Sarajevë, 4 janar – Anëtari kroat i Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës, Zheljko Komshiq deklaroi se askush nuk mund t’i sjellë në pikëpyetje kufijtë e BeH-së, pavarësisht nga “ngjarjet në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës”.
Deklarata e4 Komshiqit paraqet reagim ndaj qëndrimit të kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, e cila duke e komentuar paralajmërimin për “heqje të kufirit” mes Shqipërisë dhe Kosovës, tërhoqi paralele me linjën kufitare mes Serbisë dhe entitetit boshnjak Republikës Sërbska.
“Dukshëm kufijtë janë në tryezë dhe tani kemi disa që mund (t’i heqin kufijtë), ndërkaq Republika Sërbska nuk mundet”, deklaroi Bërnabiq.
Duke folur për deklaratën, Komshiq theksoi se Beogradi në vend se t’i kthehet bashkëpunimit, integrimeve euroatlantike dhe stabilizimit të rajonit, me ngulm po tenton të tërheqë “paralele nebuloze mes pjesëve të BeH-së dhe Kosovës”.
“Individë në pushtetin ekzekutiv të Serbisë nuk duhet të mendojnë se me destabilizimin e BeH-së dhe eksportit të problemeve të veta, do të mund ta përforcojnë pozitën e tyre negociuese. Deklaratat e këtilla e shtyjnë Serbinë në konflikte të panevojshme verbale me BeH-në”, theksoi Komshiq.
Sipas tij, autoritetet serbe duhet të pyeten nëse deklaratat e këtilla janë në dobi të Beogradit apo ndoshta e dëmtojnë si Serbinë, ashtu edhe raportet e përgjithshme rajonale.
“Sovraniteti, integriteti dhe posaçërisht kufijtë e Bosnjë e Hercegovinës nuk mund të sillen në pikëpyetje”, shtoi Komshiq.