Në vjeshtën e vitit 1949, në Paris, formohet Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, në të cilën u përfshinë të gjitha organizatat politike shqiptare në mërgim, përveç BKI-së (Blloku Kombëtar Indipedent). Kjo konferencë u thirr nga gjenerali amerikan Fulc, ndërsa në të morën pjesë: Mit’hat Frashëri, Zef Pali, Sait Kryeziu, Abaz Ermeni, Vasil Andoni, Nuçi Kota, Hysni Mulleti, Atland Koçi, Abaz Kupi, Gaqi Goga, Halil Maçi, Asllan Zeneli, Is’han Toptani, Gani Tafili, Eqerem Telkaj…
Nga Qerim LITA
Pas Rezolutës së Informbyrosë (IB-së) dhe prishjes së marrëdhënieve miqësore midis qeverive komuniste të Shqipërisë dhe Jugosllavisë (1948), çështja shqiptare do të aktualizohet, si në arenën ndërkombëtare, po ashtu edhe te faktori i brendshëm politik shqiptar, i cili në pamundësi të veprimit legal, vepronte ilegalisht. Në atë periudhë kohore, emigracioni politik shqiptar i vendosur në shtetet Perëndimore, me ndihmën dhe sugjerimin e diplomacisë anglo-amerikane, bënte përpjekje të bashkohet në një bllok të vetëm politik.
Për rrjedhojë, në vjeshtën e vitit 1949, në Paris, formohet Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, në të cilën u përfshinë të gjitha organizatat politike shqiptare në mërgim, përveç BKI-së (Blloku Kombëtar Indipedent). Kjo konferencë u thirr nga gjenerali amerikan Fulc, ndërsa në të morën pjesë: Mit’hat Frashëri, Zef Pali, Sait Kryeziu, Abaz Ermeni, Vasil Andoni, Nuçi Kota, Hysni Mulleti, Atland Koçi, Abaz Kupi, Gaqi Goga, Halil Maçi, Asllan Zeneli, Is’han Toptani, Gani Tafili, Eqerem Telkaj etj.. Në atë konferencë, e cila zgjati disa ditë, u formua Këshilli Ekzekutiv, me këtë përbërje: Mit’hat Frashëri, themelues i Ballit Kombëtar; Abaz Kupi, përfaqësues i Legalitetit; Zef Pali, përfaqësues i Partisë Agrare; Dr. Nuçi Kota; Sait Kryeziu, përfaqësues i Partisë Katundare. Pos Komitetit Ekzekutiv, në konferencë u zgjodh edhe Këshilli konsultativ prej 20 anëtarësh.
Ky bashkim i mërgatës antikomuniste shqiptare, hasi në mbështetje të fuqishme në pjesën dërmuese të shqiptarëve në përgjithësi, e në trevat shqiptare që ishin nën pushtimin jugosllave në veçanti. Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë, përmes një Analize me titull “Çështja Shqiptare sot”, hartuar në vitin 1954, ndër të tjerave vë në dukje se themelimi i Komitetit Shqipëria e Lirë u pritë jashtëzakonisht mirë nga shqiptarët në përgjithësi:
“…Themelimi i Komitetit Shqipëria e Lirë, në 1948, edhe me gjithë mangësitë të lindura dhe me fjalët e prejardhjes, u prit me mirënjohje pa dallim nga të gjithë shqiptarët antikomunist dhe u vlerësua si një hap përpara drejt zgjidhjes së drejtë të çështjes shqiptare. Ndërmjetësimi i Shteteve të Bashkuara u shpjegua si dëshmi e çmuar që kombi i vogël adriatik herët e vonë do të ishte shpëtuar dhe ndihmuar për të rilindur…”.
Nga burimet arkivore jugosllave, përkatësisht maqedonase, shohim se, të gjitha veprimet antishqiptare, të ndërmarra në harkun kohor 1949-954, nga organet e pushtetit të atëhershëm komunist jugosllav, ishin të orientuar në pengimin e zgjerimit të politikës pro-perëndimore në masën e përgjithshme shqiptare, që për ta, përbënte një “rrezikshmëri shumë më e madhe” se sa politika enveriane. Të vetëdijshëm se pas Komitetit Shqipëria e Lirë, qëndronin jo vetëm shqiptarët në Shqipëri , por edhe pjesa dërmuese e tyre nën Jugosllavi, me urdhër të Byrosë Politike, në Beograd, Shkup e Prishtinë, u hartuan plane dhe projekte të shumta kundër çështjes shqiptare. Këto plane dhe projekte në Maqedoni në përpikmëri do t’i realizoj KQ PKM-së, në krye me Llazar Kolishevskin dhe Kërste Cërvenkovskin.
