Komunat me sfida të shumta në kohë krize

42

Komunat e Çairit, Sarajit dhe Studeniçanit në vazhdimësi thonë se janë të përgatitur për të aplikuar për fonde të ndryshme në institucionet vendore dhe ndërkombëtare për të realizuar projektet e parapara. Nga atje theksojnë se vëmendja e shteti, sidomos për komunat rurale, duhet të jetë më e madhe

Arbër KADRIU

Shkup, 26  tetor – Komunat e populluara me shumicë shqiptare në Qytetin e Shkupit thonë se po bëjnë përpjeke të vazhdueshme për të thithur sa më shumë fonde për të realizuar planifikimet e tyre të projektuara. Nga Komuna e Çairit, Sarajit dhe Studeniçanit thonë se aplikojnë gjithandej, ku ndjehet nevoja për mbështetje të projekteve që do t’u dalin në ndihmë qytetarëve.

Nga Komuna e Çairit thonë se përcjellin të gjitha thirrjet publike dhe analizojnë kriteret dhe fushat përkatëse që nevojitet investim. “Komuna e Çairit në vazhdimësi realizon aplikime për mbështetje të projekteve me rëndësi dhe konform nevojës së qytetarëve. Angazhimi ynë në këtë drejtim zhvillohet duke aplikuar në institucione si në ato vendore, po edhe të huaja, ose me karakter ndërkombëtar. Mënyra e aplikimit zakonisht varet nga kushtet e shpalljes publike për përkrahje financiare nga institucioni vendorë ose ai ndërkombëtar. Di të them se Komuna e Çairit, ka njësi të veçantë e cila i përcjell këto thirrje publike dhe analizon kriteret dhe fushat përkatëse për përkrahje financiare dhe pastaj në bazë të projekteve dhe fushave prioritare në pajtim me thirrjen publike përgatit të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim të rregullt dhe konform standardeve që kërkohen”, deklaroi për KOHA, Ganiu.

Në anën tjetër, i pakënaqur është shprehur kryetari i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, i cili shprehet se shteti duhet të bëjë krahasim në ndarjen e fondeve për komunat urbane nga ato rurale. Ai thekson se Studeniçani si njëra ndër komunat në vend me zhvillim rural, nevojitet të ketë fond të veçantë. “Nuk jam i pakënaqur, pasi jemi vend pra Komunë me sipërfaqe me zhvillim rural dhe kur ndahen komunat, ne krahasohemi të barabartë me Komunat e tjera urbane siç kufizohet konkretisht Komuna jonë. Kërkoj të veçohet një fond i posaçëm për Komunat rurale nga ato urbane, sepse në këtë aspekt ne jemi të lënë anash. Sa i përket projekteve, kemi konkurruar gjithandej ku ka pasur shpallje publike, pasi të gjitha projektet që i kemi realizuar deri më tani, janë si pasojë e përkrahjeve të shumta, e posaçërisht nga IPA Fondet  dhe të tjera ndërkombëtare. Ne si Komunë maksimalisht shfrytëzojmë resurset e mundshme, falë të gjithë fondeve që i kemi shfrytëzuar për realizimin e infrastrukturës dhe projekteve tjera që veç shihen”, shprehet Sadiki.

Ndërkaq,  nga shërbimi për informim i Komunës së Sarajit thonë se janë të gatshëm për aplikim në të gjitha sferat ku do të ndjehet nevoja për projekte të cilat do të financohen. “Komuna e Sarajit është e gatshme të aplikojë në të gjitha shpalljet e ndryshme për implementimin e projekteve tona të parapara duke filluar në Ministri të ndryshme siç e kemi bërë çdoherë, por edhe në agjencitë e ndryshme ndërkombëtare, ndërkaq ne edhe me herët kemi shfrytëzuar të gjitha resurset për projektet të cilat i kemi pasur, prandaj do të vazhdojmë në vazhdimësi të dorëzojmë projektet tona si Komunë edhe përgjatë këtij viti, por edhe nga viti ardhshëm 2021, natyrisht  edhe pse pandemia ka bërë shumë ngarkesa dhe problematika në punën tonë në forma normale” deklaron për KOHA, Festim Shabani nga Komuna Saraj. (koha.mk)