Analizat amerikane tregojnë se për një kompani ajrore në Evropë është e papranueshme të punojë në një treg më të vogël se 30 milion banorë. Andaj vetëm kompani si Viz Air apo Rajan Air mundet si investitorë të lidhin rajonin në aspektin e transportit ajror
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 15 nëntor – Shtetet e rajonit e kanë të vështirë, në mos të pamundur të realizojnë në praktikë punë të suksesshme të kompanive ajrore nacionale. Këtë e dëshmojnë edhe puna me humbje, por edhe rezultatet mjaft të dobëta financiare të avio kompanive të shteteve të ish hapësirës jugosllave. Në Kroaci, jozyrtarisht përflitet se Croatia Airlines ballafaqohet me falimentin për shkak se në gjashtë muajt e ardhshëm duhet të kthejë borxhin prej 150 milionë kuna apo mbi 25 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Humbjet operative të kompanisë në periudhën janar-qershor të këtij viti ishin afër 12.8 milionë euro që paraqet një rritje të madhe në raport me humbjet prej 4.9 milion euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në rezultatet e dobëta të kompanisë kanë ndikuar edhe shtrenjtimi i karburantit të naftës, ku për nëntë muajt e parë të këtij vit, kompanisë i nevojiten afër 9 milionë euro më shumë harxhime për kerozin. Nga kjo kompani për rezultatet e dobëta fajësojnë edhe “rreziqet strategjike, operative dhe financiare të kushtëzuara nga lëvizjet globale”.
Me Croatia Airlines, në dy vitet e kaluara apo nga shtatori i vitit 2016 menaxhon udhëheqësi i detyrës se drejtorit, ndërsa nga tre konkurse të shpallura, dy konkurse janë anuluar , ndërsa i treti që vijon nga muaji shkurt i këtij viti akoma nuk ka përfunduar. Në muajin gusht të këtij viti, Gjykatat kroate ndaluan me ligj grevën e përgjithshme në këtë kompani si masë e përkohshme dhe me pretekstin se do të shkaktojë dëm të madh. Në muajin prill po të këtij viti nga Sindikata kroate e pilotëve i janë drejtuar me letër kryeministrit kroat për të alarmuar për gjendjen e vështirë në Kroacia Erlajns. Nga atje shtojnë se nga kompania janë larguar gjysma e mekanikëve, një e treta e pilotëve dhe një e katërta e stjuardesave, ndërsa ikja e personelit ka vazhduar përgjatë vitit 2018.
Për çmimet e larta të karburantit dhe rezultatet jo të mira ankohen edhe nga kompania sllovene Adria Airlines të cilën në vitin 2016 e bleu fondi investues 4K. Ekonomistët në Slloveni thonë se kompania ku shteti ka investuar 70 milionë euro në shpëtimin e saj dhe më vonë e ka shitur për 100 mijë euro nuk ka gjasa të mira të mbijetojë në treg. Nga ana tjetër, sipas raportit vjetor të punës për vitin 2017, kjo kompani ka shënuar humbje neto më të madhe se pesë milionë euro.
Edhe kompanitë e tjera kombëtare të transportit ajror në rajon, nuk mund të lëvdohen me rezultate më të mira financiare. Montenegro Airlines nga Mal i Zi shënoi humbje prej 76 milionë euro në vitin 2017. Vetëm në vitin 2016 kjo kompani shënoi humbje prej 11.5 milionë euro. Kjo kompani ballafaqohet edhe me procese gjyqësore si rrjedhojë e borxheve ndaj kontrollit të fluturimeve të Serbisë dhe Malit të zi prej 2 milionë euro. Në tre procese të tjera gjyqësore ajo ka borxh ndaj të njëjtit institucion prej 8 milionë euro.
Për transportuesin kombëtar kroat dhe malazez përflitet se një nga mundësitë për dalje nga kriza është edhe privatizimi i tyre dhe dalja e shtetit nga pronësia .
Në Bosnje e Hercegovinë më 12 gusht të vitit 1994 , filloi me punë kompania kombëtare “Air Bosnia”, e cila pas disa vitesh pauzë sërish filloi me punë në vitin 2005 me emrin “BH Airlines”. Në 2 korrik të vitit 2015, ajo shpalli falimentim dhe ndërpreu punën e saj.
Në Serbi pas humbjeve të mëdha që shënoi në periudhën e kaluar, kompania JAT, në vitin 2013 u nënshkrua marrëveshja për partneritet strategjik me gjigandin e transportit ajror Etihad si investim i përbashkët i shtetit serb dhe kompanisë nga Katari të kompanisë së re të transportit ajror Er Serbia. Mirëpo, ky model i investimit me kalimin e kohës u tregua i pasuksesshëm. AirSerbia një kohë të gjatë tregon rënie në punën e saj, me humbje të mëdha që mbulohen me subvencione shtetërore, uljen e cilësisë së shërbimeve si anulimi i pijeve dhe ushqimit në tarifat themelore si dhe anulimin në heshtje të porosisë për blerjen e dhjetë avionëve Airbass A320NEO. Air Serbia ku shteti ka 51 për qind të pronësisë në vitin e kaluar shënoi fitim prej 15.7 milionë euro, ndërsa në vitin 2016 shënoi fitim prej një milion euro. Megjithatë edhe një plus kaq i madh do të ishte i pamundur në rast se shteti nuk do të derdhte 40 milionë euro subvencione, në arkën e kësaj kompanie.
Ish drejtori i kompanisë JAT, Predrag Vujoviq, thekson se analizat amerikane tregojnë se për një avio-kompani në Evropë është e papranueshme të punojë në një treg më të vogël se 30 milionë banorë. Njëherazi ky rajon në aspekt politik është mjaft i ndarë andaj vetëm kompani si Viz Er apo Rajan Er mundet si investitorë të lidhin këtë rajon në aspektin e aviotransportit.
“Një investitor i tillë privat do të pyesë çdo shtet në veçanti se cilat fluturime i nevojiten, dhe pastaj pas analizave të nënshkruajë me secilin prej tyre kontrata konkrete për fluturime. Kjo në praktikë do të thotë se do të ketë mundësi të udhëtoni nga Ohri për Dubrovnik. Pra, ardhmëria janë jo kompanitë nacionale, por private që do të rrjetëzojnë rajonin me fluturimet e tyre”, thekson Vujoviq.
Ndryshe, nga pavarësia e Maqedonisë kanë filluar me punë dhe kanë ndërprerë aktivitetin e tyre , disa avio-kompani vendore transportuese. Pionier i aviacionit transportues në vend ishte kompania Paler, e pasuar nga Avio Impeks që për fat të keq do të mbahen mend edhe për dy fatkeqësi që ndodhin në truallin e Maqedonisë për një vit .Më gjatë ka punuar kompania MAT , e cila përkundër monopolit nuk arriti të mbijetojë. Puna e kësaj kompanie u përcjell me më shumë problem të natyrave të ndryshme ekonomike,politike dhe teknike. Zyrtarisht ajo humbi lejen e punës si rrjedhojë e mungesave teknike të avionit si dhe borxheve ndaj autoriteteve vendore të fluturimeve. (koha.mk)