Shkup, 11 nëntor – Komisioni kuvendor për Çështje Kushtetuese, me të cilin kryeson kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sot do ta fillojë debatin për amendamentin e katërt të Kushtetutës që doli nga nevoja për implementim të Marrëveshjes nga Prespa midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Me draft-amendamentin e katërt, përveç konfirmimit të identitetit të Maqedonisë, propozohet që të qëndrojë se Republika i mbron të drejtat dhe interesat e qytetarëve të saj të cilët jetojnë ose qëndrojnë jashtë shtetit dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun.
Ditëve të kaluara Komisioni miratoi tre amendamente të Kushtetutës. Me amendamentin e parë propozohet zëvendësim i fjalës Republika e Maqedonisë me Republika Veriore e Maqedonisë kudo në Kushtetutë, përveç në nenin 36 ku ekziston një aspekt historik, me amendamentin e dytë në Preambulën e aktit më të lartë juridik vendimet e KAÇKM-së zëvendësohen me Manifestin e KAÇKM-së dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit, ndërsa me amendamentin e tretë shtohet një paragraf i ri me të cilin deklarohet respektimi i sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësia politike e vendeve fqinje.
Seanca e Komisionit për Çështje Kushtetuese mund të zgjasë 12 ditë, ndërsa seanca plenare tashmë është caktuar për më 1 dhjetor. Draft-amendamentet konfirmohen me shumicë të thjeshtë ose 61 vota me ç’rast duhet të organizohet debat publik kohëzgjatjen e të cilit e konfirmon Parlamenti. pas kësaj, Qeveria i përgatit draft-amendamentet dhe sërish ia dorëzon Kuvendit i cili duhet t’i miratojë me shumicën e dy të tretës ose për to do të duhet të votojnë më së paku 80 deputetë. Për amendamentin e Preambulës përveç shumicë e dy të tretës, nevojitet edhe shumicë e Badenterit.
Më 19 tetor Kuvendi me 80 vota “për” e miratoi vendimin për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese, në pajtueshmëri të Marrëveshjes së Prespës. Për nevojën për ndryshime kushtetuese votuan edhe tetë deputetë nga VMRO-DPMNE-ja opozitare.