Tetovë, 13 maj – Komuna e Tetovës kumtoi se është formuar shtab krize pasi meteorologët paralajmëruan mundësi për mot të keq për shkak të ciklonit “Andrea”, si dhe se janë ndërmarrë masa parandaluese, njofton Koha.mk
Prej aty informojnë se janë në gatishmëri të plotë të gjitha ekipet mobile të Ndërmarrjes komunale publike (NKP) Tetovë dhe të Njësisë zjarrfikëse territoriale nga Tetova (NJZF).
“Këto njësi veçmë gjenden në terren dhe intensivisht punojnë në pastrimin e kanaleve në territorin e tërë komunës me të gjitha kapacitetet që i kanë, mekanike dhe njerëzore. Dje dhe sot janë pastruar kanalet ujësjellëse në qarkoren te Agrokalishta Blloku 70, rruga K.R. Dërnc, Drenovec, te nënkalimi në rrugën te fshati Falishtë, si dhe në lokacione tjera të identifikuara si pika kritike. Para një muaji, është bërë edhe pastrimi i shtretërve të lumenjve në fshatrat Poroj dhe Reçicë të Madhe, kumtuan nga vetadministrimi lokal i Tetovës.
Komuna me apel deri te kompanitë ndërtimore që t’i shkyçin pompat në gropat ndërtimore, ndërsa qytetarët të mos i parkojnë automjetet e tyre në afërsi të kanaleve ujësjellëse ose puset, me qëllim që të sigurohet intervenim me kohë të grupeve të mobilizuara.
“Po ashtu, u bëjmë thirrje qytetarëve të mos mbeten në vend të hapur ose nën drunj të vetmuar, në rast të zbrazjes elektrike. Në këto 48 orë të shmangen dalje të panevojshme, në këmbë ose me automjetet e tyre. Në rast të të reshurave intensive dhe përmbysjeve, mund të paraqiteni në numrin e telefonit 193 (NJZF Tetovë) dhe në 072 798 910 – Qendra për informim dhe koordinim në SPB Tetovë”, informojnë nga Komuna e Tetovës.
Edhe Sektori për punë të brendshme Tetovë apeloi deri te banorët e qytetit për kujdes gjatë lënies së automjeteve dhe lëvizjes në rast të motit të keq. (koha.mk)