Edhe pse kohë më parë ishte hapur një Qendër për trajtimin e qenve endacak, megjithatë Tetova assesi të çlirohet nga ky problem i kamotshëm. Qendra aktuale ka një kapacitet për përkujdesjen e 20 qenve, për të cilët edhe janë rregulluar 20 bokse, megjithatë kjo është e pamjaftueshme
Urim HASIPI
Tetovë, 25 janar – Pasi nuk dha efektet e pritshme Qendra për trajtimin e qenve endacak, komuna e Tetovës ka vendosur që vetë të ndërtojë një qendër të sajën. Qendra duhet që pas 6 muajve të lëshohet në përdorim dhe të menaxhohet nga vetë komuna, kurse e njëjta do të ndërtohet në fshatin Falisht. Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti. “Për këtë vit ne ndamë një shumë më të madhe të mjeteve për sa i përket trajtimit të qenve endacak, mirëpo meqenëse Ministria e Financave na shkurtoi një pjesë të tyre, tani kemi ndarë 1 milion denarë, shumë kjo jo e kënaqshme për trajtim, mirëpo ka një gjë pozitive që kemi në plan të hapim dhe Qendrën tonë sa i përket trajtimit të qenve endacak. Është marrë një lokacion në fshatin Falisht dhe në bashkëpunim me OJQ-të, punojmë që diku nga muaji i shtatë të hapim Qendrën për trajtimin e qenve endacak”, tha Memeti.
Edhe pse kohë më parë ishte hapur një Qendër për trajtimin e qenve endacak, megjithatë Tetova assesi të çlirohet nga ky problem i kamotshëm. Qendra aktuale ka një kapacitet për përkujdesjen e 20 qenve, për të cilët edhe janë rregulluar 20 bokse, megjithatë kjo është e pamjaftueshme. Qentë që mblidhen nga rrugët e qytetit, vaksinohen dhe më pas lëshohen sërish në rrugët e Tetovës. Qendra është e pajisur përveç bokseve, edhe me hapësira për operimin dhe vaksinimin e tyre. Parashihet që periudha e trajtimit të zgjasë që nga kapja e qenve endacak në rrugët e Tetovës dhe të vazhdojë edhe në ambulantë ku do të vaksinohen me vaksina kundër tërbimit, ndërsa ata që janë të infektuar – do të eliminohen. Projekti në fjalë ka kushtuar rreth 500.000 denarë, por këto mjete nuk mjaftojnë që të gjithë qentë e rrugëve të Tetovës të trajtohen.
Nga NPK-ja kanë apeluar që edhe komunat tjera të kontribuojnë në këtë drejtim që edhe ata të zgjedhin problemin e qenve endacak. “Ne kemi kërkuar që komunat tjera të cilët ballafaqohen me këta problem si Zhelina, Tearca…, që edhe ata të marrin më seriozisht këtë problematikë dhe të kontribuojnë që edhe qentë endacak nëpër ato komuna të sillen dhe të trajtohen këtu. Operatori ka kapacitet që të mbulojë edhe komunat tjera”, thonë nga NPK-ja. Në ndërkohë, nga Komuna e Tetovës kanë apeluar deri tek policia që të jetë e kujdesshme dhe të sillet me përgjegjësi, sepse qentë endacak po sillen në Tetovë nga qytetet tjera. (koha.mk)