Laura PAPRANIKU
Shkup, 9 nëntor – Rrogat e mësimdhënësve në Maqedoni, edhe mund të rriten për 5 për qind, duke nis nga shtatori i 2018-ës, megjithatë të pakta janë gjasat që mësuesit, arsimtarët dhe profesorët e Maqedonisë, të barazohen me kolegët e tyre nga Kosova, Shqipëria, Serbia e kështu me radhë, shkruan gazeta KOHA. Nëse miratohet propozimi i Qeverisë për buxhetin e vitit 2018, e që për momentin është në fazën e debatit publik, pas rreth një viti mësimdhënësit do të marrin përafërsisht nga 1100 denarë më tepër, krahasuar me rrogat e tanishme. Nga limitet e të ardhurave financiare që përcaktohen prej Qeverisë, konkretisht buxhetit, rrogat e mësimdhënësve nuk kanë ndonjë alternativë tjetër për t’u ngjitur nga niveli ku janë. Edhe nëse punojnë në komuna me mirëqenie të lartë sociale apo në shkollat e vendbanimeve të cilat ndihmohen financiarisht nga sipërmarrës të ndryshëm, rrogat në arsim nuk mund të lëvizin nga ajo që përcaktohen me buxhet.
Rritja e rogave të arsimtarëve në një shkollë a komunë të caktuar, nuk mund të ndodh në Maqedoni. Madje, një gjë e tillë nënvizohet edhe me ligj. Kështu, në Ligjin për arsim të mesën, në pjesën e cila rregullon çështjen e financimit të shkollave, në mënyrë taksative komunave u ndalohet të participojnë në rritjen e rrogave të mësimdhënësve.
“Komunat mund ta plotësojnë bllok-dotacionin e marrë, respektivisht dotacionin e dedikuar për arsim me mjete nga burime vetanake, në përjashtim të rrogave të punësuarve në shkolla”, thuhet në nenin 101- a. Neni paraprak sqaron në detaje mënyrën e financimit të shkollave, ku sikurse qëndron në paragrafin e parë të nenit 101, mjetet për financimin e shkollave publike sigurohen nga buxheti i shtetit, dhe siç sqaron paragrafi i dytë i këtij neni, “mjetet financiare u shpërndahen komunave përmes bllok-dotacioneve dhe dotacioneve të dedikuara në pajtim me Rregulloren e metodologjisë për vërtetimin e kritereve për shpërndarjen e bllok dotacioneve, sipas Ligjit për financimin e njësive të vetadministrimit lokal”. Në paragrafët pasuese të këtij neni tregohet mënyra se si komunat bëjnë shpërndarjen e bllok-dotacioneve, të cilat sigurohen nga buxheti në përputhshmëri me standarde dhe normat përkatëse. Komunat, pra, mund të plotësojnë bllok-dotacionet e shkollave për mirëmbajtjen e objekteve, për rritjen e standardit të mësimit apo edhe për blerjen e pajisjeve të punës, mirëpo nuk mund të ndikojnë në rritjen e rrogave të mësimdhënësve. Krijimi i alternativave të tetar për rritjen e rrogave të të punësuarve në arsim, sidomos të mësimdhënësve, nga shumë persona shihet si mënyrë mjaft e mirë për rritjen e cilësisë dhe konkurrencës brenda këtij profesioni. Në mënyrë të drejtpërdrejtë kjo do të ndikonte edhe në konkurrencën mes komunave, në kuptimin se cila prej tyre është më shumë e ndjeshme ndaj mësimdhënësve, ndërsa fryma e konkurrencës do të reflektohej edhe te këta të fundit, pasi kuadri me tepër i kualifikuar do të “luftonte” për t’u punësuar në një shkollë e cila ofron rroga më të mira. Rroga më e larë e një mësimdhënësi, konkretisht profesori në prag pensionimi, nuk arrin as vlerën e 24 mijë denarëve, kurse gjithë të tjerët kanë rroga ende më të ulëta se ta. Në këtë drejtim, Maqedonisë ia kanë kaluar të gjitha shtetet e rajonit, duke mos përjashtuar as Kosovën, shtetin më të ri të Evropës. (koha.mk)