Për herë të parë pas pavarësimit të Maqedonisë, duke filluar nga 16 maji, kompanitë nga sektori i biznesit privat do të kenë mundësinë e financimit të zhvillimit teknologjik, që nënkupton blerjen dhe aplikimin e teknologjisë së re, e cila do të rritë konkurrencën. Të gjitha kompanitë makro, të mesme dhe të vogla në Maqedoni do të mund të aplikojnë për marrjen e mjeteve financiare për investime, të cilat do t’i kenë në llogarinë e tyre bankare brenda 60 ditëve nga dita që ata do të aplikojnë
Zejnulla VESELI
Shkup, 18 maj – Në kuadër të planit për rritje ekonomike dhe investime, nga dita e mërkurë (16 maj) për të gjitha kompanitë makro, të mesme dhe të vogla në Maqedoni ka filluar aplikimi për marrjen e mjeteve financiare për investime. Siç bëri të ditur edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Koço Angjushev, të gjitha kompanitë vendore makro, të mesme dhe të vogla që do të aplikojnë për mbështetje financiare nga Qeveria, të hollat do t’i kenë në llogarinë e tyre bankare brenda 60 ditëve, shkruan gazeta KOHA.
“Ligji ka hyrë në fuqi nga 16 maji dhe të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme mund të aplikojnë për marrjen e mbështetjes financiare. Ekonomia e Maqedonisë duhet patjetër të orientohet nga eksporti dhe të jetë sa ma konkurrente në tregjet e treta. Prandaj dhe ideja e Qeverisë aktuale është që me këto mjete financiare t’ju ndihmohet të gjitha firmave nga sektori i biznesit privat që duan të rrisin kapacitetet e tyre prodhuese”, sqaron Angjushev. Ai gjithashtu informoi se qysh në thirrjen e parë publike, planifikohet që të ndahen 185 milionë denarë apo rreth 30 milion euro, që tashmë janë siguruar nga Qeveria, kurse deri në fund të këtij viti planifikohen edhe dy thirrje publike. Shuma totale e mjeteve që do të ndahen duhet të arrijë në 645 milionë denarë apo mbi 100 milionë euro, ndërkaq kushtet që kompanitë duhet t’i plotësojnë, janë definuar për çdo masë në veçanti dhe bazohen në numrin e të punësuarve, të ardhurat vjetore, strukturën pronësore si dhe përmbushjen e detyrimeve financiare ndaj furnizuesit”, nënvizon Angjushev.
Sa i përket këtyre masave stimuluese të Qeverisë, nga Oda Ekonomike Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP) shtrojnë nevojën e zgjerimit të listës me sektorët tjerë që kanë potencial të madh për ekonominë vendore duke përfshirë këtu edhe zhvillimin e barabartë rajonal.
Arben Halili është i mendimit se përveç sektorit të prodhimit duhet të përfshihen edhe sektorët që kanë ndikim në krijimin e BPV-në në vend. Sipas tij duhet të parashihen edhe masa të veçanta për kompanitë që vijnë nga viset rurale dhe bizneset e udhëhequra nga gratë.
“Ligji për masat e reja të promovuar nga ana e qeverisë, paraqesin një paketë atraktive në aspekt të afirmimit dhe mbështetjes së iniciativave biznesore, me theks të veçantë të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Si të tilla ato duhet të shërbejnë edhe si një katalizator në aspekt të formalizimit të tërësishëm ë veprimtarive afariste të kompanive”, nënvizon për KOHA,Halili nga OEMVP-ja, duke potencuar se rezultati financiar i kompanive në vitet paraprake është shumë i rëndësishëm dhe kjo është një prej arsyeve që përmes këtyre masave të shkohet edhe drejt formalizimit të tërësishëm të veprimtarisë.
“Vlerësoj që kompanitë pavarësisht nga rajoni ku ushtrojnë veprimtarinë, janë të barabarta në start në aspekt të përmbushjes së kushteve për aplikim dhe në këtë drejtim edhe kompanitë shqiptare nuk dyshoj që janë potencial i mirë për të shfrytëzuar këto lloj burime të financimit. Ajo që duhet marrë në konsideratë është gatishmëria e kompanive për të besuar që këto fonde janë reale dhe për të aplikuar duhet plotësuar kushtet e parapara, ndonëse kompanitë shqiptare sikur nuk besojnë shumë në sigurimin e mjeteve përmes këtyre fondeve dhe padyshim që kjo lloj praktike duhet të ndryshojë”, thotë Arben Halili nga Oda Ekonomike Veriperëndimore. (koha.mk)