Shkup, 13 prill – Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski pati takim me përfaqësues të kompanive Devoli Group nga Kosova dhe OAPI Ltd nga Izraeli.
Përfaqësuesit e kompanive para kryeministrit dhe ministrit i kanë prezantuar planet e tyre për investim në Maqedoni, në fushën e bujqësisë, blegtorisë, industrinë e përpunimit të mishit, kumtoi pres shërbimi qeveritar.
Kryeministri Zaev ka theksuar se i mbështet nismat e tyre për ndërmarrjen e hapave të mëtejshëm në thellimin e komunikimit me ekipet ekonomike dhe ekipet e institucioneve përkatëse të Republikës së Maqedonisë, me qëllim, me kohë, detajisht dhe në mënyrë profesionale të veprohet në drejtim të gjetjes së zgjidhjeve më të mira të mundshme për realizimin e planeve të tyre për investim.
Ai, gjithashtu, ka potencuar se interesi i rritur për investim është rezultat i masave të reja ekonomike të Qeverisë, të cilat tërheqin investues nga mbarë bota.