Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka ka sqaruar se pushteti vendor planifikon të realizojë një projekt në sferën e sigurisë në komunikacion, ndërsa ka siguruar se nëse Komisionit për siguri në komunikacion vazhdon të mos kompletohet, atëherë do të zgjidhen anëtarë të rinj
Vjollca SADIKU
Dibër, 14 gusht- Një ndër problemet kryesore në sferën e sigurisë në komunikacion është mos funksionimi i Komisionit komunal për siguri në komunikacion, i cili defakto sjell vendime dhe zgjidhje të problemeve në sferën e komunikacionit në qytetin e Dibrës, por edhe në komunë. Ky Komision tani më një kohë të gjatë nuk ka mbajtur seancë, edhe pse ka patur kërkesa për rregullimin e komunikacionit në disa pjesë të qytetit të Dibrës.
Problemi në fjalë është debatuar disa herë nga Këshilli i Komunës në Dibër, por edhe përkundër tentimeve dhe ftesave që kanë marrë, anëtarët e Komisionit nuk janë takuar. Këshilltari komunal Fisnik Mela disa seanca ka kërkuar që të zgjidhet problemi i ndalesës së shpejtësisë në aksin rrugor nga qendra e Dibrës deri në dalje të rrugës së Strugës. Mela thotë se pikërisht nga unaza në afërsi të Xhamisë së re e deri tek stadiumi i qytetit në Dibër shumë të rinj ngasin automjetet e tyre me shpejtësi të lartë edhe pse në këtë pjesë të qytetit banojnë shumë dibran. Problemi në fjalë disa muaj është i hapur edhe pse pikërisht në këtë rrugë ka patur aksidente me dëme materiale, por edhe me lëndime të rënda të pjesëmarrësve në komunikacion. Në këtë rrugë nuk ka shenja të kufizimit të shpejtësisë së vozitjes dhe ndodh që shpeshherë të shobhim automjetet, të cilët në këtë aks vozisin edhe me shpejtësi 150 kilometra në orë.
Në lidhje me sigurinë në komunikacion probleme të ngjashme paraqiten edhe në aksin rrugor Dibër-vendkalimi kufitar Bllatë, por edhe në rrugën e re të ashtuquajtur “Rruga e loparëve”. Probleme me shpejtësinë e madhe të automjeteve ka edhe në rrugën qendrore “8 Shtatori”, theksojnë anëtarët të Këshillit të Komunës Dibër. Të gjitha këto probleme në komunikacion me revoltë të theksuar i paraqesin edhe vet qytetarët, të cilët janë të shqetësuar meqë vozitet me shpejtësi të mëdha në rrugë ku frekuentimi i qytetarëve është i madh. Nëse kemi parasysh se gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës, aksi rrugor Xhamia e re-stadiumi i qytetit përdoret për shëtitje dhe rekreim nga një numër i madh i dibranëve, atëherë është e qartë se vozitja e pakontrolluar shkakton probleme të mëdha në komunikacion, por edhe në sigurinë e qytetarëve.
Në një prononcim rreth këtij problemi, kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, para këshilltarëve ka sqaruar se pushteti vendor planifikon të realizojë një projekt në sferën e sigurisë në komunikacion. Me projektin do të tejkalohen të gjitha problemet aktuale në këtë sferë. Sipas tij, duhet në këtë drejtim edhe institucionet të tjera të ndërmarrin aktivitete, kurse sa i takon Komisionit për siguri në komunikacion, nëse vazhdon të mos kompletohet, atëherë do të zgjidhen anëtarë të ri.
Kur jemi tek sfera e komunikacionit në Dibër, të theksojmë se kohëve të fundit janë shpeshtuar rastet e aksidenteve si në qytet, ashtu edhe në periferi të qytetit. Autorët e këtyre aksidenteve kryesisht janë vozitës të rinj apo persona të cilët akoma nuk kanë patentë shoferi. Një shqetësim i madh është vozitja e automjeteve nga personat pa patentë, por shpeshherë edhe persona të mitur. Kjo dukuri me të drejtë shkakton reagime të këshilltarëve të Komunës, por edhe të mbarë banorëve të Dibrës. Në drejtim të problemeve në komunikacion, një shqetësim plotësues janë edhe shenjat horizontale dhe vertikale të pakompletuara të cilët kompetentët duhet ti plotësojnë në përputhje me Ligjin për komunikacion. (koha.mk)