Me masat e paralajmëruara shtrënguese sërish do të ketë ulje të të ardhurave, që ndikon në lëshimin e punëtorëve nga puna. Analizat tregojnë se masat duhet të riorientohen në rikualifikimin e një pjese të punësuarve dhe vazhdimin e përkrahjes
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 30 nëntor – Kompanitë më të goditura nga pandemia kërkojnë ndihmë më gjithë përfshirëse për tejkalimin e telasheve të tyre. Turizmi, hoteleria, tekstili dhe industria e automobilizmit kërkojnë vazhdimin e ndihmës për të dalë nga kriza. Njëherësh studimet tregojnë se edhe disa degë të industrisë (automobilizmi, eletro-mekanike dhe metalike) ngadalë po e marrin veten, pas rënies edhe deri në 80 për qind në gjysmën e parë të vitit. Megjithatë skenarët për daljen nga kriza do të varen nga gjendja globale me pandeminë , si dhe masat përkatëse për përkrahje të mëtejshme.
Kompanitë nga sektori i turizmit varen tepër nga gjendja me pandeminë, dhe pas karantinës së disahershme në pranverë në tre mujorin e dytë shënojnë një rritje të vogël. Mirëpo me masat e paralajmëruara shtrënguese sërish do të ketë ulje të të ardhurave, që ndikon në lëshimin e punëtorëve nga puna. Analizat tregojnë se masat duhet të riorientohen në rikualifikimin e një pjese të punësuarve dhe vazhdimin e përkrahjes. Sektori i tekstilit nuk mund të mbështetet vetëm në qepjen e maskave si në tremujorin e dytë, ndërsa edhe në këtë sektor nevojitet vazhdimi i suportit shtetëror.
Profesori universitar Darko Lazarov, që morri pjesë në analizën e mbështetur nga USAID, me mbështetje të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Odës Ekonomike, Lidhjes së Odave Ekonomike dhe Odës së Teknologjisë Informatike, thotë se masat e deritanishme të Qeverisë kanë ndihmuar diku më shumë e diku më pak. “Masa pozitive nga bizneset vlerësohen ato për subvencionimin e pagave, sigurimin e linjave të volitshme të kredive, uljen e doganës për një pjesë të repromaterialeve etj. Megjithatë vërejtje ka për realizimin e tërësishëm të masave të paralajmëruara në favor të përkrahjes së kompanive“, shton Lazarov. Nga ana tjetër, eksperti i turizmit, Kristijan Xhambazovski, thotë se, për sektorin e turizmit dhe hotelerisë dhe turizmit nevojitet jo vetëm vazhdimi i përkrahjes, por edhe zgjidhje sistemore të më shumë problemeve, me formimin e një Komiteti për turizëm që do të ndihmojë tejkalimin e problemeve dhe pengesave në zhvillimin e turizmit. Në ndërkohë industria e tekstilit shënon sërish rënie të porosive në tremujorin e tretë të vitit, ndërsa analizat tregojnë se pakoja e re e masave apo suporti për pagat nuk do të jetë i dobishëm për këtë sektor.
Natasha Sivevska nga Sektori i tekstilit thotë nga fundi i shtatorit ka treguar rënie për 50 për qind të porosive në këtë sektor, që i vendosi këto kompani në dilemën se si të punojnë tutje, si të ristrukturohen që të mbesin likuide. Nga ana tjetër, edhe hulumtimet dhe anketat e shoqatave që përfaqësojnë biznesin tregojnë një rënie të madhe të punës së kompanive private në shtet.
Dy të tretat e bizneseve të anketuar ankohen se kanë dëme të mëdha në punë, një pjesë e madhe e tyre janë të detyruara të largojnë punëtorët nga puna, ndërsa më shumë biznese edhe kanë mbyllur dyert e aktiviteteve të tyre. Anketa ku në një pjesë të madhe kanë marrë pjesë anëtaret e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë, dhe më pak të Konfederatës së Biznesit tregojnë tkurrje të madhe të punës së sektorit privat në shtet. Të dhënat e anketës tregojnë se bile 82 për qind e kompanive kanë paraqitur humbje të rëndësishme financiare, apo kanë pasur ndërprerje të përkohshme të punës. Rreth 45 për qind e firmave të anketuara janë ballafaquar me uljen e të ardhurave për gjysmë në raport me rezultatet paraprake, ndërsa 11 për qind kanë mbyllur bizneset e tyre. Si më të prekshme dhe të goditura janë treguar mikro firmat me pak të punësuar që rëndom kanë edhe pak kapital qarkullues dhe rezerva, që kanë pasur përgjysmimin e të ardhurave. Në mënyrë shtesë, së paku 20 për qind e firmave të vogla kanë falimentuar.
Si duket bizneset e mëdha po i mbijetojnë më lehtë krizës. Deri tani asnjë kompani e madhe nuk është mbyllur as përkohësisht, mirëpo gati gjysma e kompanive të mëdha kanë treguar ulje të të ardhurave për 50 për qind.
“Pjesa më e madhe e firmave që kanë paraqitur humbje të të ardhurave, punojnë në sektorët e goditur nga ndalesa qeveritare për punë dhe ora policore si transporti, magazinimi, akomodimi dhe shërbimet e ushqimit, ndërtimtaria, tregtia etj”, thuhet më tej në hulumtim. Njëherësh kompanitë thonë se sfida të përbashkëta që ndikojnë në punën e tyre si rënia e kërkesës për shërbimet dhe prodhimet e tyre, besimi më i dobët i partnerëve dhe ndërprerja në furnizim me repromateriale. Njëherësh, hulumtimi ka konfirmuar se sfida të tilla kanë ndikuar edhe në fitimin dhe qarkullimin e bile 90 për qind të ndërmarrjeve. Gjithashtu, sfidat e tilla kanë ndikuar më mbi 90 për qind të firmave dhe kanë qenë larg parashikimeve fillestare që kanë parashikuar bizneset për këtë vit. Për të evituar pasojat e krizës, 70 për qind e firmave kanë ulur orët e punës, gjysma kanë vendosur pushim të paguar, ndërsa 30 për qind kanë aplikuar organizim të ri të punës , tregti elektronike dhe të ngjashme. Gjithashtu theksohet se 60 për qind kompanive të vogla dhe mikro me deri 10 apo më shumë se dhjetë punëtorë nuk mund të qëndrojnë rezistent tre muaj ndaj një krize të tillë.
Edhe në këtë anketë, bizneset sërish kërkojnë që masat qeveritare për mbështetje të jenë më gjithëpërfshirëse. Si masë shumë e dobishme theksohet anulimi i pagesës së tatimeve, që gjysma e kompanive e kanë shfrytëzuar për të fituar kredi me kushte të volitshme apo kredi pa kamatë. Një pjesë e firmat kanë kontestuar edhe disa prej kritereve për tu kualifikuar për fitimin e ndihmave shtetërore, dhe sidomos kriterin për të ruajtur numrin e njëjtë të punëtorëve deri në shtator. Kërkohet edhe rritje e qasjes ndaj kredive për likuiditet, zgjerim i programeve për subvencionimin e pagave, dhe kthimin më të shpejtë në normalitet në raport me funksionet e administratës dhe shërbimet që ju nevojiten kompanive. Kjo nënkupton edhe një sistem administratë efikase, përforcim i sundimit të së drejtës, dhe ulje shtesë dhe rivlerësim i nevojës për numrin e pagesave të mëdha parafiskale, apo kompensimeve jashtë tatimeve, konstaton anketa e punëdhënësve në vend. (koha.mk)