Fisnik PASHOLLI
Shkup, 24 janar – Borxhet e komunave për energji elektrike, punë të kryera ndërtimore apo shërbime të tjera, vlerësohen të jenë afër 120 milionë euro. Vetëm deri në fund të vitit 2016 borxhet kanë arritur në 82 milionë euro. Por borxhi i komunave mund të jetë edhe më i madh , duke tejkaluar shifrën prej 120 milionë euro, nëse shtohen edhe obligimet në bazë të vendimeve gjyqësore dhe të kamatave, shkruan gazeta KOHA.
Sipas analizës së revizorëve, ekziston mosharmonizim i madh midis evidencës së komunave dhe numrave të Ministrisë së Financave lidhur me borxhet që i kanë komunat në bazë të vendimeve ekzekutive gjyqësore. Nga të dhënat e dikasterit të financës,merret vesh se obligimet në bazë të vendimeve gjyqësore, arrijnë 37.4 milionë euro, ndërsa evidenca e komunave tregon se obligimet janë afër 5.8 milionë euro. Sipas raportit të fundit të revizorit ” Obligimet dhe jostabiliteti financiar i komunave ” për periudhën 2012-2016, vetëqeverisjet lokale jo vetëm që kanë borxh të madh ndaj kompanive private dhe shtetërore, por ato edhe kanë rritur borxhin për 27 milion euro nga 55 milionë euro në vitin 2012 në 82 milionë euro në vitin 2016.
PLANIFIKIM JOREAL I BUXHETEVE
Raporti kushtuar llogarive të bllokuara komunale thekson më tej se obligimet e përgjithshme ndaj furnizuesve përfshijnë 35 për qind e të ardhurave të përgjithshme që i realizojnë komunat, ndërsa disa komuna kanë grumbulluar obligime të pashlyera që arrijnë deri 80 për qind e të ardhurave që i realizojnë në buxhet. Revizorët kanë konstatuar edhe më shumë probleme të tjera të komunave lidhur me financimin e tyre.
“Komunat karakterizohen me planifikim joreal të buxheteve , ose revizioni ka konstatuar se ka lëshime të mëdha lidhur me të ardhurat e realizuara në raport me ato të planifikuara. Gjithashtu pjesëmarrja e obligimeve të papaguara ndaj furnizuesve në periudhën 31 dhjetor 2012 deri 31 dhjetor 2016, në raport me të ardhurat e realizuar në nivel vjetor lëviz prej 25 deri 44 për qind”, theksohet më tej në raport.
Gjithashtu analizat tregojnë se një pesta e komunave apo 20 për qind nga 80 komuna në Maqedoni janë me llogari të bllokuara si rrjedhojë e vendimeve ekzekutive gjyqësore në bazë obligimeve të pashlyera ndaj furnizuesve dhe të punësuarve. Si obligimet më të shpeshta për të cilat kanë hyrë komunat në borxh janë ato ndaj firmave ndërtimore dhe kompanive të tjera, obligimet për energjinë e papaguar e papaguar, si dhe obligimet e trashëguara në bazë të eksproprijimit të pronës. Në ndërkohë, borxhi vetëm i komunave me llogari të bllokuara deri në muajin maj të vitit 2017 ka arritur 40 milionë euro. Raporti i revizorit më tej thekson se përkundër faktit se komunat nuk kanë të holla për pagesën e borxheve të vjetra, ato kanë vazhduar të hyjnë edhe më tej në borxhe të reja.
“Në kushte të jostabilitetit financiar të komunave, kemi konstatuar se të njëjtat kryejnë procedura për punësime të reja dhe avancimin e të punësuarve aktual, si dhe furnizime publike. Nga 14 komuna me llogari të bllokuara, ose jostabilitet financiar në vitin 2016, tek 9 prej tyre kanë filluar investime kapitale, punësime të reja dhe avancimin e të punësuarve”, thekson raporti.
KOMPETENCA PO, POR JO EDHE FINANCA
Revizorët shtetëror rekomandojnë që kryetarët e komunave në një situatë të tillë kur kanë llogarinë e bllokuar, ose kanë jostabilitet financiar, të veprojnë në bazë të neneve 39 deri 43 të Ligjit për financimin e komunave, ose të shpallin vendim për jostabilitet financiar dhe të ndërmarrin aktivitete për zgjidhjen e këtij problemi. Gjithashtu, revizorët theksojnë nevojën që Ministria e Financave të kryejë mbikëqyrjen e realizimit të Ligjit për financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale dhe të ndërmarrë masat e përcaktuara ligjore për moszbatimin në rast të gjendjes së jostabilitetit financiar në komuna. Revizorët u bëjnë thirrje edhe kryetarëve të gjykatave që të shqyrtojnë vendimet e miratuara për shumën e të hollave të nevojshme për kryerjen e veprimtarisë , duke përjashtuar ato nga realizimi me qëllim që të mundësojnë pagesat e vendimeve të arritura për pagesë si dhe të mundësojnë që borxhet të fillojnë të paguhen dhe të zvogëlohen.
Ekonomistët thonë se shteti shpesh toleron edhe mos-pagesën e borxheve të ndryshme nga ana e komunave për shkak të fuqisë së tyre të dobët financiare dhe shumës së ulët të tatimeve që ju transferohet nga buxheti qendror tek buxheti lokal . Komunat në një pjesë të madhe kanë fituar kompetenca të ndryshme, por jo edhe të holla nga lartë për të realizuar obligimet e ndryshme që i kanë ndaj banorëve të komunave si urbane ashtu edhe rurale.
Në praktikë, një numër i caktuar i komunave kanë vendim nga gjykata përkatëse për kufirin, ose për shumën e të hollave që ju nevojiten në mënyrë të domosdoshme për kryerjen e veprimtarive të ndryshme të komunës. Kjo nënkupton se mjaft biznese edhe pse kanë vendime gjyqësore për pagesën e borxheve të ndryshme, nuk mund ti paguajnë të njëjtat për shkak të tavanit të borxhit ose kufirit të përcaktuar me ligj. Kjo do të thotë se bizneset mund ti paguajnë borxhet , por paguajnë vetëm mbi shumën e përcaktuar me ligj, që nënkupton se përkundër vendimeve gjyqësore në të vërtetë kufiri ligjor i pamundëson ti paguajnë borxhet nga komunat. (koha.mk)