Komisioni i Garave: Ajo që ndodhi në Gjilan e prish imazhin e futbollit tonë, klubet duhet të përmbahen

24

Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës u ka bërë thirrje klubeve dhe trajnerëve të tyre të përmbahen në sjelljet dhe deklaratat e tyre, duke thënë se incidentet në ndeshjen e së mërkurës në Ipko Superligë mes Gjilanit dhe Prishtinës e prishin imazhin e futbollit në vend.

Gjilani e mposhti 2:1 Prishtinën të mërkurën në Stadiumin e Qytetit në Gjilan, në një ndeshje derbi që u prish nga incidentet të ndryshe, veçanërisht pas përfundimit të saj, raporton Gazeta Express, përcjellë gazeta Koha.

Trajneri i Prishtinës Armend Dallku dhe stafi i tij nuk u përmbajtën dhe u futën në fushë pas përfundimit të ndeshjes për t’i kërkuar llogari gjyqtarëve, me ankesa të ashpra dhe zëshme për shkak se bardhekaltrit e luajtën tërë pjesën e dytë me një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit me të kuq të portierit Visar Bekaj.

Policia reagoi dhe e largoi Dallkun me stafin e tij duke përdorur sprej lotsjellës ndaj tyre. Dallku përfundoi në qendrën spitalore për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Incidente pati edhe jashtë stadiumit, mes një zyrtari të Prishtinës dhe një të Dritës, me këtë të parin që u arrestua dhe u lirua. Për më tepër, Drita e akuzoi Prishtinën se e ka dëmtuar rëndë zhveshtorën e stadiumit të Qytetit.

Në një reagim për media sot, Komisioni i Garave u ka bërë thirrje klubeve të vetëpërmbahen dhe mos ta prishin, siç e ka quajtur, kampionatin më interesant në futbollin kosovar që prej përfundimit të luftës.

“Komisioni i Garave vlerëson se ky kampionat është njëri nga më interesantët që nga paslufta, ku si gara për titull ashtu edhe ajo për mbijetesë është masive dhe e paqartë. Një gjë e tillë pa dyshim ka ndikuar edhe në rritjen e rivalitetit dhe të cilësisë së futbollit, por natyrshëm e ka rritur edhe presionin tek klubet dhe tek zyrtarët e ndeshjeve”, thuhet në reagimin e Komisionit të Garave.

Komisioni i Garave shtoi: “KG shpreh shqetësimin për ngjarjen e fundit të ndodhur në Gjilan, në ndeshjen Gjilani – Prishtina, që krijon imazh të keq për futbollin tonë. Për këtë ngjarje KG do të diskutojë dhe do t’i shqyrtojë të gjitha provat dhe materialet zyrtare në mbledhjen e radhës pas përfundimit të ndeshjeve të javës së 29-të në Ipko Superligë”.

Comments are closed.