Pas diskutimeve të frytshme për marrëdhëniet midis vendit dhe Bashkimit Evropian, deputetët e Kuvendit dhe të Parlamentit Evropian, anëtarë të Komitetit të Përzier Parlamentar Republika e Maqedonisë së Veriut – BE, sot në Strasburg e harmonizuan dhe miratuan tekstin e Rekomandimeve të përbashkëta me të cilat kërkohet fillimi i negociatave për anëtarësim me shtetin deri në fund të marsit të vitit 2020, informon KOHA.
Siç lajmëroi korrespondenti i MEDIAL-s nga Strasburgu, Rekomandimet do t’i dërgohen Parlamentit Evropian, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Komisionit Evropian.
Përndryshe gjatë ditës së sotme të dytë të takimit të Komitetit të Përzier Parlamentar, ka pasur diskutime individuale nga më shumë aspekte të sundimit të së drejtës, luftës kundër diskriminimit, kundër gjuhës së urrejtjes, lirisë së mediave, polotikave rinore, reforma gjyqësore dhe zgjidhjeve ligjore të cilat në këtë fushë duhet të miratohen, si dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Anëtarët e Delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në përbërje të të cilit ishin Sonja Mirakovska dhe deputetët Betian Kitev, Zhaklina Lazarevska, Nikolla Poposki, Shpresa Hadri, Ivana Tufegxhiq, Ivan Stoilkoviq dhe Meral Uzeiri Ferati, dhe paraqitën një përmbledhje të hapave të cilat janë ndërmarrë dhe planifikohen për avancimin e gjendjes në këto fusha të rëndësishme dhe prioritare, duke pasur parasysh në këtë rast vlerësimet e përmbajtura në raportet e institucioneve evropiane të shtetit.
Pas prezantimit të gjendjes në Republikën e Maqedonisë së Veriut vijoi diskutimi me deputetët e Parlamentit Evropian, të cilët duke shprehur shpresë se deri në takimin e ardhshëm të Komitetit të Përzier Parlamentar vendi do të jetë në proces së negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian, shfaqën mirënjohje për rezultatet e arritura dhe i theksuan fushat në të cilat nevojitet progres.
Në debat ishte theksuar se Komisioni Evropian mbetet në rekomandimin e tij për fillimin e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, sepse ajo i përmbush kushtet për këtë, me vërejtje se përbërja e këtillë “nuk është kategori statike dhe nuk mund të jetojë në lavdinë e vjetër”.
Shefi i Departamentit për Maqedoninë e veriut në Drejtorinë për Politikë Fqinjësore Evropiane dhe Negociata për Zgjerim, Dejvid Kulen në fjalimin në seancë porositi se para zgjedhjeve, pas të cilave do të ketë edhe Parlament të ri dhe pushtet të ri ekzekutiv, Komisioni konsideron se “nuk duhet të shpiket uji i nxehtë”, por të zbatohen ligjet e miratuara të cilat janë në pajtim me standardet e BE-së, ndërsa midis prioriteteve të Kuvendit e thekson miratimin e projekt-ligjit për integrim të PSP-së dhe PTHP.
Rekomandimi kryesor i miratuar sot është se kërkohet nga vendet anëtare të BE-së, të angazhohen dhe të marrin vendim për fillimin e negociatave aderuese me vendin më së voni deri në takimin e Këshillit të Unionit në mars të vitit 2020, gjegjësisht para zgjedhjeve të caktuara parlamentare. (koha.mk)