Protagonistë kryesor të kësaj nisme ishin: Mahmut Dumani dhe Edip Tërshana, të cilët kah mesi i muajit nëntor 1944, nga Tirana u vendosën në Dibër. Aktiviteti i parë i tyre ishte hapja e sa më shumë shkollave shqipe jo vetëm në Dibër, por edhe në trevat tjera shqiptare të pushtuara nga ushtria komuniste jugosllave. Për këtë qëllim, Mahmut Dumani së bashku me Azem Rushitin, pasi rihapën shkollat fillore shqipe në qytetin e Dibrës dhe fshatrat përreth, të cilat qenë mbyllur me ripushtimin e këtij qyteti nga ushtritë komuniste jugosllav-shqiptare, ndërmorën një fushatë të gjerë edhe në Rekë të Epërme, Gostivar dhe Kërçovë
Nga Qerim LITA
Formimi i organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në Shkup, pati një jehonë të madhe në mbarë hapësirën shqiptare nën pushtimin jugosllav, dhe jo vetëm. Burimet e proviniencës policore jugosllave vënë në dukje se, gjatë pranverës së vitit 1945, fryma e NDSh-së, u përhap edhe në krahinat brenda kufijve politik të shtetit shqiptar, sidomos në ato veriore, përkatësisht, të Shkodrës, Dibrës e të Lumës. Po këta burime, pohojnë se bartës të kësaj fryme në Dibër të Madhe ishin intelektualët dhe nacionalistët e shquar shqiptar nga ky qytetet: Mahmut Dumani, Dr. Qeram Zllatku, Osman Cami, Edip Tërshana, Xhevat Pustina, Remzi Papraniku, Esad Mezexhiu, Sadulla Kërluku, Hafiz Mahmuti, Skender Daci, Munir Disha, Mit’hat Cami, Azis Cami, Medat Tërshana, Fazli Verzivoli, Shaban Qemali, Ibrahim Kaba, Ejup Çilafi, Dalip Turkeshi, Arif Vesatari, Burhan Kodra, Zeqir Kodra, Zijadin Kodra etj. Në fakt fryma e NDSH-së në Dibër, kishte filluar që në nëntor të vitit 1944, kur një pjesë e intelektualëve dhe atdhetarëve dibran, të pakënaqur për rrjedhat e atëhershme politike, e panë si të domosdoshme krijimin e një strukture politike shqiptare, e cila me kalimin e kohës do të arrij ta organizoj popullsinë shqiptare për një kryengritje të përgjithshme kundër pushtuesit komunist jugosllav. Protagonistë kryesor të kësaj nisme ishin: Mahmut Dumani dhe Edip Tërshana, të cilët kah mesi i muajit nëntor 1944, nga Tirana u vendosën në Dibër. Aktiviteti i parë i tyre ishte hapja e sa më shumë shkollave shqipe jo vetëm në Dibër, por edhe në trevat tjera shqiptare të pushtuara nga ushtria komuniste jugosllave.
Për këtë qëllim, Mahmut Dumani së bashku me Azem Rushitin, pasi rihapën shkollat fillore shqipe në qytetin e Dibrës dhe fshatrat përreth, të cilat qenë mbyllur me ripushtimin e këtij qyteti nga ushtritë komuniste jugosllav-shqiptare, ndërmorën një fushatë të gjerë edhe në Rekë të Epërme, Gostivar dhe Kërçovë. Pikërisht, ky aktivitet i M. Dumanit, pati një interesim të theksuar edhe në Procesin Gjyqësor kundër kreut të KQ të NDSH-së, përkatësisht në seancën e katërt gjyqësore (29 janar 1946) ku në pyetje merret i akuzuari M. Dumani, për çka e pamë të arsyeshme që në vazhdim ta japim të plotë këtë pjesë të seancës:
“…Shoku Matevski (përkthyesi gjyqësor – Q.L), thoni të akuzuarit se duhet të jetë më i shkurtër që të mund t’ia përktheni gjyqit më lehtë dhe më saktë për atë që ai thotë.
- Dumani: Unë do të doja të flas sa më gjerësisht.
- Marina: Shoku Matevski, thuani të akuzuarit se ai gjendet para gjyqit për shkak krimeve të tij, dhe për të njëjtat të flas para gjyqit. Ai këtu nuk gjendet para tribunës nga ku do të mund t’i dëshmoj aftësitë e tij oratorike. I akuzuari duhet të përgjigjet në pyetjet konkrete të gjyqit sipas aktakuzës. Kuptohet se, gjyqi di t’i ofroj mundësi që ndaj pyetjeve të parashtruara të përgjigjet sa të dojë dhe si të dëshiroj. Mirëpo, përgjigjet duhet të jenë më të shkurta që të njëjtat të mund të përkthehen në mënyrë të saktë. Tash pyeteni se kur ka ardhur në Maqedoni?
