Pritet që punët të përfundojnë brenda dy muajve. Sipas tij, gjatë kryerjes së punëve paralelisht do të zhvillohet edhe procesi mësimor, ndërsa nxënësit nuk do të humbin procesin edukativo-arsimor. Gjithsej vlera e rikonstruimit është mbi 15 mijë euro. Në ndërkohë, pritet që brenda këtij viti të rifillojnë punët për ndërtimin e kulmit të shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë
Urim HASIPI
Tetovë, 6 shtator – Kanë mbetur edhe pesë ditë që kur duhet të përfundojë afati për ankesa nga kompanitë të cilët kanë marrë pjesë në tenderin për ndërtimin e kulmit të shkollës “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në fshatin Xhepçisht. Pas përfundimit të këtij afati, nëse asnjë kompani nuk ankohet, atëherë kompania fituese do të fillojë punët për rikonstruimin e kulmit që pikon. Punët maksimum do të zgjasin rreth dy muaj, ndërsa mjetet i ka ndarë Komuna e Tetovës. Këtë e ka bërë të ditur Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës. “Duke e patur parasysh faktin dhe kërkesën e banorëve dhe nxënësve për gjendjen akute që paraqitet nga viti në vit, ne nuk patëm hapësire që të presim që kjo të realizohet prej ministrisë, dhe në bazë të ekspertizës, u bë edhe një projekt për intervenim dhe në bazë të saj u bë edhe shpallja nga prokurorimi publik dhe për momentin jemi në përfundim e sipër të prokurorimit publik. Fazat e prokurorimit janë në përfundim e sipër, jemi në 5 ditët e fundit të ankimimit dhe është përzgjedhur një nga ofertuesit, ka patur 5 ofertues për t’i realizuar dhe është zgjedhur ofertuesi më i volitshëm, me çmim më të ulët nga ana e Këshillit të shkollës dhe mendojmë që çdo gjë do të përfundojë ashtu siç duhet, nuk do të kemi edhe ankesa, dhe do të mund menjëherë të fillohet me rikonstruimin e tërësishëm të kulmit në shkollën në fshatin Xhepçisht”, deklaroi Qazimi.
Pritet që punët të përfundojnë brenda dy muajve. Sipas tij, gjatë kryerjes së punëve paralelisht do të zhvillohet edhe procesi mësimor, ndërsa nxënësit nuk do të humbin procesin edukativo-arsimor. Gjithsej vlera e rikonstruimit është mbi 15 mijë euro. “Sipas fjalëve që i kemi, shpresojmë për dy muaj do të përfundojnë dhe kulmi në shkollë dhe së bashku me materialet fotovoltaike që janë të vendosura në kulmin e shkollës, do të kemi edhe të rinovuar tërësisht kulmin e shkollës fillore “Gjergj Kastrioti” në Xhepçisht. Sipas drejtorisë së shkollës, sanimi dhe rekonstruimi i shkollës, nuk kam informacion të detajuar, por do të kushtoj afër 1 milion denarë dhe me realizuesin e punëve do të kemi një dinamik të atillë që s`do të pengojë procesi arsimorë dhe çdo gjë do të rrjedh sipas planit të paraparë”, tha ai.
Në ndërkohë, pritet që brenda këtij viti të rifillojnë punët për ndërtimin e kulmit të shkollës fillore “Kirili dhe Metodi” në Tetovë. Ndryshe, sipas drejtuesve të sektorit për arsim në Komunën e Tetovë, deri më tani intervenimi është vonuar ngase është pritur që të intervenojë Ministria e Arsimit dhe Shkencës. “Në lidhje me problemet me kulmin e shkollës dhe problemet e tjera që janë shfaqur në këtë objekt shkollor, pasi që punimet janë të realizuara nga ana e MASH-it, edhe kompetencat për investime i takojnë ministrisë. Ne bëmë një analizë të gjendjes faktike dhe të njëjtin dokumentacion e dorëzuam pranë MASH-it dhe kërkuam që të bëjë dhe intervenimin, por sigurisht nga procedurat e ministrisë nuk e kishin paraparë për sivjet në planin për intervenime dhe planin për furnizime”, sqaroi Qazimi.
Kulmi i kësaj shkolle pikonte gjatë kohës kur kishte reshje atmosferik dhe pengonte dukshëm në procesin edukativo-arsimor edhe pse bëhet fjalë për një objekt të ri të ndërtuar. (koha.mk)