqendrohem tek rëndësia e zhvillimit dhe përforcimit të pushtetit lokal përmes disa rekomandimeve si dhe nevoja e angazhimit të komunave drejt absorbimit të fondeve IPA, Programeve të Unionit ku komunat mund të marrin pjesë në shumicën prej tyre edhe atë në( Erasmus plus, Evropa për qytetarët, Kulturë dhe Media, Jetë plus, Programi për punësim dhe inovacione sociale, Kosme, programi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, Horizont 2020 etj), pastaj Programi Transnacional për vendet e Evropës juglindore e shumë tjera. Gjitha këto janë të qasshme për komunat, por sa shfrytëzohen nga të njëjtat është çështje debati dhe hulumtimi.
Nëse analizojmë situatën e përgjithshme në gjithë njësitë e vet qeverisjes lokale, mund të konstatojmë se të gjitha, disa më pak e disa më shumë ballafaqohen me mungesë kuadri profesional dhe cilësor, jo të trajnuar mirë dhe në mënyrë adekuate, ballafaqimi me kapacitete të limituara njerëzore dhe financiare që shpien deri në mosplotësimi dhe mos realizim të programeve vjetore, mungesa e theksuar e strategjive dhe planifikimeve afatgjate për zhvillimin e komunave si dhe shumë mungesa dhe mangësi të tjera.
Parashtrohet pyetja si të dalin komunat nga kjo katrahurë që duket s’ka rrugëdalje?!! Çfarë duhet të ndërmerret që komunat të kenë “bumin e tyre reformues”?!
Është përgjigje e vështirë dhe formulë magjike nuk ka dhe nuk besoj se mund të ketë, por, mendoj se, përmes një qasje, vëmendje serioze dhe të përkushtuar të aktorëve lokal dhe qendror dhe përmes kyçjes të institucioneve evropiane, delegacioneve të BE-së, donatorëve ndërkombëtarë, organizatave jo-qeveritare, sektorit të biznesit etj, besoj se komunat do konsolidohem, përforcohen dhe do orientohen drejt programeve zhvillimore dhe drejt transformimit të tyre pozitiv.
Ashtu siç një shtëpi që ndërtohet nga themeli d.t.th, nga poshtë e lart, ashtu edhe politikat ndërtuese të një shteti duhet të hartohen nga poshtë -lart (bottom up).
Harmonizimi i legjislacionit evropian me atë vendor nuk ka të bëjë vetëm me institucionet qendrore, ministritë e ndryshme, kuvendin dhe qeverinë, por gjithashtu ajo ka të bëjë edhe me institucionet lokale. Sa për ilustrim do përmend disa nga sektorët ku komunat kanë prekje të drejtpërdrejt me nomenklaturën ligjore të BE-së duke filluar nga sektori bujqësor, atë të mjedisit jetësor, transportin, politikat sociale, sundimin e ligjit, zhvillimin rajonal, politikat arsimore lokale e etj.
Duke u bazuar në këtë, është e rëndësishme të hartohen dhe futen politika zhvillimore fleksibile në favor të komunave me qëllim të përafrimit dhe modernizimit me vendet anëtare të BE-së. Dhe në këto politikat zhvillimore BE-ja, institucionet evropiane si dhe ato vendore duhet të luajnë rolin kryesor duke futur iniciativa të reja përmes programeve të ndryshme financiare. Si???