- Dumani: Në Maqedoni kam ardhur në ditën e çlirimit të Shkupit (13 nëntor 1944 – Q. L.).
- Marina: Nga ku?
- Dumani: Nga Shqipëria.
- Marina: Për çfarë arsye?
- Dumani: Për arsye se kam qenë i ftuar.
- Marina: Për çfarë arsye është ftuar?
- Dumani: Jam ftuar për shkak veprimtarisë arsimore.
- Marina: Në cilin vend të Jugosllavisë është vendos?
- Dumani: Në Dibër, fillimisht.
- Marina: Sa ditë keni qëndruar në Dibër?
- Dumani: Dhjetë ditë.
- Marina: Çfarë keni punuar në Dibër?
- Dumani: Në Dibër nuk kam punuar në arsim, porse ato ditë i kam vizituar shkollat.
- Marina: Nga Dibra ku keni shkuar pastaj?
- Dumani: Së bashku me Azem Rushitin fillova një aksion në Rekë të Epërme.
- Marina: E më pas?
- Dumani: Pas disa ditëve shkuam në Gostivar.
- Marina: Sa ditë qëndruat në Gostivar?
- Dumani: Rreth shtatë ditë.
- Marina: Pastaj?
- Dumani: Nga aty shkuam në Kërçovë, sepse atje ishte selia e qarkut.
- Marina: I akuzuari në pika të shkurta të na sqaroj se si erdhi në Shkup?
- Dumani: Në Kërçovë fillova të punoj në organizimin e veprimtarisë shkollore. Për këtë qëllim, dhomës së arsimit i dërgova një letër.
- Marina: Gjyqi interesohet për ardhjen e tij në Shkup?
- Dumani: Unë do të doja t’i paraqes arsyet e ardhjes time në Shkup.
- Marina: Mirë, atëherë le të na përgjigjet konkretisht në aty pyetje: Për çfarë arsye ka ardhë në Shkup? (pasi i akuzuari Mamut Dumani reagon dhe me dorë i bjerë karriges së aktakuzës, kryetari Panta Marina përmes përkthyesit ia tërheq vërejtjen). Mirë, ta konkretizojmë, i akuzuari Mahmut Dumani kur ka ardhë në Shkup, në cilin muaj, cilin vit dhe cilën datë?
- Dumani: Në Shkup kam ardhë në muajin shkurt 1945. Datën nuk e di.
- Marina: Për çfarë arsye?
- Dumani: Për arsye se isha i emëruar për mësues.
- marina: Keni qenë të emëruar për mësues?
- Dumani: Po.
- Marina: Në cilën shkollë?
- Dumani: Në shkollën fillore Liria
- Marina: Në atë shkollë sa mësues pati?
- Dumani: Pesë.
- Marina: Ai thotë se ka qenë mësues. Mos vallë ka qenë drejtor apo ka pasë ndonjë detyrë tjetër?
- Dumani: Në atë kohë isha mësues.
- Marina: Kush ishte drejtor?
- Dumani: Azem Marana.
- Marina: Pasi ka ardhë në Shkup, a është njoftuar me të gjithë mësuesit apo vetëm me Azem Maranën?
- Dumani: Kuptohet se, jam njoftuar me mësuesit dhe njëkohësisht edhe me të.
- Marina: Me të gjithë mësuesit, mirëpo me kënd u afrua më së shumti?
- Dumani: Më i afërt isha me Azem Maranën….”.
Duhet theksuar se afërsia e këtyre dy figurave të shquara shqiptare buronte që në kohën e LDB-së, kur ata ishin kyçur në procesin e hapjeve të shkollave kombëtare shqiptare në Prefekturën e Dibrës, të iniciuar dhe organizuar nga ministri i Arsimit, Ernest Koliqi. Në atë periudhë kohore Dumani hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Serbicë të Kërçovës, ndërsa Marana në fshatin Gajre të Malësisë së Sharrit. Pa dyshim se, ky afrim i serishëm i tyre përbënte momentin kyç për përshpejtimin e formimit të NDSH-së në Shkup, një ide, e cila kohë më parë ishte shtruar si nga Azem Marana në Shkup, po ashtu edhe nga Mahmut Dumani gjatë qëndrimit të tij disaditor në Dibër të Madhe.
(vijon nesër)