Shkup, 14 janar – Me ndryshimet e fundit përfshirja e punëtorëve të falimentuar të cilët do të sigurohen materialisht deri në pensionimin e tyre zgjerohet edhe për 1.000 persona, kumtuan nga shërbimi qeveritar për shtyp, pasi që në mbledhjen e sotme Kuvendi i votoi ndryshimet dhe plotësimet më të reja të Ligjit për sigurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi dominuese shtetërore, transmeton gazeta KOHA.
Njëherit, me ndryshimet e fundit, numri i përgjithshëm i falimentuesve të siguruar materialisht të cilët i zgjidhi kjo Qeveri për dy vite e gjysmë është 12.000.
“Ligji hyn në fuqi me publikimin në Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe u bëjmë thirrje punëtorëve të falimentuar prej të premtes të parashtrojnë kërkesë në Qendrat për punësim në mënyrë që të mund ta realizojnë të drejtën e shfrytëzimit të kompensimit mujor prej rreth 8.000 denarëve”, cekën nga shërbimi qeveritar për shtyp.
Theksuan se prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale është lufta kundër varfërisë dhe përmirësimi i kushteve për jetë të çdo individi në shtet.(koha.mk)