Në suazat e politikës së parashtruar, KQ PKM-së, në fillim të vitit 1949, formoi një komision, të cilit iu dha për detyrë të shqyrtoj gjendjen politike në rrethet të cilat shtriheshin përreth kufirit me Shqipërinë. Rrjedhimisht, Komisioni, në qershor të vitit 1949, Byrosë Politike të PKM-së, i dorëzoi një raport, me të cilin përshkruhej në mënyrë të detajuar situata politike dhe e sigurisë në ato zona. Duke i bërë një analizë të thuktë, gjendjes faktike në rrethet e Strugës dhe Dibrës, raporti ndër të tjerash vlerësonte:
“Dy çështje kryesore komitetet e rretheve si në Strugë po ashtu edhe në Dibër, nuk i kanë përfshi në punën e tyre : përmbysjen e traditës balliste, e cila ekziston në pjesën dërmuese të popullatës, kjo më shumë e rëndon gjendjen kur dihet se agjitacioni ynë deri më sot ende nuk ka arritur ta demaskoj politikisht në mënyrë serioze këtë shërbim kundrarevolucionarë të okupatorit fashistë, dhe përmbysjen sistematike të pozicioneve që i mbajnë hoxhallarët, të cilët tash po paraqiten si udhëheqës në mbrojtje të kapitalizmit duke e lidhur atë me fenë…”.
Përsa më sipër, ekipi në raport i sugjeronte Byrosë Politike, që sa më parë që ishte e mundur, të hartohej një “program special e i veçantë”, për arsye se, siç bëhej me dije “çështja e parë që sot me të gjitha veçoritë po paraqitet”, janë përkrahësit e organizatës aq të zgjeruar, siç ishte ONDSH-ja (Organizata Nacional Demokratike Shqiptare), ndërsa sa i përket çështjes së dytë “po vërtetohet se në këto dy rrethe si dhe në Gostivar dhe Tetovë, janë pikërisht hoxhallarët dhe feja shpresa më e madhe kundër rindërtimit socialistë në fshatrat shqiptare…”.
Menjëherë pas këtij raporti, sulmet e para të organeve të sigurimit shtetëror, ishin të orientuar kundër mësuesve të atëhershme shqiptarë. Krejt kjo u bë, për shkak se sipas, të gjitha analizave dhe elaborateve të përpiluara nga ana e Byrosë Politike, ishin pikërisht mësuesit shqiptarë: “ata që e mbanin gjallë politikën e Komiteteve shqiptare që vepronin në shtetet perëndimore”. Gjithnjë duke iu referuar analizave të hartuara asaj kohe nëpër kuzhinat e Byrosë Politike, mësuesit shqiptarë ndaheshin në tri grupe:
“…grup mësuesish që kanë ardhur nga Shqipëria , që nga koha e okupacionit ( këta janë me përgatitje arsimore më të lartë , mirëpo të edukuar me ide të ndryshme shoviniste);
grup mësuesish që kanë ardhur nga Shqipëria pas Luftës ë Dytë Botërore ( edhe këta pjesërisht janë me arsim të lartë, mirëpo të edukuar për bashkimin e Shqipërisë), dhe; grup i cili numerikisht është më i madh (të krijuar në territorin tonë nëpërmjet kurseve, të cilët kryesisht janë fëmijë të ish bejlerëve, hoxhallarëve dhe zejtarëve të ndryshëm dhe gjimnazistë të papërfunduar). Edhe këta janë kuadër të krijuar nga dy grupet e para…”.
Ngjashëm si Cërvenkovski, shpreheshin edhe organet e UDB-së. Në raportin që ky shërbim famëkeq gjatë vitit 1953 ia dërgoi Byrosë Politike të PKM-së, veç tjerash thuhej:
“…Inteligjenca, e cila erdhi në kohën e okupacionit dhe ajo që erdhi pas çlirimit, ishte drejtuesja e më shumë ngjarjeve irredentiste dhe shoviniste. Nga këta mësues u krijua Organizata Nacional Demokratike Shqiptare. Mendimet e veta shoviniste dhe irredentiste, mësuesit i përcillnin sistematikisht dhe me shkathtësi te shtresat. Vetë detyra e NDSH-së ishte: restaurimi i së vjetrës me ndihmën e perëndimit për krijimin e Shqipërisë së Madhe…”.
Për ta penguar, hovin që në atë kohë kishte marrë politika kombëtare e Komitetit Shqipëria e Lirë, si brenda shtetin shqiptar, po ashtu edhe në Kosovë dhe në trevat Verilindore, Maqedonisë Veriore së sotme, udhëheqja politike jugosllave, në emër të “humanizmit”, nga pjesa e dytë e vitit 1948, filloi t’i pranoj të gjithë ata shqiptarë, të cilët për shkaqe politike, kalonin kufirin shqiptaro-jugosllav. Ky emigracion politik shqiptarë u vendosë në Kosovë dhe në vendbanimet shqiptare të Maqedonisë Veriore. Numri i atyre, që u vendos në territorin e sotshëm të Maqedonisë Veriore, deri në vitin 1950 ishte gjithsej 379 anëtarë. Se çfarë fshihej pas asaj politike, më së miri mund të shohim në informatën e UDB-së , dërguar KQ PKM-së, në të cilën thuhej : “…Me pranimin e këtyre ne mundësojmë që ata të mos jenë eksponentë të fuqive perëndimore, ndërsa në anën tjetër rritet autoriteti i RFPJ-së para syve të popullit shqiptar”. (vijon nesër)