Lagjja “Kompleks Planet” me 142 objekte banimi do të ketë edhe dy komplekse: I pari me çerdhe për fëmijë të grup-moshave të ndryshme deri në parashkollor, amfiteatër të jashtëm, postë, bankë, IT-zyrë…, ndërsa kompleksi i dytë me restorant ekskluziv, verandë të madhe, pishinë, SPA-qendër & fitnes. Karakteristikë e vendndodhjes së kësaj lagjeje është ndasia kohore me qytetin e Tetovës që ka vetëm 15 minuta, 15 minuta e ndajnë edhe me Kosovën dhe 15 minuta me qendrën e Shkupit. Këto tipare në këtë rezidencë japin entuziazëm dhe vullnet për jetën
Bisedoi: Zenel MIFTARI
Në këtë vend ku pritjet kanë qenë shumë më të mëdha se çdo vend tjetër në rajon, duke u nisur që nga koha e shndërrimit të këtij vendi nga monizmi në pluralizëm, një vend ku kishim dashur dhe kemi qenë në pritje ka kohë, për të dëgjuar risi me vizion evropian, në këtë vend ku kultura e të jetuarit kanë qenë prezente me themel, vetëm është dashur të përpunohet më parë se kudo tjetër në rajon e më gjerë, por me gjasë tani na qenka koha për t’ua prezantuar, treguar dhe dëshmuar fëmijëve tanë se në ne përveç që është e mbjellur, por edhe po lulëzon kultura e të jetuarit.
Së shpejti, Shkupi po reflekton me një lagje elitare apo rezidencë me kushte dhe mundësi jetese për të gjithë. Ajo që na jep edhe më tepër vullnet për ta shpalosur këtë risi, sepse ky projekt është realizuar dhe po vazhdon së zhvilluari deri në përfundimin e vilës së fundit nga një femër. Valdeta Kasapi, rrjedhimisht duke na e shpalosur rrugëtimin deri në fazën e ndërtimit, të cilin po e realizon me një firmë vendore, sepse ajo ka insistuar t’i jepet mundësia ndërtuesit vendor, na duket sikur ajo ka ecur nëpër akull, por që të gjithë e kemi parasysh se kjo lagje me aq shumë shërbime në të, nuk mund të ketë qenë edhe e lehtë.
Ajo mbi të gjitha vazhdimisht falënderon të gjithë, qoftë edhe ata që moralisht kanë ndihmuar në këtë arritje, veçmas të punësuarit dhe ekipin e Komunës së Sarajit, si dhe kryesinë, komisionin i cili u morën gjatë gjithë kohës me këtë. Gjithashtu, falënderime ju drejtohen edhe gjithë ekipit të Avokatit të Shtetit për çështje pronësie, që me korrektësi dhe profesionalizëm kanë kulluar dhe filtruar këtë projekt sikur ta kishin ditur se ajo, qoftë edhe me vonesa, dëshiron të jetë ligjërisht e kapshme dhe mbrojtur. Sipas asaj, ka pasur shumë zëra që të fillohet së ndërtuari duke e vazhduar edhe procesin e grumbullimit të dokumentacionit, por nuk jam dëshiruese, thotë ajo, e fillimit të një nisme po qe se nuk ka bazë ligjore.
KOHA: Si është ndjenja t’a paraqitni idenë në letër dhe më pas të jeni vështrues i realizimit të asaj që ti krijove?
KASAPI: Kësaj pyetje do ti jap dy kahe, njëra do të jetë ajo profesionale, ku si ndjekëse e studimeve të magjistraturës më përgatitën që prej një vije apo një pike të paraqitur në letër, të arrihet deri te një objekt apo formë e synuar e cilitdo format. Kuptohet që përvoja në këtë drejtim, të bën të mendosh se ekziston mundësi reale dhe këtë e them me shumë bindje të fortë, se çdo gjë është e realizueshme në jetë, ajo e cila paraprakisht është e paraqitur edhe në letër.
