Një qytetar i komunës së Ilindenit në Shkup ku kanë selinë dhe punojnë me dhjetëra e dhjetëra kompani të fuqishme të huaja dhe vendore të prodhimit dhe shërbimeve kanë paguar në vitin e kaluar tatime mesatare prej 9462 denarë. Nga ana tjetër në një komunë të varfër si Haraçina, me fare pak biznese të fuqishme dhe me më shumë biznese të vogla dhe shumë më pak të punësuar, janë paguar tatime prej 336 denarë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 dhjetor – Afër 5700 të punësuar në komunat e Maqedonisë së Veriut në vitin e kaluar kanë pranuar në mesatare një pagë prej 18.823 denarë. Megjithatë në komuna të ndryshme në vend, nëpunësit paguhen në mesatare prej 11 mijë denarë deri 26.400 denarë. Analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike tregon se komunat e Bërvenicës, Demir Kapisë, Kavadarit dhe Gazi Babës paguajnë paga që lëvizin prej 25 mijë deri 26.400 denarë , ndërsa nga ana tjetër komunat si Rankovce, Staro Nagoriçane, Gradsko dhe Makedonski Brod paguajnë paga prej 11.200 deri 13 mijë denarë për nëpunësit e tyre. Nga Qendra për Analiza Ekonomike thonë se pagat themelore të nëpunësve administrativ marrin pjesë në mesatare me 34 për qind në të ardhurat e përgjithshme tatimore të komunave.
Ekzistojnë komuna ku të ardhurat e grumbulluara nga tatimet nuk janë të mjaftueshme as për mbulimin e bazës së nëpunësve administrative, por jo për shkak të pagave të larta, por më së shpeshti për shkak të pagesës së ulët të tatimeve”, theksohet në analizë. Njëherësh analiza tregon se tek 72 për qind e komunave, të ardhurat e grumbulluara tatimore nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve kapitale, dhe kjo është më së shpeshti rasti në komunat më të vogla si Novaci, Likovë , Qendra Zhupë, Karbinci dhe Pehcevë. Edhe pse në mesatare, pagat e nënpunësve administrativ marrin pjesë me 4 për qind në shpenzimet totale të komunave, megjithatë totali i pagave të kryetarëve të komunave, nënpunësve administrativ dhe të punësuarve të tjerë në komunë merr pjesë në mesatare me 34 për qind në totalin e shpenzimeve. Njëherësh analiza tregon në nivel vendi, një nëpunës administrativ në vit merr 22 denarë si pagë themelore për të shërbyer një banor të komunës. Nga ana tjetër në mesatare, komunat në Maqedoninë e Veriut në vit në mesatare sigurojnë 635 denarë pagë themelore për të gjithë nëpunësit administrative që të mund të shërbejnë një banor të komunës. Tek një pjesë e komunave të ardhurat nga tatimet janë të mjaftueshme që të mbulohen pagat themelore për nëpunësit administrativ, ndërsa tek një pjesë e komunave këto të ardhura nuk mjaftojnë për pagat e nënpunësve.
Në vitin 2019, të ardhurat tatimore të një komune përbëhen përqindja e tatimit personal të të ardhurave që pushteti qendror ju transferon vetëqeverisjeve lokale, tatimi lokal në pronë dhe tatimet komunale dhe biznesore. Në vitin e kaluar, të ardhurat për kokë banori në komunat në vend nga tatimet e ndryshme kanë qenë 3532 denarë. Një qytetar i komunës së Ilindenit në Shkup ku kanë selinë dhe punojnë me dhjetëra e dhjetëra kompani të fuqishme të huaja dhe vendore të prodhimit dhe shërbimeve kanë paguar në vitin e kaluar tatime mesatare prej 9462 denarë. Nga ana tjetër në një komunë të varfër si Haraçina, me fare pak biznese të fuqishme dhe me më shumë biznese të vogla dhe shumë më pak të punësuar, janë paguar tatime prej 336 denarë. Komunat në vitin 2019 kanë grumbulluar më shumë të ardhura nga tatimi në pronë me 2.5 miliardë denarë. Më shumë të ardhura nga ky lloj tatimi janë grumbulluar në komunat Qendër dhe Karposh në Shkup, në Ohër dhe në Kumanovë me shuma më të mëdha se 170 milionë denarë.
Në përgjithësi në vitin 2019, të ardhurat nga tatimi në pronë për kokë banori kanë qenë
1291 denarë. Apo thënë ndryshe këto të ardhura kanë marrë pjesë me 37 për qind në totalin e të ardhurave të komunave. Njëherësh analiza e Qendrës për Analiza Ekonomike konstaton se komunat më të vogla në vend nuk kanë vendosur një sistem efikas tatimor për grumbullimin e tatimeve , andaj edhe të ardhurat e tyre nga tatimet janë shumë të vogla. Këto komuna më së shpeshti financohen përmes investimeve kapitale, donacioneve dhe burimeve të tjera financiare. (koha.mk)