Gostivar, 13 nëntor – Këshilli i komunës së Gostivarit mori vendim për ndarjen e ndihmës financiare prej 300 mijë denarësh për familjen e Xhejha Mexhitit, nga fshati Zdunjë i Gostivarit, e cila javën e kaluar e humbi jetën në ujërat e Vardarit.
Ky vendim ishte vënë si pikë shtesë e rendit të ditës në seancën e sotme me kërkesë të kryetarit të komunës ArbenTaravarit.
Pas elaborimit të shkurtër, propozim vendimi u votua unanimisht nga të gjithë anëtarët e këshillit. Familja Mexhiti do të marrë 300 mijë denarë nga buxheti i komunës.
Shtatëmbëdhjetëvjeçarja Xhejha Mexhiti, të hënën e kaluar gjatë tentativës që të mbrohet nga një qen endacak ra në ujërat e Vardarit dhe u mbyt.