Kriza e paparashikueshme politike ka ndikim të fuqishëm ndaj ekonomisë dhe është sfida më e madhe për kompanitë gjermane në vend. Nën supozimin se nuk do të përkeqësohet dhe se së shpejti do të tejkalohet, ata përsëri do të investonin në Maqedoni pasi që mendojnë se është lokacion atraktiv për investimet e tyre.
Siç u theksua në konferencën e sotme për shtyp në të cilën Shoqata ekonomike e Maqedonisë dhe e Gjermanisë i prezentoi rezultatet e punës në vitin 2016, probleme serioze për biznesin janë edhe deficiti i sigurisë juridike, stabiliteti politik dhe social, lufta kundër korrupsionit dhe krimit, transparenca gjatë furnizimeve publike dhe shlyerja e borxheve. Sipas anketës me të cilën janë përfshirë 71 kompani, janë vlerësuar mirë tregu i punës në Maqedoni, produktiviteti dhe kapaciteti punues i të punësuarve, kualifikimet e tyre dhe edukimi akademik, shpenzimet për kontribute, si dhe sistemi tatimor dhe ngarkesat tatimore.
“Shenjë e mirë është ajo që një pjesë më e madhe e kompanive, madje 82 përsëri do të investonin në Maqedoni që është 10 për qind më shumë se vitin e kaluar dhe është mesazh i rëndësishëm deri tek investitorët potencial. Në vend punojnë mbi 200 kompani me kapital gjerman të cilat punësojnë 15.000 persona. Për këto shkaqe nevojitet zgjidhje e shpejtë për krizën politike aktuale e cila pasqyrohet fuqimisht ndaj ekonomisë”, potencoi drejtori i Delegacionit të ekonomisë gjermane në Maqedoni, Patrik Mrtens, duke i prezentuar rezultatet. Edhe ambasadorja gjermane, Kristine Althauzer porositi se nevojitet zgjidhje e shpejtë e krizës politike. Gjermania, tha, mbetet partneri më i madh tregtar i Maqedonisë me 47 për qind pjesëmarrje dhe është treg kryesor për mallin e Maqedonisë.
Sipas anketës së Shoqatës ekonomike të Maqedonisë dhe Gjermanisë, 51 për qind e kompanive e kanë vlerësuar gjendjen aktuale në vend si të keqe, ndërsa vetëm 10 për qind si të mirë. Shumica, apo 63 për qinjd, vlerësojnë se situata do të mbetet e pandryshuar, 26 për qind presin përkeqësim, ndërsa 11 për qind janë optimistë dhe parashikojnë përmirësim. Lidhur me gjendjen afariste, 54 për qind presin përmirësim, 43 për qind parashikojnë se nuk do të ketë ndryshime, ndërsa tre për qind paralajmërojnë përkeqësim në krahasim me vitin 2016. Siç përmendi Martens, në fokus të Shoqatës ekonomike të Maqedonisë dhe Gjermanisë mbetet zbatimi i arsimit profesional dual si faktor kryesor për sigurimin e kuadrit përkatës. “Gjendja me kuadrin profesional është e mirë, por sot jemi afër pikës kritike. Kjo do të thotë problem eventual për gjetjen e fuqisë përkatëse të punës”, nënvizoi Martens.