Urim HASIPI
Tetovë, 28 dhjetor – Lëvizja Eco Guerilla ka reaguar ndaj rritjes së nivelit të ndotjes kohëve të fundit në Tetovë dhe rrethinë. Sipas Arianit Xhaferit, kryetar i Lëvizjes Eco Guerilla, në mungesë të masave dhe rekomandimeve që duhet të ndërmerren nga Komuna e Tetovës për të zbutur dhe për të zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit në Tetovë, i ka bërë thirrje qytetarëve të Tetovës që gjatë këtyre ditëve – sipas mundësive të kufizojnë sa më shumë lëvizjen me veturat e tyre. “Si pasojë e keqmenaxhimit nga Komuna e Tetovës që për vite me radhë na la pa transportit publik, pa parkingje nëntokësore ose në kate, pa zhbllokimin e bulevardeve kryesore dhe me neglizhencën e Inspektoratit ekologjik komunal për të parandaluar ndërmarrjet që ndotin, tetovarët gjatë viteve të fundit ekspozohen në ndotje ekstreme të ajrit me pasoja serioze për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, posaçërisht të fëmijëve”, tha ai. Arianit Xhaferi më tej shton se Tetova është qytet që ngrohjen – diku rreth 80 apo 90 për qind e ka me dru. Në ditët e ftohta të dimrit, kur edhe procesi inverziv i shtypjes së ajrit është i ulët, shkaktar tjetër për ndotje është edhe ngrohja me dru, shton Xhaferi. “Mungesa e alternativave tjera për ngrohje, si ajo me gaz apo energji të tjera alternative, janë rezultati i paaftësisë së pushtetit lokal dhe atij qendror që me vite nuk zgjidhën këtë problem serioz për qytetarët. Presim nga Komuna e Tetovës që të pastrojë rrugët e stërmbushura me pluhur, pasi aty më së shumti gjinden grimcat PM10. Largimi i veturave të havarisura dhe të paregjistruara që bllokojnë rrugët, trotuaret dhe hapësirat publike po ashtu është detyrim ligjor i Komunës, gjë që deri më sot nuk është realizuar. Mos hapja e qarkores së qytetit e cila do lidhte fshatrat në drejtimin Poroj-Jazhincë është një problem i vazhdueshëm për trafikun e stërngarkuar të Tetovës”, deklaroi kreu i Eco Guerillës, Arianit Xhaferi. Ka reaguar edhe Lëvizja “Nëna dhe Fëmija” .Ata thonë se ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor – bazuar në informatat e Sistemit Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit të Ambientit dhe parashikimit të marrë të motit nga Enti Hidrometeorologjik, informoi që pragu i alarmimit për PM10 është tejkaluar në Shkup dhe në Tetovë. Në pajtim me konkluzionet nga mbledhja e 40-të e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë të mbajtur më 28.11.2017, duhet të hynë në fuqi masat urgjente. Me këtë rast, Lëvizja “Nëna dhe Fëmija”, kërkon nga Komuna e Tetovës të informojë qytetarët për veprimet dhe masat urgjente që janë marrë në këtë komunë dhe njëherësh informon banorët që Tetova është komuna e vetme në Maqedoni që, edhe pas reshjeve të shumta, vazhdon të jetë e ndotur. (koha.mk)