Kryetari i Organizatës së Punëdhënësve në Maqedoni, Angel Dimitrov, theksoi se në përgjithësi – ne mbetemi prapa trendeve botërore sa i përket aplikimit të teknologjisë moderne, e cila është rezultat i strukturës së ekonomisë. Sepse, siç tha ai, kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme te ne dominojnë me vlerë të shtuar dhe aktivitete ku mbizotëron puna e krahut
Zenel MIFTARI
Shkup, 16 shkurt – Pandemia globale me virusin korona ka ndryshuar zakonet e përditshme të komunikimit dhe punës së përditshme. Pandemia me virusin korona detyroji një numër të madh të kompanive që të ndryshojnë mënyrën e tyre të punës, në mënyrë që ta mbajnë biznesin e tyre. Për shkak të shpërndarjes së virusit korona, takimet e ndryshme, koncerte, panaire dhe shumë evenimente tjera kulturore u anuluan. Si pasojë e kësaj u përshpejtua procesi i digjitalizimit të kompanive, të cilat u orientuan në avancimin e aftësive digjitale. Mënyra e re e komunikimit dhe mbajtjes së mbledhjeve u imponua për shkak të pamundësisë së takimeve me prani fizike dhe udhëtime jashtë vendit. Kompanitë në vendin tonë kryesisht janë digjitalizuar në fushën e komunikimit, duke përdorur platformat e komunikimit. Digjitalizimi gjithashtu ka modifikuar edhe punën nga shtëpia duke u dhënë punonjësve të gjitha shërbimet që nuk kërkojnë prani fizike, por që kërkon pajisje të përshtatshme, rrjet virtual, funksionimin dhe ruajtjen e të dhënave gjatë krizës botërore me virusin korona. Të kufizuar nga masat kufizuese, u zbatuan zgjidhjet për të punuar në modalitetin e largët ose digjitalizimi në të gjitha nivelet e mundshme.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë (OEM) thonë se numri më i madh i kompanive tani më kanë kthyer kokën nga interneti dhe digjitalizimi si një nga kanalet më të rëndësishme të shitjeve dhe logjistikës. Ata thonë se edhe edukimi dhe trajnimet e ndryshme po vazhdojnë të mbahen përmes seminareve të ndryshme dhe platformave të komunikimit në pamundësi të pranisë fizike. “Panairet janë zëvendësuar me ato virtuale, derisa edhe numri i shitjeve po rritet vazhdimisht. Në ndërkohë, operatorët e Telekomit po vërejnë trefishim të trafikut në internet dhe nevojën për pajisje të reja. Për shkak të krizës shëndetësore, ka një rritje edhe të digjitalizimit të përshpejtuar të arsimit”, shprehen nga OEM. Sipas tyre, tani më takimet tradicionale janë zhvendosur në mjetet e komunikimit, të tilla si Tims, Zoom, Skype, etj. Nga atje, gjithashtu kanë thënë se edhe pse kompani të shumtë janë përshtatur, ka pasur raste kur disa prej tyre janë përballur me sfida për sa i përket komunikimit me klientët, shitjeve dhe marketingut, ku nuk kanë pasur mundësi të digjitalizohen aq shpejtë dhe në mënyrë të thjeshtë.
Danela Arsovska, kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë, ka deklaruar se digjitalizimi rrit mundësinë e rritjes së të ardhurave në ndërmarrjet dhe siguron një avantazh në konkurrencë. “Ky proces është i nevojshëm për të rritur aftësinë konkurruese, veçanërisht për konkurrencën për pozitat udhëheqëse në sektorin në të cilin operon, si dhe për rritjen dhe zhvillimin e suksesshëm të biznesit. Pandemia ka përshpejtuar padyshim procesin e digjitalizimit, por problemi është se digjitalizimi kërkon investime, të cilat janë më të vështira për tu siguruar në kohë krize”, theksoi ajo. Prandaj, sipas asaj, shteti duhet të siguroj mbështetje më të mirë për proceset e digjitalizimit, veçanërisht për ndërmarrjet mikro dhe të vogla si dhe të zhvilloj modele të përshtatshme për futjen e proceseve digjitale në treg.
Në anën tjetër, kryetari i Organizatës së Punëdhënësve në Maqedoni, Angel Dimitrov, theksoi se në përgjithësi – ne mbetemi prapa trendeve botërore sa i përket aplikimit të teknologjisë moderne, e cila është rezultat i strukturës së ekonomisë. Sepse, siç tha ai, kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme te ne dominojnë me vlerë të shtuar dhe aktivitete ku mbizotëron puna e krahut. “Edhe kompanitë që erdhën në zonat e zhvillimit teknologjik-industrial nuk e ndryshuan shumë strukturën. Arsimi duhet të ngrihet në një nivel më të lartë dhe certifikatat dhe diplomat duhet të garantojnë një nivel të caktuar të njohurive. Përndryshe, kompanitë janë të detyruara të investojnë në trajnime dhe rikualifikime shtesë, gjë që rrit kostot e tyre dhe i bën ato jo konkurruese”, shprehet Dimitrov. Ai në fund ka shtuar se kompanitë duhet të investojnë në pajisje moderne dhe teknologji të re. Ndërkohë, ekspertët theksojnë se për ekonominë e Maqedonisë së Veriut, viti që kaloi për shkak të pandemisë së virusit korona ka qenë një ndër vitet më të vështira që nga pavarësia e shtetit, sa i përket mbijetesës së më shumë bizneseve pasi dëmet do të jenë shumë vështirë të rikuperohen. (koha.mk)