Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ndërkohë shpreson se ndarja e investimeve do të bëhet në mënyrë të barabartë pa mos diskriminuar asnjë komunë, derisa kryetarja e Tetovës, Teuta Arifi përmendi se rruga Tetovë-Trebosh është një nga projektet me të cilët do të konkurrohet, por theksoi se do të duhet një dakordim në Forumin e bashkësive
Urim HASIPI
Tetovë, 18 shkurt – Rreth 111 mijë franga zvicerane do të ndahen për projektin që do të zgjedhin qytetarët së bashku me komunën si më të nevojshëm. Kështu tha ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu, gjatë fillimit të sesionit të parë, ku komunat prezantojnë projekte dhe më pas do të zgjidhet një që do të financohet, derisa projekti financohet nga Ambasada e Zvicrës në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA.
“Projekti si qëllim kryesor ka zhvillimin e barabartë rajonal dhe në kuadër të projektit është edhe komponenta, e cila parasheh organizimin e forumeve në të cilën vetë qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë bashkë me bizneset japin mendim dhe caktojnë prioritetet dhe nevojat që kanë më shumë. Nga ana jonë do të financohet projekti që është më prioritar nga qytetarët, me vlerë prej 111 mijë franga zvicerane. Në kuadër të projektit do të financohen edhe projektet në të gjithë 8 qendrat planore në vlerë prej 1 milion franga zvicerane”, tha ministri Fazliu. I pyetur se a do të rritet përqindja e TVSH-së që u kthehet Komunave, Fazliu u shpreh se Qeveria e ka si prioritet rritjen e vlerës së TVSH-së që u kthehet komunave.
“Qendrat zhvillimore planore më shumë kanë nevojë për rritjen e mjeteve të cilat dedikohen për zhvillim të barabartë rajonal, gjë e cila po ndodhë. Dallimi prej 2017 dhe tani viti 2019, rritja është për 100 për qind. Kemi rritje, do të thotë që për vitin 2017 kishim rritje për zhvillim të barabartë rajonal për 4.5 milionë euro, ndërsa tani kemi më shumë se 7 milionë euro mjete të dedikuara për zhvillim të barabartë rajonal, gjë e cila si politikë e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale targeton që gjithmonë të shkojë në rritje derisa të arrihet 1 për qind nga BPV. Prioriteti kryesor i Qeverisë patjetër do të arrihet”, theksoi Fazliu.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, përmendi se rruga Tetovë-Trebosh është një nga projektet me të cilët do të konkurrohet, por theksoi se do të duhet një dakordim në këtë forum të bashkësive. “Nëse flasim si Komunë e Tetovës, ne kemi shumë projekte të gatshme të cilët zakonisht na duhen për të konkurruar në vende të ndryshme dhe për këtë arsye normalisht që kemi projektet tona. Por edhe si Qendër e Zhvillimit të Rajonit Planor e Pollogut kemi projektet tona, por Forumi në bashkësi duhet të diskutojë dhe të arrijë një dakordim të përbashkët se cili projekt do financohet. Nëse ju kujtohet, ne si Komunë kemi pasur një aktivitet të tillë dhe kemi rikonstruar njërën ndër çerdhet në Komunën e Tetovës”, tha kryetarja Arifi.
Ajo u shpreh se bëhet fjalë për një kërkesë për rritjen e kthimit të vlerës, që 4.1 për qind sipas Arifit nuk është e mjaftueshme për të krijuar një mundësi për decentralizim më të avancuar. “Vlera 6 për qind është vlerësuar se është një hap drejt rritjes së mëtutjeshme, do të thosha dhe është normalisht me kohë hyrja në fuqi e Ligjit për zhvillim të barabartë rajonal, ku 1 për qind e BPV-së t’iu kthehet qendrës të rajonit planor dhe komunave që është faktikisht ligj që është në fuqi, por nuk implementohet dhe që mendoj se me fillimin e bisedimeve me BE-në, do të jetë një prej kushteve për proceset e mëtejshëm të integrimit të Maqedonisë. Dhe është shumë më rëndësi që këto kërkesa të vihen në funksion dhe të jep një mundësi më të mirë për qeverisjet lokale”, theksoi më tej Arifi.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, ndërkohë shpreson se ndarja e investimeve do të bëhet në mënyrë të barabartë pa mos diskriminuar asnjë komunë. “Komunat kanë nevoja të jashtëzakonshme po do mundohemi që çdonjëra prej tyre të ndahet. Ato që kanë nevoja prioritete e që i kanë paraparë në planë program e tyre për zhvillim për vitin 2019, shpresoj që ajo shpërndarje e mjeteve për investime në gjithë regjionin e Pollohut të bëhet e barabartë dhe pa diskriminuar asnjërën prej nëntë komunave që janë në regjionin e Pollogut”, tha Taravari.
Ai mendon se Komuna e Gostivarit është ndër komunat më të diskriminuara në vend nga kjo qeveri. “Unë shpesh e kam thënë se Gostivari është njëra prej komunave më të diskriminuara për vitin 2018 nga Qeveria. Investim i vetëm për Komunën e Gostivarit në vitin 2018 nga Qeveria ka qenë një qendër për ushtrim në vlerë prej 35 mijë euro dhe asgjë më shumë. Gjitha investimet tjera i kemi bërë me paratë vetanake. Shpresoj që kjo traditë të mos vazhdojë, të ndryshojnë gjërat, pasi paratë e buxhetit janë para që ndahen nga taksat e qytetarëve, pa marrë parasysh se nga cila parti udhëhiqet komuna”, sqaroi Taravari. Përndryshe, Forumi në Bashkësi ka tre sesione pune dhe në fund përzgjidhet një projekt. (koha.mk)