Sofje, 21 qershor – Komisioni për politikë të jashtme të Kuvendit të Bullgarisë nesër pasdite do të mbajë seancë për të shqyrtuar “propozimin francez” për zhbllokimin e procesit integrues evropian të Maqedonisë së Veriut.
Në seancë siç është paralajmëruar “do të prezantohet edhe qëndrimi i Ministrisë së jashtme bullgare për procesverbalin e takimit të përbashkët në përputhje me nenin 12 të Marrëveshjes me Republikën e Maqedonisë së Veriut nga viti 2017 si dhe një pako dokumentesh të Presidencës me Këshillin e BE-së lidhur me procesin e zgjerimit të BE-së”.
Sot në Kuvendin bullgar është caktuar seancë në të cilën do të votohet për besimin e Qeverisë së kryeministrit Kiril Petkov.
Petkovi mëngjesin e sotëm gjatë arritjes në Kuvendin kombëtar të Bullgarisë ka deklaruar se është optimist se qeveria e tij do t’i mbijetojë votimit të mosbesimit.
Për të mbijetuar, Qeveria Petkov duhet të marrë mbështetjen e të paktën 121 nga 240 deputet në Parlament. Debati për iniciativën do të mbahet sot në Kuvendin kombëtar, ndërsa votimi duhet të bëhet 24 orë pas përfundimit të saj të mërkurën në mbrëmje ose të enjten në paradite.