Në jetën time çdoherë më kanë mahnitur gjërat e bukura, ato të cilat të gjithë i kanë shijuar, ato për të cilat të gjithë kanë përfituar dhe asnjëherë nuk më ka ndodhur që ti rrekem një aktiviteti, i cili nuk ka të bëj me mua, ajo e cila nuk më përket mua. Ne si qenie edhe jemi përshtatëse, adaptibile në çdo gjë, por kur them nuk i përket vetes sime e them në aspektin profesional, që do të thotë, aty ku unë nuk kam edukim profesional apo njohuri profesionale, por vetëm të përgjithshme, atëherë vlerë të madhe ka për mua çdo gjë që thuhet e shkruhet nga profesionisti i secilës lëmi. Besoj, se më tutje do ta shtjellojmë më tepër këtë temë, ti kthehem tash pyetjes së ndjenjës së krijimit. Vet fakti si femër që jam, di ta përcjellë zhvillimin e një krijese. Tri krijesa të mija, siç janë Edona, Anda, dhe Arti, të cilët gradualisht i përcjellë, ndikoj, formoj, arsimoj, ngrit, vetëdijësoj deri në epitetin njerëz, prej të cilëve familja, kjo shoqëri, ky sistem jetese, ky sistem funksionimi shtetëror, do të ketë levërdisje. Nuk dua të tingëllojë si feministe, sepse nuk jam rritur në atë frymë, por si duket ndjenja e krijimit biologjik për të cilat pareshtur “luftojmë’, na bën neve si femra të gatshme për të luftuar deri te caku, me qëllime të mira.
KOHA: Nga u paraqit ideja për të realizuar një projekt të këtillë, me parametra kaq të larta, pra do ti përdorë shprehjet e tua, “nga vija apo pika e deri në formë” aq të madhe sa as letra nuk e zë?
KASAPI: Shumë e thjesht duket në thënie, por jo pak e lehtë për të ardhur deri te ajo forma që e përmendëm. Nisma e gjithë kësaj ishte të krijojmë familjarisht një vend ku do të ndjehemi komfor, ashtu siç e meritojmë të jetojmë. Jo se ne ndjeheshim keq aty ku ishim, por jam ithtare e ndryshimeve të mëdha edhe në karrierë dhe në çdo aspekt tjetër. Këtë e vërteton edhe ecja ime në rrugën profesionale, me çka biografia ime është shumë e larmishme, që në ecjet botërore do të pranoheshin me shumë vlerë, kurse te ne e pakapshme dhe e pakuptueshme ende.
Nga dëshira e të jetuar mirë familjarisht, kuptohet u zgjerua, me tendencën se kjo mënyrë e të jetuarit nuk më kënaq vetëm, po qoftë edhe me një grup të vogël, por do të tentoj dhe kërkoj që këtë ta gëzojmë shumica. Nuk mund të jam egoiste dhe të mos tregoj se kur shkoja në Kosovë, prej nga edhe e kam prejardhjen time nga të dy prindërit, me ëndje shikoja gjithçka që ata kishin arritur, gjithçka që ata po realizojnë dhe zhvillojnë dhe gjithmonë jam shprehur kështu: në atë gjendje të rëndë, para dhe paslufte, mos të diskutojmë gjatë luftës, kosovarët morën rrugën e kurbetit, duke mos ditur se a do të kthehen ndonjëherë, arritën të kthehen edhe atë tani me “municionin” më të sofistikuar për zhvillim të vetes, të qytetit, të shtetit dhe ja ku janë. Duke u nisur nga Kaçaniku e deri në pafund, në dyja anët, kah do që ta kthesh kokën të dalin para godinat e mëdha, të cilat i kanë arritur me djersën e tyre. Lagjet elitare, posaçërisht ishin pika e dobët e imja, të cilat rezultojnë me një kulturë të të jetuarit, komforditet, të them me “standard evropian” më duket veç sa do ta ngarkoj këtë intervistë, sepse nuk di në Evropë a kanë koncepte të tilla, por edhe të ishin nuk më rezultojnë të tilla. Ndërkaq, ne, kë presim!? Unë çka pres?!
