Zejnullah VESELI
Shkup, 8 shkurt – Kompanitë në Maqedoni në vit humbin rreth 15 për qind nga shitja për shkak të pengesave në biznes, shkruan gazeta KOHA. Kjo është më shumë se mesatarja (13,5 për qind) e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa me lartë se mesatarja e 11 vendeve ish socialiste të cilat janë anëtare të BE-së (Hungaria, Polonia, Bullgaria, Rumania, Çekia, Sllovakia, Kroacia, Lituania, Sllovenia, Letonia dhe Estonia), ku humbja në shitje e kompanive për shkak të pengesave në biznes mesatarisht është 9,8 për qind. Ky konstatim del nga dokumenti për “Performancat e kompanive dhe pengesat në udhëheqjen e biznesit në Ballkanin Perëndimor” të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili u publikua të premten. Sipas këtij dokumenti, humbjet e këtilla në shitje rezultojnë nga katër segmente: krimi, probleme me energjinë elektrike, infrastruktura e transportit dhe korrupsioni i drejtpërdrejtë. Megjithatë, problemet kyçe prej të cilave ankohen kompanitë ndërlidhen me ekonominë e zezë, jostabilitetin politik, qasjen në financa, e të tjera.
Pas standardeve evropiane
Dokumenti punues i BERZH përpiqet të jep përgjigje në pyetjen pse vendet e Ballkanit Perëndimor mbesin aq shumë pas standardeve evropiane të jetesës dhe çfarë mund të bëhet për të zvogëluar boshllëkun në vitet e ardhshme, por edhe për të nxitur debat për tranzicion ekonomik dhe zhvillimin. “Shumica e vëzhguesve do të pajtohen se institucionet e dobëta, duke përfshirë edhe mjedisin problematik ekonomik, janë në qendër të problemit, sepse kjo i pengon institucionet dhe i mban mrapa përfitimet e mundshme të produktivitetit”, thonë autorët e dokumentit, Peter Sanfej, zëvendës-drejtor, dhe analistët Ana Kreshiq dhe Jakov Millatoviq nga Departamenti i ekonomisë, politikës dhe rindërtimit në kuadër të BERZH-it. Për analizën janë përdorur dokumentet e mëparshme të BERZH-it, si hulumtimi i fundit i mjedisit të biznesit dhe performanca e ndërmarrjeve (BEEPS), Raporti për tranzicion etj, ku janë marrë parasysh përgjigjet e rreth 1.800 pronarë të bizneseve apo menaxherët e lartë, që të zbulohet lidhja midis rezultateve të kompanive dhe pengesat të cilat ato i kanë gjatë udhëheqjes së biznesit. Si pikë referimi janë marrë 11 vende ish socialiste nga Evropa Qendrore dhe Lindore, të cilat hynë në BE në vitin 2004 dhe më vonë. “Për momentin, Produkti i Brendshëm Bruto për banor në Ballkanin Perëndimor mesatarisht është vetëm gjysma nga niveli i 11 vendeve të BE-së”, thuhet në dokumentin punues. Vlerësimet e produktivitetit bujqësor gjithashtu tregojnë boshllëk të fortë. “Produktiviteti i ulët në vendet e Ballkanit Perëndimor reflekton mungesën shumëvjeçare të investimeve, dështimi për t’u integruar në zinxhirët evropiane dhe globale të vlerave, si dhe vendosmërinë e pamjaftueshme institucionale”, thonë autorët e analizave. Në parim, theksi është vendosur në tre pyetjet në vazhdim: cilat janë problemet kryesore të cilat sipas biznesit i pengojnë aktivitetet e tyre, cili është ndikimi cilësor i pengesave të caktuara ndaj efikasitetit të kompanive dhe e treta, deri te cila shkallë pengesat kryesore janë të lidhura me karakteristika të ndryshme, si për shembull pronësia e huaj ose orientim të eksportit? Kjo e fundit është veçanërisht e rëndësishme për shkak të rritjes në të ardhmen dhe konvergjencës në vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila do të nxitet nga rritja e importit dhe nga tërheqja e më shumë investimeve të huaja direkte.
