Jo rrallë herë, pushteti qendror u‘a ka marrë kompetencat komunave në sferën e arsimit për shkak të emërimit të drejtorëve
Urim HASIPI
Tetovë, 14 nëntor – Qeveria në vend se të zgjerojë kompetencat për pushtetin lokal ajo kufizon veprimtarinë e tyre. Kështu thotë kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, i pyetur nga Gazeta Koha lidhur me zgjerimin e kompetencave të komunave. “Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale, në vazhdimësi ka kërkuar zgjerimin e planit të decentralizimit në fusha të caktuara, por fatkeqësisht nuk kemi ende përgjigje nga organet qendrore. Kishte një plan të decentralizimit fiskal që për neve nuk ishte I mjaftueshëm por sigurisht që qeveria në vend se të zgjerojë procesin e ingerencave për komunat, ajo edhe aty ku i kanë me ligj të përcaktuar tenton t’i kufizojë”, deklaroi kryetari I komunës së Tetovës Bilall Kasami. Megjithatë, kreu i komunës së Tetovës nënvizon se qeveria nuk lejoi themelimin e ndërmarrjes për menaxhim me ndriçimin publik. “Rasti është me ndriçimin publik, ku komunat në bazë të ligjit për vetëqeverisje lokale i kanë të gjitha të drejtat ligjore të themelojë ndërmarrje për përgjegjësitë që i kanë dhe qeveria me një vendim antiligjor i kufizon komunat që të mos mund të themelojnë ndërmarrje”, tha Kasami. Në Maqedoninë e Veriut procesi i delegimit të kompetencave për komunat nga pushteti qendror shënon ngecje kur edhe disa kompetenca u ndanë për komunat dhe që atëherë e këndej nuk është shënuar asnjë progres. Komunat kanë ingerenca vetëm në urbanizëm dhe arsim, kurse në sferat tjera kompetencat janë ekskluzivisht të pushtetit qendror. Sipas kryetarit të komunës së Gostivarit Arben Taravari, komunat janë të gatshme që të marrin kompetenca shtesë,por pushteti qendror duhet që të veprojë në këtë drejtim sa më shpejt. “Maqedonia është shteti më i centralizuar në Evropë. Komunat absolutisht janë të përgatitura, sepse shumicën e obligimeve i kryejmë ashtu siç duhet dhe duhet që pushteti në Maqedoni të decentralizohet,pra të gjitha investimet kapitale varen nga pushteti qendror dhe kjo duhet të ndryshon, sepse kështu nuk ecën,nuk shkon kështu”, kishte deklaruar kohë më parë kreu i Gostivarit Arben Taravari. Jo rrallë herë, pushteti qendror ua ka marrë kompetencat komunave në sferën e arsimit për shkak të emërimit të drejtorëve. (koha.mk)