1. Duke ofruar mbështetje drejtpërdrejt përmes fondeve dhe granteve, qoftë si IPA grante apo fonde nga programet e tjera, këtu si shembull do përmend IPA grantin që iu ofrua komunave për infrastrukturë rurale me shumë prej mbi 20 milion euro ku si qëllim kishte përmirësimin e shërbimeve komunale dhe që ishin të dedikuara për investime në projekte infrastrukturore edhe atë: ndërtimin dhe rregullimin e rrugëve, kanalizime, objekte kulturore dhe turistike, furnizim me ujë etj;
2. Përfshirja e komunave në planifikimin dhe programimin e IPA programit, jo vetëm në atë ndërkufitare;
3. Të rimodelohet IPA III duke përfshi buxhet të definuar edhe për komunat. Kështu komunat përshpejtojnë reformat dhe i largojnë problemet dhe sfidat dekadëshe;
4. Qeveria në bashkëpunim me ministrinë e VL dhe Delegacionin e BE-së të ofrojnë shpërblime( performance award) të përkthyera në projekte konkrete duke u bazuar në performancën gjashtëmujore ose njëvjeçare të komunave (kjo metodë është e aplikueshme në Kosovë dhe është efektive). Edhe këtu efektet do jenë të mëdha dhe të shumta sepse kështu komunat rritin transparencën, llogaridhënien, zyrtarët bëhen më përgjegjës dhe më të hapur ndaj qytetarëve;
5. Duke pasur parasysh kapacitetet e limituara financiare të komunave, çështja e kofinancimit të projekteve të mbështetet nga ndonjë donator i tretë ose nga vetë financuesi, pse jo dhe nga Qeveria. Pra, një model i ri duhet të gjendet patjetër;
6. Mungesa e komunikimit dhe koordinimit me aktorët qeveritar dhe ato evropian duhet të formatohet dhe avancohet. Sidomos është e nevojshme komunikim intensiv dhe i vazhdueshëm me institucionet e BE-së ku institucionet lokale do njoftohen rreth politikave lokale, programeve dhe mjeteve që mund ti kenë në dispozicion. Pra, e nevojshme është një zyrë me lokacion në kryeqytetin Evropian cila do ketë rolin e informimit në kohë rreth risive dhe mundësive lokale, me theks të veçantë fondeve që ofrohen;
7. Gjithashtu, duke pasur parasysh rëndësinë që kanë komunat në procesin integrues, është e nevojshme të parashihet hapja e zyrës për informim të njohura si (EU desks), që për qëllim do kenë informimin e qytetarëve rreth politikave evropiane, programeve dhe mundësive që ofron BE-ja;
8. Rritje e kapaciteteve administrative lokale përmes trajnimeve të vazhdueshme që ofrohen qoftë nga BE, Qeveria apo OJQ. Këtu preferohet të alokohen mjete nga buxheti komunal në nivel vjetor. Nëse kemi administratë lokale të trajnuar dhe profesionale komunat nuk do kenë nevojë për konsultant apo ekspert të huaj të cilët nuk mund të menaxhojnë veprimtarinë e tyre të përkohshme më mirë se një administrator i brendshëm lokal, sepse ambientin komunal e ka të panjohur. E dyta, një administratë lokale e trajnuar është resurs dhe nder si për komunën, po ashtu edhe për shtetin sepse kështu shteti mburret se ka kapacitete për implementim të projekteve dhe është e përgatitur për programet pas anëtarësimit;
9. Dhe e fundit por jo nga rëndësia, është e nevojshme monitorim participativ nga gjithë palët e përfshira. Përfitimet janë se përmes monitorimit participativ rritet efektiviteti, impakti dhe qëndrueshmëria e projekteve si dhe zvogëlohet korrupsionin lokal.
Këto e shumë rekomandime të tjera janë mundësi që komunat të ndjejnë progresin.
Gjithsesi edhe komunat nëpërmjet zyrtarëve lokal duhet të luajnë roli aktiv dhe pro aktiv në këtë pjesë duke hartuar dhe implementur strategji, politika lokale, ekonomike dhe taksore që do i ofrojnë shoqërisë ambient të pastër, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.
Nga kjo që u tha më lart mund të konstatoj se komunat kanë nevojë për reflektim dhe zhvillim dhe e dyta se përfitimet nga programet evropiane janë kruciale sepse nëpërmjet tyre ata realizojnë prioritetet dhe objektivat e qytetarëve si dhe kontribuojnë në ndryshime pozitive dhe të përhershme në komunitet. (koha.mk)