Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë baza e ekonomisë. Ato janë kreatorë të numrit më të madh të vendeve të punës tek ne, marrin pjesë në krijimin e mbi gjysmës së bruto prodhimit vendor dhe paraqesin 99 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve që punojnë tek ne
Zejnulla VESELI
Shkup, 1 gusht – Kompanitë, posaçërisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, vështirë arrijnë të marrin kredi nga bankat komerciale. Edhe pse bankat vendore financiarisht janë stabile, megjithatë, qasja deri te financat për ndërmarrjet e vogla është e vështirësuar. Sektori bankar në vend llogaritet për profitabil dhe fitimprurës, por kur bëhet fjalë për kreditim të kompanive, bankat ende janë skeptike, posaçërisht ndaj firmave të vogla, ashtu që paratë deri te ata arrijnë me vështirësi, shkruan gazeta KOHA.
“Kreditimi i familjeve rritet më shumë nga relacion me kreditimin korporativ. Shkalla e rritjes është relativisht stabile dhe është rreth 10 për qind në vit mesatarisht, në 5-6 vitet e kaluara. Prirja më e fortë e bankave për kreditim të familjeve bazohet në rrezikun më të ulët, që del nga këto kredi, procedurat më të thjeshta për miratim, gjegjësisht për vlerësim të aftësisë kredituese të marrësve të kredisë dhe sigurisë, që shitet më lehtë”, thonë nga Banka popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga BPRMV shtojnë se në rrethana të këtilla, stimul për kreditim më të madh të familjeve janë pagesat solide dhe rrjedhimisht kualiteti i mirë i portfolios kredituese të bankave ndaj familjeve. “Nga ana tjetër, me siguri edhe interesimi është më i madh për futje në kredi të familjeve, në kushte të shkallëve të ulëta historike të interesit, rritja e punësimit dhe pagesave, rritja e të ardhurave të disponueshme. Edhe pse pjesa më e madhe e mbështetjes kredituese të familjeve është e fokusuar në financim të asaj të konsumatorit, prej mesit të vitit 2015, kreditë banesore janë segmenti në rritje më të shpejtë e portfolios kreditore të familjeve”, shtojnë nga Banka popullore.
Biznesmenët alarmojnë me vite se kompanitë kanë probleme gjatë sigurimit të financave për punën e tyre, por megjithatë gjendjet nuk kanë ndryshuar në mënyrë drastike.
“Nëse dëshirojmë të blejmë ndonjë makinë, ose ndonjë lloj të pajisjes, shumica e bankave nuk do të pranojnë makinën si kolateral, por do të kërkojnë banesë ose ndonjë patundshmëri tjetër në lokacion atraktiv të qytetit si garanci për makinën. Kjo, sipas meje, nuk ka logjikë, sepse nëse dëshirojmë të blejmë 100 makina, nuk kemi 100 banesa për garanci”, thotë Trajan Angellovski, anëtar i këshillit drejtues të Lidhjes së Odave ekonomike.
Megjithatë, nga Banka popullore thonë se në vitet e fundit vërehet përmirësim i gjendjes me kreditimin e kompanive.
“Në lidhje me kreditimin korporativ, parë përmes hulumtimeve tona anketuese, për një periudhë të gjatë është vërejtur lehtësimi i kushteve për kredi dhe rritje e kërkesës. Në të njëjtën kohë, sinjal pozitiv është ajo që kreditimi korporativ merr intensitet gjatë dy viteve të fundit. Kështu, në vitin 2017 dhe 2018, rreth një e treta e rritjes së kredive ishte e orientuar në drejtim të sektorit korporativ., që paraqet përmirësim në lidhje me kontributin në periudhën e kaluar. Këto tendenca vazhduan edhe në gjysmën e parë të vitit 2019, ashtu që kreditë korporatave në fund të muajit qershor shënojnë rritje vjetore prej 6.4 për qind dhe kapin rreth 40 për qind të ndryshimit vjetor të kredive në përgjithësi”, thonë nga ky institucion.
Nga BPRMV shtojnë se kontribut në këtë kanë gjithsesi edhe indikatorët pozitiv për profitabilitet, borxhit dhe aftësisë për pagesë të rregullt të obligimeve të sektorit korporativ, por para së gjithash pagesa më e mirë e kërkesave të bankave nga ky sektor, posaçërisht nga kuartali i parë i vitit 2018. “Kjo është e dukshme edhe përmes perceptimeve pozitive të bankave për këtë sektor, siç shihet në anketat për aktivitetet kredituese. Mbetet gjithsesi të përcillet nëse këto tendenca do të vazhdojnë në periudhë më të gjatë”, theksojnë nga Banka popullore.
Për përmirësimin e gjendjes dhe qasjen më të lehtë deri te paratë e freskëta për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, kompanitë i kanë në dispozicion paratë e Bankës evropiane për investime. Gjatë kësaj jave miratohen mjetet nga kësti i dytë i kredive të volitshme në shumë prej 16 milion euro, me të cilat do të financohen 53 firma të vogla dhe të mesme.
“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë baza e ekonomisë. Ato janë kreatorë të numrit më të madh të vendeve të punës tek ne, marrin pjesë në krijimin e mbi gjysmës së bruto prodhimit vendor dhe paraqesin 99 për qind të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve që punojnë tek ne. Për fat të keq, qasja deri te kapitali dhe kreditë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është shumë më e vështirë në krahasim me kompanitë e mëdha. Për këtë qëllim, Qeveria përmes kredive të volitshme përmes Bankës për zhvillim dhe përmes masave të tjera i jep mbështetje këtij sektori. Ne përpiqemi që të zhvillohen aktiviteti investues, sipërmarrësia, të krijohen vende të reja të punës”, theksoi zëvendësministrja e financave, Shiret Elezi. (koha.mk)