Pengesë edhe ekonomia e zezë
Rezultatet nga hulumtimi tregojnë se për kompanitë nga rajoni, duke përfshirë dhe Maqedoninë, penges kryesore në udhëheqjen e biznesit është ekonomia e zezë, gjegjësisht konkurrenca jo lojale. 26 për qind nga kompanitë te ne janë përgjigjur se konkurrenca nga sektori joformal paraqet pengesë kryesore në udhëheqjen e biznesit. Problemin me ekonominë e zezë, si kryesor e shohin edhe kompanitë në Kosovë (23,3 për qind), dhe në Shqipëri (16,8 për qind), ndërsa shumë më pak në Mal të Zi, 12,5 për qind, në Serbi 9.8 për qind dhe në Bosnja dhe Hercegovinë, vetëm 4,1 për qind. Megjithatë, mesatarisht (15,4 për qind) kjo dominon në rajon, para paqëndrueshmërisë politike (13,5 për qind), qasja në financa (12,7 për qind), norma e taksave (11,9 për qind), dhe korrupsioni (6,2 për qind). Një tabelë tjetër, e cila tregon sa zona të caktuara janë të rëndësishme apo pengesa të mëdha për të udhëhequr biznes, gjithashtu në sipërfaqe nxjerr ekonominë e zezë, jostabilitetin ekonomik dhe korrupsionin. Por, në vendin e katërt janë problemet me energjinë elektrike (në Maqedoni në vendin e dytë), ndërsa në disa vende, janë problemet të cilat i kanë kompanitë e telekomunikacionit. Një nga zbulimet më me rëndësi është se kompanitë e orientuara kah eksporti janë të prekura disproporcionalisht nga problemet në lidhje me doganat dhe rregullat e tregtisë. Duke marr parasysh rolin e industrive të orientuara nga eksporti dhe ndikimin e tyre në zhvillimin ekonomik, në dokument theksohet nevoja e trajtimit urgjent të të ashtuquajturave pengesa të buta në tregëti, si dhe nevoja për nxitje të investimeve dhe përmirsim të infrastrukturës së transportit. Rezultatet gjithashtu kanë treguar se kompanitë të cilat kanë qasje në tregun ndërkombëtar janë më pak të shqetësuara për konkurrenën nga sektori joformal, si dhe çështjet lidhur me qasjen në tokë, apo për krimin. Në një nga konkluzionet e dokumentit punues thuhet se duke pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit duan të tërheqin sa më shumë investitorë të huaj, më rëndësi është të kuptohen pengesat të cilat i kanë firmat me kapital të huaj e që tash më janë pranishme këtu. “Rezultatet tregojnë se këta kompani janë më shumë të shqetësuar për sistemin gjyqësor krahasuar me firmat me pronësi vendore”, thuhet në dokument. Duke marr parasysh se pronarët e kompanive të huaja nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë kryesisht kompani nga vendet e BE-së, kujdesi i madh ndaj gjykatave është indikator i mirë për atë se sa sistemi gjyqësor në rajon është i dobët dhe i ngadalshëm. Këto kompani gjithashtu më pak ankohen në lidhje me krimin, por edhe për administratën tatimore, e cila sipas autorëve të dokumentit, ndoshta, për shkak të faktit se disa prej tyre kanë përfituar nga lehtësimet tatimore në të kaluarën. Në një nga raportet për tranzicionin, në të cilin është bazuar edhe dokumenti i punës, BERZH tregon se rëndësia e përmirësimit të institucioneve dhe krijimin e një klime të favorshme për biznes në të gjithë rajonin me qëllim që të krijohet rritje me e mirë afatgjate. Fillimisht, normat e shpejta të rritjes në shumë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, udhëhiqeshin nga kompleti i parë i reformave, ku bëjnë pjesë liberalizimi i çmimeve, shpërndarja më efikase e burimeve… Por, shumë nga këto përfitime u shpenzuan deri në fund të dekadës së parë të shekullit të 21. “Pa përmirësim në institucione dhe mjedisin e biznesit, vendet do të mbesin “të bllokuara” në tranzicion dhe pak apo aspak nuk do të ketë afrim në të ardhmen”, thuhet në raportin për tranzicion. Më tej shtohet se kjo është veçanërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, kundër tregjeve tjera në zhvillim, duke pasur parasysh procesin e anëtarësimit në BE, ndërsa është veçanërisht e rëndësishme që të forcohet zhvillimi institucional i vendeve në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
Produktivitet më i ulët edhe se mesatarja e Ballkanit
Një nga faktorët më të rëndësishëm për funksionimin e kompanive është produktiviteti, i definuar si shitje e përgjithshme e ndarë me numrin e punëtorëve më orar të plotë. Të dhënat nga BERZH tregojnë boshllëk të madh mes produktivitetit në vendet e rajonit me mesataren e 11 vendeve ish socialiste të cilat janë anëtare të BE-së, gjegjësisht 60 për qind nga mesatarja e 11 vendeve të BE-së. Produktiviteti në Maqedoni është më i keq edhe se mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Më i mirë është vetëm se në Shqipëri, Kosovë dhe Mali të Zi. Sipas produktivitetit, mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe më afër mesatares së BE-11 janë Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.