Shkup, 19 prill – Komuna e Çairit prej sot edhe zyrtarisht e filloi procesin e gazifikimit në mbarë territorin e saj. Për këtë qëllim me GA-MA SHA Shkup u nënshkrua marrëveshje për kyçjen në sistemin për përçimin e gazit natyror në kopshtin për fëmijë “Borëbardha”, në shkollën Fillore “Ismail Qemali” dhe ndërtesën administrative të Komunës së Çairit.
“Me kyçjen e tre objekteve të para në sistemin për përçimin e gazit natyror fillon procesi i gazifikimit të komunës që ka rëndësi të madhe për funksionimin e institucioneve tona si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga aspekti ekologjik”, deklaroi kryetari i komunës Visar Ganiu pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Ai potencoi se investimi i përgjithshëm për realizimin e marrëveshjes arrin 7,4 milionë denarë, ndërsa kursimi që do të kenë të tre objektet pas realizimit të projektit, siç tha, do të arrijë deri 3,4 milionë denarë në vit.
“Kjo do të thotë se për më pakë se tre vjet mjetet e investuara do të kthehen. Në të ardhmen me projektin do të përfshihen edhe objekte të tjera të institucioneve dhe amvisërive në Komunën e Çairit”, potencoi Ganiu.
Duke u përgjigjur në një pyetje, saktësoi se më vonë deri në fund të vitit do të përpilohet dokumentacion teknik për ndërtimin e një sistemi gazpërçues sekondar në komunë, ndërsa nga viti i ardhshëm do të fillojë realizimi i saj.
“Pa dallim nëse do të vendosim për partneritet publiko-privat apo për realizim me ndonjë institucion do të shikojmë që rrjetin sekondar ta ndërtojmë në komunë dhe gazi së shpejti të arrijë te qytetarët”, tha Ganiu.
Për nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes potencoi se nuk do të thotë shkelje e fushatës së zgjedhjeve presidenciale, sepse, përmendi, kjo është paralajmëruar para shumë kohe.
“Nënshkrimi i marrëveshjes ka rëndësi lokale dhe nuk duhet të ndikojë në zgjedhjet presidenciale”, tha Ganiu.
Drejtori ekzekutiv i GA-MA Ratko Manov tha se paraprakisht GA-MA ka vendosur unazë gazëpërçuese rreth Shkupit me të cilën, siç tha, do t’u mundësojë komunave ta fillojnë gazifikimin në territoret e tyre dhe gazi të arrijë te konsumatorët.
“Shpresoj se punët do të ecin para dhe së shpejti do të fillojë konsumi i gjerë i gazit që të munden qytetarët ta ndjejnë të mirën e këtij energjensi nga i cili kanë përfitime ekonomike dhe ekologjike”, tha Manov dhe shtoi se në këtë moment shfrytëzimi i gazpërçuesit të GA-MA është rreth 32 për qind.