Evis HALILI
Shkup, 24 dhjetor – Mbi dhjetë milionë denarë ka harxhuar gjatë tre viteve Ministria e Kulturës për të mbështetur krijimtarinë muzikore klasike, me blerjen e dhjetëra veprave nga 39 kompozitorë, shkruan gazeta KOHA. Ky konkurs është ndër të vetmit, i cili konsiderohet nga ky institucion si një prej më efikaseve sa i takon mbështetjes dhe nxitjes së veprimtarisë krijuese. Njëherazi ky është një ndër konkurset ku autorët shqiptarë janë të pakët, jo vetëm si fitues, por edhe si pjesëmarrës. Emri i Fatos Lumanit është ndër të vetmit që figuron në listën e rezultateve nga konkursi më i fundit. Ai është shpallur fitues në kategorinë – kompozimi për kuartet, duke marrë çmimin e dytë. Gjithashtu, Lumani është i vetmi edhe që ka konkurruar në konkurset e mëparshme. Mungesa e kompozitorëve më tepër reflekton në vonesën e ngritjes së një kuadri kompozitorësh, sesa direkt në institucione. Kështu vlerëson artistja Besiana Mehmedi, ish anëtare e komisionit vlerësues në sektorin e muzikës në Ministrinë e Kulturës. Për të më i rëndësishëm mbetet përfaqësimi i artistëve në institucionet kryesore të artit. “Të kemi parasysh se kuadrot si kompozitorë, këngëtarë, instrumentistë të mirë nuk krijohen brenda nate. Më duhet të vlerësoj punën e jashtëzakonshme të UT, ku unë ligjëroj që po nxjerr kuadro dinjitozë. Megjithatë për kuadro duhet kohë dhe investimi i tërë shoqërisë sonë. Nuk është parametër që mat kualitet një projekt i fituar apo jo dhe më tepër kjo ka të bëjë me punën individuale apo stimulimin e artisteve sesa me ndikimin e tyre në institucion”, thotë për KOHA, Besiana Mehmedi. Në sektorin e muzikës, po ashtu, mungesa e interesimit është edhe në konkurse të ngjashme, si në atë për “Artistë të lirë”, ku pavarësisht numrit të madh të produksioneve të pavarura në vite, figuron vetëm emri i Artan Kastratit. Te “Talentet e reja”, po ashtu nuk ka aplikime. “Ka rreth gjashtë konkurse, të cilat janë një mundësi e mirë për promovimin, mbështetjen e artistëve, krijuesve, por nga pjesa shqiptare nuk shfrytëzohen në maksimum. Është për të ardhur keq që numri më i madh i aplikimeve bëhet në konkursin vjetor, ndërsa gjatë vitit konkurrentët i kemi në shifra minimale, apo edhe në shumë raste mungon totalisht interesimi”, thotë Lulëzim Selmani nga sektori i Muzikës. Në konkursin më të fundit të muajit dhjetor u prezantuan gjithsej 34 kompozime, 23 prej të cilave morën çmime, 11 të para, 6 në vend të dytë dhe 6 kompozime në vend të tretë. Shuma e përgjithshme, e cila u nda për këto kompozime ishte mbi dy milionë denarë. “Masat e marra si pjesë e Strategjisë për zhvillimin e kulturës 2013-2017, sollën rezultate të shkëlqyera në këtë drejtim për pasurimin e fondeve nacionale, afirmimin e statusit të autorit dhe kuptohet edhe promovimin e krijimtarisë vendase në suaza ndërkombëtare. Sa i takon stimulimit të krijimtarisë nga sfera e muzikës klasike, konkursi i parë u bë në vitin 2014 me intencën që të nxitet krijimi i veprave për ansamble specifike, për të cilat vite më parë kompozohej shumë pak, por edhe të nxitej krijimi i formave të reja muzikore që janë në rrjedha me trendet muzikore evropiane… Deri tani janë nga katër konkurset janë mbështetur 91 kompozime nga 39 autorë dhe mund të thuhet se ky është një nga konkurset më efektivë që bën Ministria e Kulturës për vlerësimin dhe stimulimin e krijimtarisë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.