Shkup, 9 prill – Nga java e ardhshme, 40 fëmijë nga Qendra për fëmijë me paralizë cerebrale do të zhvendosen në objekt të ri të përkohshëm afër SHF “11 Tetori” i cili është në pronësi të komunës Qendër.
“Për shkak të ndërtimit të shkollës së re në lagjen Kapishtec, ka pasur nevojë për dislokim të Qendrës. Por edhe kushtet për qëndrim të fëmijëve në objektin e deritanishëm nuk ishin në nivelin e nevojshëm”, kumtoi komuna e Qendrës.
Lokacioni i ri është me sipërfaqe prej 250 metrave katrorë dhe është tërësisht i adaptuar për qëndrim të këtyre personave. Është ndërtuar një platformë për qasje deri te rruga. Ky objekt do të jetë këndi i tyre për qëndrim, rekreacion dhe argëtim në periudhën deri në ndërtimin e shkollës. Hapësira e re është në pajtim me standardet për qasje, lëvizje dhe shërbim të personave të cilët lëvizin me pajisje me tualete adekuate të përshtatshme.
Objektin, komuna e Qendrës do t’ia dorëzojë Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, e cila duhet ta zhvendos pajisjen. Fëmijët do të kenë mbështetje fizioterapeutike dhe defektologjike sipas të gjitha parimeve dhe standardeve.
Pas ndërtimit, ata marrin në shfrytëzim 300 metra katrorë hapësirë dhe kushte më bashkëkohore në shkollën e re “Kapishtec”.