Me idenë në kokë, por edhe në dorë, trokita në komunën shqiptare, në Saraj, me hapësirë më të madhe dhe resurse më të mëdha, këtë komunë mund ta quaj edhe “burim”, e cila jo shumë kishte dhënë deri atëherë, para 6 viteve, kur edhe unë nisa këtë projekt. Tani situata edhe aty ka ndryshuar për të mire, duke e marrë parasysh faktin se shumë shpejt do të na befason me ndërtimin dhe rindërtimin e Liqenit Treska, piku apo “plaga” nostalgjike e shkupjanëve, e duhura dhe e domosdoshmja me shumë kapacitet në shumë sfera.
KOHA: Aq shumë kohë ju ka shkuar për ta realizuar një projekt të këtillë, të cilën besoj nuk e keni pa emër?
KASAPI: Nuk do të besonit se projekti i arkitekturës, me të gjitha shtesat, siç janë uji dhe kanalizimi, elektrika, statika ishin gati vitin e parë, e cila më mori disa muaj së bashku me planifikimin hapësinor, e cila ishte pak më e vështirë dhe shumë më e rëndësishme, ndër më të rëndësishmet e këtij projekti, hasi në disa pengesa institucionale, të cilat u zgjidhën me shumë elokuencë në bashkëpunim me inxhinierin e ndërtimit, inxh.Ibrahim Ferati dhe arkitektin Igor Nedelkovski. Duke marrë parasysh faktin se vendin tonë e kaploi sëmundja “zgjedhje” – edhe atë vendore, parlamentare, presidenciale, për të gjitha kisha pengesa të llojit: ndalesa, apo mund të them edhe bllokime totale të komunave, institucioneve qoftë lokale, qendrore e kështu me radhë.
Kjo që kalova unë e sigurisht edhe shumë si unë ishte një fazë e “epidemisë politike”, e tani edhe pse unë kam shumë pak më prekshmëri me administratën, fokusi im është kthyer nga ajo teknike, që do të thotë, në ndërtim, sepse jemi në fazën e fundit të marrjes së lejeve të ndërtimit të shtëpive, megjithatë dëshiroj që pushteti, të mendon dhe të ketë kujdes shumë në ekonominë e vendit, bizneset vendore, investimet vendore dhe zakonisht këtu jam e zëshme në disa statuse të mija edhe në rrjetet sociale. Të theksoj, jo tani për interesa të mija, por për të gjithë, sepse në këto kënde, qëndron përparimi jonë.
Burokracia administrative, gjithashtu duhet të jetë më agjile dhe duhet të shtyhen proceset e këtyre projekteve, të cilat nisin me asgjë e përfundojnë me sukses, sidomos të pastërta si “loti” me të komplet dokumentacionin e duhur. Eh, tani tua them emrin e kësaj lagje, e cila ligjërisht quhet Lagje Elitare, ndërkaq, emrin ia kam dhënë unë personalisht – KOMPLEKS PLANET, e cila ka domethënien e vet. Jetojmë në këtë lagje sikur në një planet tjetër, me ajër më ndryshe nga qendra e qytetit, me gjelbërim më ndryshe se qendra e qytetit, me kushte komplet më ndryshe se qendra e qytetit, andaj emri i kësaj lagjeje, sepse aty do të gërshetohen emrat e rrugëve të emëruara me emrat e planetëve tjera, e të cilat në vete përbëjnë, një kompleks.
KOHA: Na tregoni Valdeta, çfarë përmban kjo lagje?
