Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Goran Pavlevski, thotë se ka vullnet për bartjen e kompetencave, por kjo do të duhet të shihet pas zgjedhjeve. Nga ana tjetër, komunat do të pranojnë kompetenca shtesë vetëm nëse ndahen mjete
Urim HASIPI
Tetovë, 11 janar – Pesëmbëdhjetë vite pasi që në Maqedoni filloi procesi i decentralizimit të pushtetit, komunat vazhdojnë të kenë pothuajse të njëjtat kompetenca, edhe përskaj qëndrimit të kryetarëve të komunave, se ata janë të gatshëm të marrin kompetenca shtesë në sferën e mbrojtjes sociale, sigurisë, por edhe të rritjes së përqindjes së TVSH-së, që marrin pushtetet lokale nga pushteti qendror. Edhe ish-kryeministri Zoran Zaev disa herë kishte shfaqur zotime publike se duhet që komunat të kenë më shumë kompetenca, megjithatë kjo mbeti vetëm zotim publik. Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Goran Pavlevski, thotë se ka vullnet për bartjen e kompetencave, por kjo do të duhet të shihet pas zgjedhjeve. “Ka patur dhe ka vullnet nga ana e pushtetit qendror që të vazhdohet me delegimin e kompetencave për komunat dhe jo vetëm me këtë, por që kjo të ndiqet me mjete financiare. Ajo që diskutohet është se të rritet edhe TVSH-ja nga 4.5 për qind në 6.7 apo 8. Problem ka qenë se në të kaluarën nuk ka patur analiza të mjaftueshme edhe pse ka patur kërkesa nga ana e komunave. Ne kemi bërë analiza se çka ndodh në teren, ka të formuar grup pune nga ane qeverisë, që duhet të ndjekë këtë proces, ka propozime konkrete që janë në pajtim të plotë me BNJVL-në, dhe ky material do të dërgohet në qeveri. Pasi që bëhet fjalë për një periudhë parazgjedhore, nuk dihet se çka do të ndodh, por vullnet ka që të delegohen më shumë kompetenca”, tha zëvendësministri Pavlevski.
Ai më tej ka thënë se pagesa e borxheve të komunave është realizuar me sukses. “Gjendja me borxhet duhej të zgjidhej, sepse kishte borxhe të vjetra, të cilët janë bartur me vite, kurse shteti ka patur obligim që të mos zvarritet ky proces që ka zgjatur edhe me dekada. Qeveria ndihmoi komunat me pagesë të borxhit prej 51 për qind dhe ka mbetur komunat që të menaxhojnë situatën që mos paguajnë kamatë ndaj borxhlinjve. Pjesa dërmuese e komunave mirë e ka menaxhuar këtë, prandaj edhe shumë komuna tash mund të funksionojnë pa problem dhe më lirshëm, sepse rreth 20 për qind të komunave, më shumë se dhjetë, kanë funksionuar me xhiro llogari të bllokuara. Mbetet që komunat të punojnë sipas ligjit dhe në mënyrë më të mirë të menaxhojnë mjetet që kanë në dispozicion”, tha Pavlevski.
Nga ana tjetër, komunat do të pranojnë kompetenca shtesë vetëm nëse ndahen mjete. Kështu ishte shprehur kryetarja e Komunës së Tetovës kohë më parë. “Komunat nuk duhet të pranojnë kompetenca shtesë nëse ato kompetenca nuk barten me mjete shtesë për realizimin e tyre. Problem i decentralizimit është se nuk mund të bartin kompetenca të komunave dhe mos bartni financat, ndërsa financat të mbesin në nivel qendror dhe jo ne të mbajmë vetëm gajlet, kjo nuk është në rregull, dhe për këtë arsye besoj se kjo duhet të jetë një dialogë intensiv mes qeverisë dhe pushteteve lokale me qëllim që të balancohet bartja e kompetencave”, ishte shprehur Teuta Arifi. Nga Ministria e Pushtetit Lokal kërkojnë që në të ardhmen komunat të avancojnë bashkëpunimin me qytetarët, me bashkësitë lokale gjatë përpilimit të buxheteve. (koha.mk)