Shkup, 8 maj – Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot ishte nikoqir i një delgacioni qeveritar nga India, i kryesuar nga Ministri i Tekstilit dhe Industrisë Ajau Tamta, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë.
Nga Ministria e Ekonomisë informojnë se gjatë takimit ministri Bekteshi tha se Maqedonia dhe India si vende anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë kanë nevojë për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Ekonomik dhe Tregtar midis Qeverisë së Maqedonisë dhe Qeverisë së Republikës së Indisë paraqet impuls për zhvillimin e marrëdhënieve të ndërsjella ekonomike. Është vlerësuar se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë shumë të mira, por se ka nevojë të intensifikohen, duke theksuar se shkëmbimi tregtar vjetor i cili është 50-60 milionë dollarë mund të shumëfishohet.
Ministri Bekteshi e informoi ministrin indian Tamta me kushtet e volitshme që ofron Maqedonia për investitorët potencial nga India, në fusha të ndryshme siç janë industria e tekstilit, që është shumë e zhvilluar, dhe ka çmime konkurruese si dhe kuadër shumë cilësor. Përveç që mund të hynë në industrinë e tekstileve, kompanitë indiane mund ta përdorin vendin tonë edhe si qendër e shpërndarjes së produkteve finale nëpër Evropë dhe më gjerë, pastaj në Turqi dhe Ukrainë, vende me të cilat Maqedonia ka marrëveshje për tregti të lirë.
Ministri i Tekstilit dhe Industrisë të Indisë Ajau Tamta, falënderoi ministrin Bekteshi për mikëpritjen, duke theksuar se Maqedoninë e ndjen të afërt, para së gjithash sepse është vendlindja e Nënës Terezë. Ai shtoi se kompanitë nga India janë të interesuara për industrinë e tekstilit dhe për investime në sektorin e bujqësisë, por nuk është më i vogël edhe interesimi për industrinë e filmit dhe teknologjinë informatike.
Në industrinë e tekstileve në Indi punojnë 45 milion njerëz, ndërsa eksportet vjetore të saj arrijnë 40 miliardë dollarë. Shkëmbimi tregtarë midis Maqedonisë dhe Indisë në vitin 2017 arriti në 54.6 milionë dollarë, ndërsa në vitin 2016 ishte 64.7 milion dollarë.