KASAPI: Një gjë që ke krijuar dhe realizuar me shumë kënaqësi shpjegohet. Lagjja përmban 142 objekte banimi dhe pak më shumë njësi banimi që t’u mundësohet edhe atyre që mendojnë në hapësira me metër katrorë më shumë dhe më pak. Me infrastrukturë dhe superstrukturë të rregulluar paraprakisht.
Në këtë lagje do të ketë edhe dy komplekse, me çka në kompleksin e pare do të ketë çerdhe për fëmijë të grup-moshave të ndryshme deri në parashkollor, me një amfiteatër të jashtëm, për interesat e çerdhes dhe të lagjes, postë, bankë, IT-zyrë, e cila do të kujdeset për çdo gjë që ka të bëj me teknologjinë në lagje dhe për lagjen, do të ekzistojë një poliklinikë ditore, një kuzhinë e cila do t’ua lehtëson zonjave të shtëpisë (hahahah) një Café-Lunch Bar. Ndoshta edhe mund të më ik diçka, por besoj se të gjitha këto do të jenë të paraqitura në faqen e internetit, të cilën jemi duke e përgatitur.
Në kompleksin e dytë kemi planifikuar, restorant ekskluziv, me verandë të madhe, me pishinë gjithashtu sipas hapësirës, SPA-qendër & fitnes. Shtëpitë në kompleks janë me arkitekturë luksoze dhe unike. Zgjidhja arkitektonike në harmoni me natyrën dhe relievin e bën këtë kompleks të shijosh një pamje fantastike. Falë vendndodhjes në një hapësirë të bollshme, rezidenca është larg zhurmave dhe pluhurit të qytetit dhe ka një ajër shumë të pastër. Përbën 150.000 metra katrorë, prej të cilave afër 50 mijë metra katrorë, do të shfrytëzohen për rrugët dhe parkingje të komplekseve brenda rezidencës, ndërkaq tjetra i takon shtëpive së bashku me gjelbërimin, i cili do të merr 25% nga hapësira e përgjithshme, por që në afërsi rezidenca ka përshirë një park prej 50.000 metrave katror shtesë, e cila i jepet në shërbim rezidencës, ku do të ketë shtigje vrapimi me ulëse, fontana për rekreim, parqe të lojërave për fëmijë dhe fitnes të jashtëm, gjithashtu është planifikuar edhe Heliodrom-H.
Ky koncept është i gërshetuar me natyrën dhe ruajtjen e saj. Kjo është filozofia me të cilën nisa dhe përpiqem ta përcjelli edhe te banorët e kësaj lagjeje: “One of the main aims in life is to enjoy it…”. Pikërisht për këtë arsye, hapësirat e gjelbëruara në “Kompleks Planet” zënë një pjesë të konsiderueshme të lagjes. Përveç sigurisë në rezidencë, e cila i jep cilësinë, natyra e pastër dhe e qetë si dhe punimet, të cilat do të jenë të cilësisë së lartë dhe me arkitekturë profesionale, e bën këtë pronë një investim të përshtatshëm për të gjithë ata që do të investojnë. Pozita strategjike e saj, të gjithë banorëve u mundëson shpejtësi edhe në aktivitet e tyre të punës së përditshme sepse nga qendra e qytetit këtë lagje e ndajnë vetëm 10 kilometra.
Është një karakteristikë e vendndodhjes së kësaj lagjeje, sepse ndasi kohore me qytetin e Tetovës ka vetëm 15 minuta, 15 minuta e ndajnë edhe me Kosovën dhe 15 minuta me qendrën e Shkupit. Këto tipare në këtë rezidencë japin entuziazëm dhe vullnet për jetën. Sa i përket vilave, ato do të jenë të paraqitura në faqen e internetit, e cila është në përfundim e sipër, e përgatitur nga ekipi im i dy të rinjve entuziastë. Do të jenë befasi për opinionin siç edhe do të jenë vilat deri në prezantimin e tyre përmbajtjesor edhe virtual nga ana jonë.